Shtetasit e huej — që rëndom i bjen shqiptarët e Maqedonisë, Shqipnisë Londinare, Malit të Zi, ja Luginës së Preshevës — nuk mujnë me hy në provim të jurisprudencës në Kosovë. Kët provim duhet me dhanë për me u ba avokat te na.
Do jurista kosovarë po kqyrin këto ditë me e ndryshu ligjin për provimin. Por ndryshimet ish dashtë edhe me heqë kushtin e shtetsisë. Ky kusht i diskriminon pa të drejtë dhe ua mohon kafshatën e gojës juristave t’aftë që jetojnë prej vitesh në Kosovë, janë njerëz të ndershëm e puntorë, dhe i përmbushin kushtet tjera me hy në provim, por nuk kanë pasaportë me gjashtë yje.
Vetëm n’Universitetin e Prishtinës, 76 jokosovarë kanë studiu drejtësinë gjatë vitit akademik 2017–2018: 55 kanë qenë nga Lugina e Preshevës, 12 nga Mali i Zi, e të tjerët nga Shqipnia e Maqedonia. Me fitu shtetsinë e Kosovës nuk asht lehtë. Parimisht duhet me pritë nja 5 vjet, por ka shumë shqiptarë që kanë kalu dekada pa i ndreqë letrat në tokën e tyne.
Kushtetuta jonë e garanton të drejtën e barazisë dhe të mbrojtjes nga diskriminimi. Kët të drejtë themelore e njohin dhe instrumentet ndërkombtare për të drejtat e njeriut, që në Kosovë vlejnë ma shum se ligjet e Kuvendit.
Ligji mundet me i kufizu të drejtat themelore, por vetëm për qaq sa asht e domosdoshme me mbërri nji qëllim që e lejon Kushtetuta. Kushti i shtetsisë për provimin e jurisprudencës nuk i shërben kurrfarë qëllimi pos me pengu konkurrencën e lirë.
Avokatët vërtet kryjnë detyra të randësishme publike, por këto mund t’i kryjë dejsisht edhe nji joqytetar. Gjykata ma e naltë n’Amerikë, bjen fjala, e dallon punën e avokatit prej përgjegjsive të nji nëpunësi që vendos për politika qeveritare ose i besohen msheftësi shtetnore. Andaj s’ka arsye me e kufizu profesionin e avokatit vetëm për shtetasit.
Disa vende të kontinentit tonë njimend kërkojnë shtetsinë, por detyrohen të pranojnë edhe shtetasit nga Bashkimi Evropian ose Zona Ekonomike Evropiane. Ne nuk përfitojmë nga masat e tilla.
Kosova duhet t’ia bajë si ShBA-ja, që nuk e ka shtetsinë si kusht për provim. Qebesa, Dardania jonë tashma i lejon shum të huej me punu si avokatë, prokurorë, e gjyqtarë (kujtoje Eulexin, për shembull, ose avokatët evropianë e amerikanë në do raste të profilit të naltë). Veç nuk i len joshtetasit me hy në provim të jurisprudencës.
Me kët kufizim, shteti ynë po i damton jo vetëm individët që s’mund t’i nënshtrohen provimit, por edhe t’ardhmen tonë në përgjithsi. Po e len pa njerëz nji fushë të sfidueme si drejtësia, kurse njerzit që banojnë këtu po rrezikon me i përzanë krejt tue ua vështirsu jetën e tue ua mohu profesionin.
Na nuk kemi leverdi me i mbyllë sytë para diskriminimit!
Për ma tepër, shih studimin krahasues në gjuhën angleze: «Barring Aliens from Taking the Bar: Discrimination in Europe’s Legal Profession».
(përditësu 3.9.2019)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/2jQUSS7