Drejt Evropës

Ilir Seci në punë, në hekurudhën britanike (fundvitet 90)
Ilir Seci në punë, në hekurudhën britanike (fundvitet 90)

Tanë brezi jem e mbajnë mend sa e patëm andërrue udhëtimin e parë për në Evropën Perëndimore, nji andërr jona e hershme dhe përvëluese — nji andërr e shumicës së rinisë shqiptare të atyne viteve të diktaturës, që mbas nji gjysë shekulli izolim donte me aq dëshirë me pa njiherë Perëndimin!

Perëndimin, botën e mveshun me lloj-lloj misteresh për ne Shqiptarët e ngujuem… Perëndimin që na shqiptarët e izoluem të «Fanarit Ndriçues» e parafëtyronim si nji Hollivud të dubluem italisht, si filmat amerikanë që jepte Rai. Atë andërr e ushqente asokohe në msheftësi secili prej nesh.

Me ikë pa vizë, me u arratisë nuk u bana mbarë asnjiherë, nuk më qilloi me qenë aty kur ndodhi eksodi i marsit ’91, as mâ para nuk qillova në Tiranë në korrik ’90 kur u mësynë ambasadat… Kalimin e rrezikshëm të kufinit nën breshninë e plumbave të kufitarëve të Enverit e pata mendue gjithëherë si mundsinë mâ të mbrame.

Mbasandej ndodhën ndryshimet e viteve ’90 në të cilat u përfshiva vrullshëm. Në atë kohë lindën dhe shpresat se ma në fund kishte me u ba mbarë edhe në vendin tem! Me ato shpresa u ushqeva deri në vitin e mbrapshtë 1997, kur rrethanat jetësore më shtërnguen me konsiderue udhën e emigrimit «Drejt Evropës!». Njashtu si ka kenë sllogani aq i njoftun ne Shqipni në vitet ’90: «Drejt Evropës!»

Asisoji unë studenti i Dhjetorit ’90, studenti që me ashkun e shpirtit kishte thirrë shesheve: «E duam Shqipërinë si gjithë Evropa», u shtërngova me u nisë drejt njasaj Evrope aq të andërrueme tue, kapërcye kusarisht detin, natën, njisoj si shumica e bashkëkombësve të mi, me Lundër!

Rrugë tjetër s’më mbeti dhe mbasi mujta me sigurue paret borxh për me marrë edhe atë udhë, nji mbramje fundqershori, e lashë Atdheun pa pasë as mundësi lamtumire, pa pasun as mundësi përmallimi, sepse kisha do halle tjera mâ të medha qe me peshën e tyne më banin me harrue çdo gja tjetër:

Athue po mund kaloj detin?!

Athue po shpëtoj pa më ndalë karabinierët!?

Me kalue e mos me u kthye mbrapsht?!

Se kush e bân prapë atë rrugë!?

Kur njeri ikën në atë mënyrë s’ka fort gajle përmallimesh romantike sepse romantizmi asht komoditet për udhetimet me avion, me traget, me tren, me autobus, kur mbahet bileta në xhep e rrugëton si zotni. Atë fat nuk e pata unë kur lashë Atdheun. Ika natën me lundër.

Fati e deshi me mbërri shëndosh e mirë në Bari, duke kalue pa problem detin. Ndejta disa ditë aty afër Barit tek njerëzit e mi deri sa vazhdova ma përtej udhën, me tren, nga Bari në Milano.

Pikësynimi: Anglia!

Ndala do ditë në Milano dhe Komo deri sa gjeta lidhjet me vazhdue ma tutje në udhen teme «Drejt Evropës». Tanë ato ditë në Itali jam kënaqë. Dashamirësinë dhe mikpritjen e të afërmve të mi në Kasano-dele-Murxhe dhe në Komo s’kam me ua harrue kurrë përjetë! U kënaqa ani pse isha drumtar, pa vizë e në pikë të hallit. Mendojshe se mbasi e pata kalue detin Adriatik kisha lanë mbrapa pjesën ma të veshtirë të udhes teme.

Pak gja kisha pas ditë!

Prej Milanos, me autobus u nisa për në Val D’Aosta, prej ka mujshe me kalue kufinin për Francë. Udha mori nja dy orë e gjysë me ndalesa. Qe nji udhëtim magjik, sepse nga dritarja e busit mujshe me kundrue magjinë e Italisë veriore me Alpet madhështore. Mbërritëm në Aosta, dhe mbasditen e vonë, bashkë me tre bashkëkombas të mi, u nisëm me kalue kufinin për Francë. Kaluem mbasi u ngjitëm do orë të mira nëpër nji peisazh përrallor, mes pyjeve dhe livadheve të Mont-Blanit, në të dy shpatijet, hisen italiane edhe ate franceze.

Kufini në Mont-Blan na patën thanë se kalohej mâ lehtë nga posta dimnore, pse verës atje nuk ka kufitarë. Aty ishte edhe pika mâ e naltë që e kam ngjitë ndonjihere deri më sot. Në nji gur shenjues shkruhej 3437 metra! Gjithkund kishte vetëm shkurre alpine që rriten në naltësi të medha. Kishte shumë boronica. Pashë boronica me shumë se kudo tjetër.

Ndonëse droja e rojeve kufitare nuk më lente me i shijue i qetë ato pamje të rralla, unë prapë i falënderohem fatit që sado pak e pashë Mont-Blanin! Viset kufitare përgjatë Luginës së Aostës italiane e Burg-Sen-Morisit francez janë plot magji.

Dishroj me u kthye nji ditë dhe me i shëtitë ngeshëm!

Na u desh me ecë edhe do orë te mira për me zbrite nga kufini deri në Burg-Sen-Moris. Pranë këtij qyteti kufitar ndodhet vendi ku asht martirizue komandanti legjionar afrikan, komandanti me ngjyrë që në kohën e Romës nuk ndigjoi me masakrue besimtarët e kshtenë të Alpeve. Legjionari me ngjyre që nuk pranoi me vra të krishtenët u martirizue tue u ba i pari shenjtor me ngjyrë në Kishën Katolike. E njifsha këtë fakt që m’u kujtue tek kaloja andej pari.

Në mbramje vonë morëm nji tren që shkonte nga Burg-Sen-Morisi në Lion e mâ përtej deri në Paris. Treni udhëtonte natën. Udhëtarët vendas flejshin gjumë, ndërsa unë, nga sikleti i udhës, ndejta çuet gjithë natën e lume tue hamendësue fundin e asaj udhe që kisha marrë. Ishte verë. zbardhej dita shpejt, qysh në katër e gjysë të mjesit. Nga dritorja e trenit mujsha me pa fushat e pamata të Francës, pamje që me kujtonin «Të korrat në Arlë», të Van Gogut. Ishte fundi i qershorit, arat me grunë kishin nisë me marrë ngjyrën e artë, dhe ngjasonin me tablotë e famshme të mjeshtrit hollandez. Aty kah ora 7 e mjesit, treni mâ në fund mbërriti ne stacionin «Gare du Nord», Paris. Edhe pak e mbërrija në destinacion.

Mos me u zgjatë, në Paris u takova me pritësit, ata që kishin marrë përsipër me më përcjellë për Angli. Pritësat më thanë se në mbramje kisha me u nisë me ta për në Kalé, me veturën e tyre, mbasi nga na të tre vetëm unë isha për Angli; dy tjerët mësynë Belgjikën. E lamë me u takue në mbramje kah ora 8 po te ajo kafe ku ndejtëm shkurt.

Dola me pa Parisin, qytetin që kisha andërrue me e pa qysh se fëmi, kur kishe lexue Dymanë, Hygoin dhe Balzakun. Eca e eca pa u lodhë, sa munda deri sa erdhi koha me u largue.

Kah mbramja takova shoqnuesit dhe u nisëm për Kale. Vetëm unë dhe dy përcjellësit e mi. Mbas disa orësh udhe me makinë, mbërritëm në rrethinat e Kalesë. Aty ndaluem te nji parking kamionash të randë që gjindej dikund mes fushës së shkretë. Shoqnuesit më thanë që unë duhej të mshehesha në nji zabel afër parkingut dhe të pritsha deri rreth mjesit kur do të flejshin shoferët anglezë për me mujtë me hy tinëz në maune!

Asnjiherë sa të jem gjallë nuk kam me e harrue atë natë kur m’u desh me u mshehë si hajn në nji korije në periferi të Kalesë. Zot o Zot! Çfarë nate! Shoqnuesit më thanë: «Ilir shko e mshehu aty të ajo korija».

Ashtu bana, por nja nji orë mbasi ikën shoqnuesit, erdhi duke më zanë nji kompleks i çuditshëm shqetësimi. Çka po bajsha aty, vëlla, unë? Çka dojshe aty në atë orë të natës!? Qyqe vetëm mes nji fushe të shkretë në Kale, pa vizë, pa letra, pa e ditë askush në botë se isha aty. Nji numër — çfarë numri, vëlla — nji zero në hapsinën e nji bregdeti! Erdhi tue më zanë ajo gja se edhe kohë kisha boll.

Çka lypsha unë emigranti ilegal në atë fushë të Francës!?

Çka marren teme lypshe unë qyqe vetëm mes fushës së Kalesë, pa e ditë me kand kishe të baj? Pa e ditë kujt ja kishe besue jetën teme!?

Çka baj unë këtu mshefun në nji zabel francez, duke prite me hy vjedhurazi në një maune angleze e me dalë matanë!?

Mëdyshja nisi me më marrë terren në stomak, ku do flutura ankthi m’u shtuen dhe nisën me fluturue rreth dritës së panikut. Mbas pak, nji si angushti më kaploi zemrën, dhe ndjerse të ftofta si në ballin e të vdekunit mâ mbuluen fëtyrën. As i ndiejsha fare ato ndjersë!? Rrëkneheshin ballit si bubrreca, të ftofta e të hueja sikur nuk vinin prej ballit tem!

Ndjeva nji nevojë të domosdoshme me ikë prej vendit ku më kishin thanë me u mshehë ata dy shoqnuesit. Sa ndërrova vend, dhe dola në nji korije tjetër pak mâ përtej në shpatin përballë, gjithshka u fashit. As ndjersë, as flutura në stomak… Rashë në paqe!

Mendjen nuk mujsha me e hjekë prej atij ankthi që përjetova derisa ndërrova vend. Kurrë në jetë se kishe provue atë ndjesi! As e kishe provue atë ndjesi para as e kam provue mâ mbrapa asnjiherë!

Shumë e habitshme!

Aty rreth orës 2 të mjesit me rrejti gjumi, e rashë dekun në gjumë. Mbas nja nji ore, ndoshta dikund nga ora 3 e mjesit, ashtu marrakotun — në nji makth má shumë se gjumë — jam zgjue vrik se ndigjova do zana njerëzish që flitshin rusisht!?

E njifsha atë gjuhë. Po kërkonin diçka!? Grupe rivale trafikantësh, mendova me veti, edhe pse më alarmuen tek kontrollonin vendin pëllambë për pëllambë. Me elektrikë dore dhe shkopij, rusët këqyrën edhe te skuta ku më patën thanë shoqnuesit e mi me u mshefë!

Floket m’u ngritën përpjetë!

Çfarë kërkonin rusët në nji parking në periferi të Kalesë së Francës!? Pa pasë shumë kohë me hamendësue, ndigjova klithmat e nja tre arabeve që i gjetën ndër ferra… Arabë, të paktën ashtu më tingëlluen nga e foluna, mbasi ata në gjuhen e tyne fort ngulmuen mos me shkue me rusët në makina. Rusët ishin nja nandë veta se kishin ardhe me tri vetura. I përlanë algjerianët e shkretë, duke i kapë nga kambët e duert i rrasën në makina të tre! Për 30 sekonda u zhdukën.

Kah ora 4 e mjesit, erdhën shoqnuesit e mi. Më thirren te vendi ku më paten thanë me u mshehë, e mbasi pashë edhe tjerë njerëz me ta, dola. U mshehëm tetë veta në nji maune, dhe mbas nji copë udhe, dolëm në Angli, dikund në periferitë e Londrës.

***

Nji nadje heret, nja gjashtë muej mbasi kisha hy në Angli, po merrsha trenin me shkue në punë, Victoria LineSeven Sisters, në kryeqytetin britanik. Si përditë, e rroka gazetën Metro, që e shpërndanin falas në metronë e Londrës. E merrsha çdoherë, jo pse ishte pa pare, por se ishte gazetë e mirë, mjaft e pasun me informacione. Ate dite lajmi në faqen e parë më shtangu:

ARRESTOHET NJË RRJET RUSËSH QË RRËMBENIN EMIGRANTË ILEGALË PËR TRAFIK ORGANESH NË CALAIS, FRANCË

Artikulli hollësisht tregonte se si nji rrjet trafikantësh rusë, për dy vjet, gjuenin pikërisht parkingjet e kamionëve për Angli dhe rrëmbenin emigrantë ilegalë! Emigratët ilegalë ishin pre e lehtë. Askush nuk e dinte që ishin aty — asnji dëshmi, asnji provë me kallëzue që ata kishin kalue asajt! Duke e lexue atë artikull, ndjeva që me rrëshqitën në fëtyrë e qafë po ato sumbullat e ndjersës si atë natë në Kale. Njisoj si ato ndjersë të ftofta që si bubrreca vargojshin qafës as pa e ditë nga vijshin.

Kisha shpëtue për nji fije atë natë qershori…

Nga Ilir Seci

I diplomuem për gjuhë e letërsi në Shkodër, Iliri ka qenë gazetar i Rilindjes së Prishtinës kur dilte në Tiranë. Sot asht mërgimtar i yni në Nju-Jork, ku merret me biznes dhe shkruen për shqiptarinë.