«Shqiptar, sa mirë që po i mbështet gratë», lexoj. «Shqiptar, sa debulesë i ke femrat.» Hrm. Jam mirënjohës për këto bindje të mira rreth meje, por ndihem pak i keqkuptuar, ta them të drejtën. Ndoshta nuk kam qenë sa duhet i qartë. Që thua ti, bindjet e mia unë s’i kam për hir të dikujt tjetër.
Unë këto bindje i kam, për hir timin personal. Si njeri, si burrë, si prind, unë po përpiqem të distancohem nga një fenomen, të cilin pasardhësit tanë do ta quajnë barbar, ashtu siç e quajmë ne ndasinë tonë fisnore të para dy shekujve. Dhe natyrisht, po mundohem të marr përgjegjësinë time si prind, ashtu që fëmijët e mi të mos rriten në një botë ku gjindja i çnjerëzojnë. Sepse objektifikimi i vajzave dhe grave ashtu quhet, dehumanizim.
Falë këtij çnjerëzimi sistematik, djem e vajza ndahen veçmas qysh në djepa, për të ushtruar role të ndryshme sociale gjatë tërë jetës, gjersa të vdesin. Falë këtij çnjerëzimi, unë dhe shumica e tjerëve në brezim tim u rritëm pa na mbajtur kurrë baballarët tanë në prehër, pa na thënë ata kurrë “Të dua”, sepse kjo sjellje – kaq e natyrshme, e dhembshur, thellësisht njerëzore – nuk i shkonte «burrit», qenies së çnjerëzuar nga patriarkati. Falë këtij çnjerëzimi, miliona njerëz rriten me privacion emocional, që shkakton shtrembërime karakteri, ashpërsi mendimesh, egërsi sjelljesh. Falë këtij çnjerëzimi, ne i ushtrojmë fëmijët tanë që në vegjëli për ta pranuar si «të natyrshme» hierarkinë mes gjinive, fenomenin më handikapues, më të padrejtë, e më të padenjë të qytetërimit të sotëm. Tavani i gjysmës prej nesh është dyshemeja e gjysmës tjetër, në shek XXI, shkaku i këtij çnjerëzimi.
Nuk e them për retorikë, por e kam përnjëmend. Unë për vete do të bëj gjithçka që është njerëzisht e mundur, në mënyrë që ndasinë gjinore ta flak nga jeta ime në kosh të plehrave, aty ku e ka vendin. Kêshtu mund të bësh edhe ti. Kjo hierarki nuk është e natyrshme, është konstrukt social. Njeriu e ka krijuar. Njeriu e mban gjallë. Njeriu edhe mund ta zhduk, nëse vendosim ashtu bashkarisht.
Hapi i parë, sidomos për ne që jemi burra, është të reshtim së thëni «ky nuk është problemi im». Si s’qenka ky problemi im?! Në ç’univers s’qenka ky problemi im?!
Ky është që ç’ke me të problemi im. Si njeri, si humanist, e si prind i ndërgjegjshëm i fëmijëve të mi, është absolutisht problem për mua nëse mjedisi ku rroj unë, ku rriten fëmijët e mi, legjitimon çnjerëzimin. E si burrë, pra si pjesëtar i gjinisë së privilegjuar, ky bëhet problemi im, në çdo mënyrë të imagjinueshme.
Jeta mua më ka dhënë plot kujtime të liga. Por jeta poashtu më ka buzëqeshur shpesh herë. Fëmijët e mi janë ndër buzëqeshjet më të bukura të fatit tim. Dhe unë jam kujdesur që të mos e përsëris gabimin e tim eti. Trashëgimia ime e ligë do të marrë fund me mua, do ta marr me vete në varr – ky ishte betimi që i dhashë vetes që ditën kur doli në dritë fëmija im i parë.
Rrjedhimisht, unë kam ndihmuar në lindjen e secilit prej fëmijëve të mi. Pastaj, kam zgjedhur që të dy herët t’u përkushtohem si prind me orar të plotë, sepse kam marrë fiks gjysmën e pushimit prindor. Jam zgjuar natën të dy herët. Kam ndërruar cule. Kam ushqyer gojë të vogla. Kam përkundur tërë natën. Kam larë rroba, pse jo, dashuria për fëmijën tënd banon në koshin e rrobave të palara. Dhe kur kanë nisur të rriten, oh po, aty kam ndjerë andjen e pakrahasueshme që ia ofron njeriut mbajtja në prehër të fëmijës së vet. Atë andje që iu mohua mjerisht babait tim, nga edukata e rregullat e ashpra të patriarkatit shqiptar.
Këto përjetime, që ma kanë pasuruar jetën pakrahasueshëm, kjo lidhje e ngushtë që e gëzoj unë me fëmijët e mi, do të kishin qenë të pamundshme, po ta kisha lejuar historinë time të luajë me mua si me një marionetë. Por ja që nuk e lashë. Ja që ia preva penjtë me gërshërë, trak.
Kështu mund të bësh edhe ti, nëse do. Kështu *duhet* të bësh edhe ti. Mos i përtall vajzat e gratë që s’duan të jenë më kukulla, që duan t’i prejnë me gërshërë penjtë e historisë që luan me ne. Ndihmoju, më mirë. Prej penjtë tua, në radhë të parë. Ndihmo shokët tu, t’i prejnë, të çlirohen. Dhe trego pak respekt e admirim për vajzat e gratë që bëjnë të njëjtën gjë, sepse historia i lidh ato me penj më të fortë.
Respekt!
(postuar në Facebook më 25 nëntor 2014)
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=294