Obituar: Akademik Besim Bokshi (1932–2014)



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Akademik Besim Bokshi (1930–2014) — Poet dhe gjuhtar shqiptar, Kryetar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, deputet në Kuvendin e Republikës. Kolegët dhe studentët e kujtojnë për burrë të mirë dhe studiues të thellë, që la gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e gjuhës shqipe.

Le në Gjakovë mes dy luftave botërore, Akademik Bokshi qe ndër të paktët shqiptarë të Dardanisë që në atë kohë patën fatin të shkollohen në gjuhën amtare. Për t’i ikë përndjekjes nga pushtuesi jugosllav, familja e tij u strehua për gati një dekadë në Shqipërinë Londinare. Poeti dhe gjuhtari gjakovar ndoqi mësimet në rrethin e Vlorës dhe në Tiranë para se të kthehej në Dardani më 1945.

Ishte kjo koha kur shqiptarët po prisnin ende ribashkimin e trojeve të tyre në një shtet. Por më 1948, regjimi komunist në Tiranë prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke e rikthy kufirin e vjetër famëkeq. Besim Bokshi studioi në katedrën e albanologjisë në Universitetin e Beogradit e më pas punoi si mësimdhënës e drejtor gjimnazi dhe profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në vendlindje.

Më 1966, Prof. Bokshi mbrojti punimin e doktoraturës në Prishtinë – në ngrehimin që më vonë u ngrit në universitet dhe ku akademiku ynë ligjeroi mbi gjuhën shqipe. Më 1972, u rikthye përkohësisht në Shqipërinë Londinare, si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit, ndërkohë që vazhdoi punën kërkimore për gjuhën për dekada me radhë.

Ndër veprat më të çmueshme të studiuesit Bokshi janë punimet për historinë e shqipes, lakimin e emrave, nyjet në gjuhët ballkanike, pjesoren e foljes, si dhe përemrat e gjuhës sonë. Botoi gjithashtu dy vëllime me poezi, Në pritje dhe Hije të këputura.

Në sajë të ndihmesës së tij për shkencën albanologjike, Prof. Bokshi mori titullin akademik më 1991, kur u pranua si antar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në një kohë të vështirë për vendin, u angazhua edhe në përpjekjet popullore për ndërtimin e shtetit të Dardanisë dhe u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës. Shërbeu më pas si nënkryetar dhe – mes viteve 2009 e 2011 – si kryetar i Akademisë.

Pas një beteje të guximshme me një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë më 16 gusht 2014.



Komente & ndërlidhje

  1. Ngushllime familjes, miqve, bashkëpuntorëve dhe dashamirëve të Akademik Besim Bokshit.