Fiddler on the Roof — Qemanxhiu mbi çati ose Violinisti mbi kulm — asht nji nga mjuziklet ma të famshme të teatrit amerikan Broadway. Nji dramë e hatashme që gërsheton humorin, kulturën, dhe historitë e dhimbshme njerëzore, Qemanxhiu përshkrun përpjekjet e jahudijve në fshatnat e Rusisë cariste me i rujtë traditat e veta, tue e përqafu njikohsisht jetën moderne dhe tue i ba ballë përndjekjes.
Mjuziklin Fidder on the Roof e kanë lujtë në skenë për herë të parë më 1964, kurse më 1971 e kanë ba dhe film — dhe kryesisht e kanë xhiru në Kroaci. Dramën e ka shkru Joseph Steini, tekstet e kangëve Sheldon Harnicku, e muzikën Jerry Bocku. Por i tanë tregimi mbështetet në përrallat që shkrimtari Sholom Alejhem i shkroi jidisht, në gjuhën gjermanike të jahudijve, dhe i botoi rreth ndërrimit të shekujve XIX-XX.
Qe shqip ma poshtë skena hapëse e mjuziklit, ndërthurë me kangën “Traditions” (Traditat). Shqiptarët që e kqyrin deri në fund Qemanxhiun zbulojnë pashmangshëm nji histori shum të ngjashme me ate të popullit tonë.
Reb Tevja: Qemanxhi mbi çati… Duhet me qenë i trent, jo? Por këtu, në katundin tonë të vogël t’Anatevkës, mundesh me thanë, secili prej nesh asht violinist mbi kulm. E po mundohet me i ra nji melodie të lehtë e të kandshme, pa e thy qafën. Nuk asht leht.
Mundesh me vetë, pse rrijmë këha nalt mbi pullaz në qoftë qaq rrezik? Epo, rrijna se Anatevka asht shpia jonë. E qysh e mbajmë baraspeshën pa u rrëzu? Këtâ jau kallxoj me nji fjalë! Tradita!
Kori:
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Reb Tevja: Falë traditave tona, na e kemi mbajtë baraspeshën që shum e shum vjet. Këtu n’Anatevkë, kena tradita për gjithçka. Qysh me fjetë. Qysh me hangër. Qysh me punu. Qysh m’u veshë. Për shembull, gjith e mbajna kryet mluet, e gjithmonë e veshim kahnji harrën të lutjeve. Kjo e tregon devotshmëninë tonë ndaj Perendie.
Mundesh me vetë, qysh ia ka nisë kjo traditë? Qe të kallxoj. Nuk e dij. Por asht traditë. E falë traditave tona, secilli e din se kush asht e çka pret Perendia prej tij.
Burrat (këndojnë):
Kush nat’ e dit’ duhet me rangu për idare
me ushqy gruen e fmijt
e përdit me u falë-e?
Kush ka të drejtë me qenë zot i shpisë
me thanë fjalën e mbramë në votër?
Kori:
Baba
Baba
Tradita
Baba
Baba
Tradita
Gratë (këndojnë):
Kush duhet me dijtë qysh me mbajtë shpinë
ftilluet krejt?
kosher krejt?
Kush m’i rritë fmijt e me rujtë pasuninë
që Baba me mujtë me lexu Librin e Shejtë?
Kori:
Nana
Nana
Tradita
Nana
Nana
Tradita
Djemtë (këndojnë):
Tri vjeç më kanë çu në mejtep të hebraishtes
10 vjeç kam mësu zanat
Niva që tash më kanë zanë nuse
p’e du
njâ të bukur
Vajzat (këndojnë):
E kend e mëson kjo Nanë
Me la, me arnu, me ndreqë?
Tue e ba gati m’e marrë
qat burrë që Baba ia zgjedh?
Kori:
Çikat
Çikat
Tradita
Baba
Nana
Djemt
Çikat
Tradita
Reb Tevja: E në katundin tonë të vogël, gjith i kena pasë këta të veçantit. Për shembull, Jenten, mësitneshën.
Jentja: Avram, Avram. T’ia kam gjetë djalit ‘i çikë. Dukat çikë!
Avrami: Hë Jente! Kân ashtu?
Jentja: Rahelin, të bijën e këpucëtarit.
Avrami: Rahelin?! Po ajo menzi sheh, asht gati krejt qorrkë.
Jentja: Fole të vërtetën, Avram. Mos ka ça sheh në djalë tandin? Ajo qysh sheh, e ky qysh doket, Perendia i ka përpjekë.
Reb Tevja: Reb Nahumin, lypësin.
Nahumi: Sadakë për fukaranë, sadakë…
Reb Tevja: Qe nji kopek, Reb Nahum.
Nahumi: Qysh veç nji kopek? Javën e kalueme m’i dhe dy kopekë.
Reb Tevja: Po i kam pasë punët ligsht qët javë.
Nahumi: N’i paç ti punët ligsht, pse duhet me hjekë unë?
Reb Tevja: Dhe, ma të randësishmin prej krejtve, rabinin tonë të dashtun.
Leibeshi (rabinit): Rabin, rabin, a muj me ta ba nji pyetje?
Rabini: Qysh jo, biri jem.
Leibeshi: A ka ndoj uratë të caktueme… për Carin?
Rabini: Uratë për Carin? Po more!
E bekoftë Perendia Carin e na e mbajtë sa ma larg nesh!
Kori:
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai dai
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai
Dai dai dai dai dai
Reb Tevja: Pastaj janë këta tjerët në katund tonin. Këta janë shum ma shum se na. Na s’i ngucim, e dej tash, as këta s’na kanë ngucë ne.
E mes veti, na gjith e çojna qysh asht ma së miri. Nejse, njiherë ia pat shitë qëky njanin nji kali. E i ka pas thanë që i ka gjashtë vjet, a i ka pasë 12. Po tash â harru ajo punë. E krejt rrnojna në paqe e rahati.
Reb Tevja (në vesh njanit): 12 i ka pasë bre.
Njani: I ka pasë gjashtë!
Tjetri: Tevja e din. 12.
Nja tjetër: Qysh e din ti?
Gjysma e turmës: 6.
Gjysma tjetër: 12.
Gjysma e turmës: 6.
Gjysma tjetër: 12.
Kori:
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Tradita
Dai dai
Dai dai dai
Dai dai dai dum
Reb Tevja: Tradita, traditat! Po pa traditat tona, jeta jonë kish me qenë e luhatshme si… si qemanxhija mbi çati!
Burimi i imazhit: Chichester Festival Theatre (reklamë).
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/2g5nmpX