Më 7 mars 1887, atdhetarët shqiptarë hapën Mësonjëtoren e Korçës – të parën shkollë shekullare e të pasegreguar në Shqipëri dhe në Perandorinë Osmane, shtetin që asokohe shtrihej në tri kontinente. 35 nxënës të feve dhe shtresave të ndryshme shoqërore ndoqën mësimin në gjuhën e tyre amtare shqipe.
Kjo qe arritje e madhe për Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe për liberalët shekullarë në Perandorinë Osmane.
Qeveria osmane nuk njihte bashkësitë kombëtare e gjuhësore; njihte vetëm ngrehinat fetare dhe gjuhët që përdornin ato. Meqë shqiptarët nuk kishin një religjion të përbashkët ose një kishë kombëtare, atyre nuk u lejohej arsimi në gjuhë të veten – përjashto pak shkolla katolike në disa vise, që po ashtu përndiqeshin nga regjimi. Gjatë shekujve të sundimit osman në Shqipëri, librat shqip qenë të ndaluar, dhe botimet në gjuhën tonë shtypeshin jashtë vendit, ndër mërgimtarët e kohës.
Rrjedha e historisë mori kahun e mbarë kur një dijetar e poet shqiptar, me emrin e përndritur Naim H. Frashëri, u bë zyrtar i lartë i arsimit në qeverinë osmane dhe nënshkroi lejen për shkollën e parë shekullare shqipe në Korçë. Mësonjëtorja u hap më 7 mars, ditën që vendet shqiptare tani e shënojnë si Dita e Mësuesit.
Naimi në vargje uroi qytetin përparimtar, që u bë nikoqir i dijes:
O vëllezër shqipëtarë,
gëzohi që erth kjo ditë
kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
që sjell gjithë mirësitë!
Kjo është një dit’e rezë,
që bie vëllazërinë
e dëbon jetën e zezë
dhe ndarjen e marrëzinë.
[…]
Lumja ti, moj Korç’ o lule,
q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’ u sule,
ta paçim përjetë hua!
Mësonjëtorja e Korçës la gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë e vetvetësinë tonë kombëtare. Por dyert e saj nuk ndenjën hapur gjatë. Autoritetet osmane shpejt rinisën shtypjen ndaj arsimit shqiptar. Shkolla u mbyll dhe drejtuesit e saj u burgosën ose u vranë.
Kundër tyre u vunë njëherësh kishat ortodokse të vendeve fqinje, që vijojnë edhe sot të kundërshtojnë kombin tonë. Kisha ortodokse greke, në veçanti, mallkoi gjuhën shqipe si gjuhë djallëzore, në përpjekjet e saj për t’i asimilu shqiptarët dhe për t’i zgjeru kufijtë e Greqisë.
Nacionalistët osmanë, në anën tjetër, u përpoqën me i tretë shqiptarët myslimanë përmes shkollave turke. «Shqipja […] do të harrohet tërësisht për 20 vjet», shkrunte intelektuali kinse-intelektual Namık Kemal në shekullin XIX.
Por shqipja nuk u harru. Ajo u rrit e fuqizu, duke u bërë forca shtytëse drejt pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Dhe sërish, pasi Shqipëria u copëtu më 1913, gjuha mbajti të pandarë shpirtin e kombit, përkundër kufijve që vendosën fuqitë e huaja.
Orvatjet me zhdukë gjuhën shqipe dhe kombin shqiptar nuk morën fund gjatë shekullit XX. Serbia doli në ballë të mujshive që mbyllin shkollat shqipe dhe shfryjnë me barbari mbi popullin shqiptar. Sot Beogradi përndjek shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke u ndalu librat shkollorë klasëve të para dhe duke ua mohu diplomat universitare shqiptarëve që kanë studiu shqip në Kosovë.
Por historia na ka dëshmu sërish, dhe populli shqiptar e din mirë, se gjuha jonë do të gjallojë. Dhe ne s’bën me heqë dorë prej saj! Gëzuar 7 Marsin.
(Foto: Nëntor Oseku, licencë CC BY-SA 4.0, https://bit.ly/30mBBKw)
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/3qmq1Kc