Pritësi në theknajë


Avatar photo

Ilir Seci

I diplomuem për gjuhë e letërsi në Shkodër, Iliri ka qenë gazetar i Rilindjes së Prishtinës kur dilte në Tiranë. Sot asht mërgimtar i yni në Nju-Jork, ku merret me biznes dhe shkruen për shqiptarinë.

Pak vepra në historinë e letërsisë kanë mujtë me pasë fatin e romanit The Catcher in the Rye, i autorit Jerome David Salinger (Selinxhër).

Salingeri u lind në Niujork me 1919. I biri i nji tregtari të kamun djathnash, Salingeri u rrit në nji lagje pasanikësh në Menheten, dhe e kaloi fëmininë e vet tue u përplasë nga nji shkollë private te tjetra. Aq shum u end shkollave private sa mâ në fund prindët e tij sosën me e plasë në nji Akademi Ushtarake me 1934. Aty edhe muer diplomën e shkollës së mesme në vjetin 1936, kurse për studimet e nalta u end nëpër shum universitete, përfshi Columbian, por nuk diplomoi asnjiherë.

Sa ishte tue studiue në Columbia, Salingeri mori do klasë letërsie mbi shkrimtarinë. Në këto landë ai shkëlqeu, dhe gjeti interesin e vet me i shkrue tanë ato përshtypjet që kish mbajtë mbrenda vedit qysh nga vitet e adoleshencës.

Salingeri botoi tregimin e vetë të parë më 1940. Vazhdoi me shkrue edhe mbasi e thirrën nën armë, kur iu bashkue ushtrisë amerikane n’Evropë gjatë Luftës së Dytë Botnore. Mbasi u kthye prej lufte, thadroi disa tregime, të cilat dolën në shum revista të njoftuna.

Më 16 korrik 1951, shkrimtari amerikan botoi romanin e tij të plotë The Catcher in the Rye. «Pritësi në theknajë», kisha ba nji sprovë me e kthye në shqip titullin e kësaj vepër që ngjalli reagime, diskutime, e kundërthanie të pasosme, fillimisht në skenën amerikane e mandej dhe në rrafshin botnor.

Siç nënkuptohet nga leximi, J.D. Salinger e titullon romanin The Catcher in the Rye simbas përvojës së protagonistit Holden. Në kaptinën e 16, Holdeni sheh nji fëmijë që tue ecë — në mes të rrugës, e jo në trotuar — këndon nji kangë me vargjet e poetit të madh skocez Robert Burns: «Comin’ thro’ the Rye» (tue ecë përmes theknajës). Dhe në kaptinën 22, kjo nënvizohet veç edhe ma kjartë, kur Fibi (Phoebe) e dvet Holdenin se çka dishronte ai me bâ me jetën e vet. Ai i përgjigjet tue pasë para syve njat vegimin e kalamasë që këndonte: «Tue ecë përmes theknajës»…

I tanë libri ndërpreton shoqninë e rreme e materialiste! Djaloshi Holden nuk asht thjesht nji i ri adoleshent e i vetmuem që po kalon nëpër ato faza puberteti, nji i ri që sa e ka kuptue seksin dhe asht tronditë nga ç’ka zbulue, siç na e thotë random justifikimi! Arsyetime të kësaj natyre janë veç rrekje me gjetë shkaqe të jashtme për nji temë. Por romani i Salingerit e ka temën e kjartë:

Shumica e njerëzve në nji shoqni e bindin vedin se munden me kenë të sigurtë po u mbajtë fort për status quo-në e shoqnisë!

A nuk asht kjo çka shumica e njerëzve bajnë në përditshmëninë e tyne? Njerëz që përditë bajnë pikërisht at gja — zhvillojnë biseda sipërfaqësore, sa me thanë, biseda të pakuptimta, por të sigurta që nuk u qesin asnji telash si mundet me qitë telashe artikullimi i asaj çka ata vërtet ndiejnë në shpirt! Për me shmangë tanë ato travaje që mundet me shkaktue të shprehunit e asaj që njimend u vlon përmbrenda, njerëzit e çojnë jetën me iluzione materialiste, tue ble këpuca të modës, tesha të shtrejta, e mallna luksi, me të cilat kujtojnë se e mbushin jetën e tyne të zbrazët. Rregullisht shkojnë nëpër shkolla, edhe prite Zot, as nuk vejnë në dyshim kjoftë edhe nji normë të vetme të shoqnisë.

Kurse rioshi Holden asht i riu adoleshent që i don gjanat ndryshe, sa ka nisë me eksplorue botën që e rrethon dhe nuk asht tue i pëlqye. Holdeni rreket me gjetë nji marrëdhanie të sinqertë njerëzore, të pakompromis — nji marrëdhanie të qashtër pa kurrfarë interesi!

Holdeni ndjehet i pasigurtë me rendin e gjanave që ka fillue me zbulue në adoleshencën e vet…

Holden nuk asht anonim!

Holdeni asht individ, asht nji shpirt i përveçëm! Asht nji shpirt i vetmuem që kërkon dikend të paprishun, dikend të pabamë dam nga shoqnia! Dikend që ka pshtue pa u cikatë!

I riu Holden nuk dishron me u rritë në botën që e rrethon! Ai mendon se shoqnia i korrupton njerëzit shpirtdëlirë!

Asht nji moment në libër kur Holdeni sheh të shkruem në mur grafitin «F*** You», dhe ai fill mendon se me siguri nji i rritun e ka shkrue at gja! Holdeni e percepton pafajësinë si diçka që duhet me u mbrojtë, jo si nji gja që asht e kushtëzueme nga hapësina që mundëson konformizmi…

Ky libër fenomenal ka diçka që na kujton fundin e kryeveprës Getsbi i Madh — diçka në lidhje me at bregoren e madhe e të gjelbërt të botës së re që harlisej plot lulëzim në sytë e detarëve holandezë kur iu avitën Tokës së Re që e quajtën Amsterdami i Ri (New Amsterdam). Ka nji gja nga ai momenti kalimtar, momenti magjepsës si fektimë që pershkruhet te Getsbi i Madh.

Mendoj me e nanvizue këtë ide – mundet me u ngritë nji paralele mes perceptimit të Holdenit për pafajësisë dhe atij perceptimit iluziv të marinarëve për Botën e Re. Perfeksioni mundet me ekzistue në Tokë, por gjindet vetëm në faza kalimtare. Momenti i parë në Botën e Re, ata marinarët e mbushun Andrra per qashtërsinë e Tokës që kanë para syve, plot mundësi të pafundme, mundësina që në mënyrë të pashmangshme kanë me u pasue nga vuejtjet dhe realiteti i vrazhdë i jetës që sjell nji zgjidhje e re…

I riu Holden… Ka diçka të përkryeme në pafajësinë e fëmijës, në at dëlirësinë e tij, por ajo gja mundet me kenë e damshme, shum e damshme nëse ndokush mundohet panatyrshëm me e stërzgjatë! Nuk bân me u stërzgjatë ajo dëlirësi! Kur Holdeni puth vajzuken, Dejzi, fill e ndjen se e humbi at pafajësi! Asht magjike Puthja e Parë, por duhet me pranue se magjia humb për me ta dhanë at puthje! Si shumica e gjanava magjike në jetë, edhe ajo nuk mundet me zgjatë… Sepse edhe knaqsitë, njisoj si përsosmënia, gjenden vetëm në faza kalimtare.