Obituar: Ismail Kadare (1936–2024)



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Ismail Kadare (1936–2024) lartësoi letërsinë shqipe me veprën që u përkthy në 45 gjuhë. Si rrallëkush, la të skalitur «Kronikë në gur».

E shquj këtë roman për dy arsye. Së pari, e përshkrun madhështisht qytetin e Gjirokastrës, lashtësinë e Shqipërisë dhe hjekat e popullit tonë. Së dyti, flet me zërin e padjallëzuar të fëmijës, që dëfton atë që sheh dhe mëson prej rrethit. Kur Ismaili i vogël, që s’e cek askund emrin e tij, flet për ballistët, ai s’e shfaq mendimin e tij; e thotë atë që ia thonë të tjerët.

Te protagonisti nuk ka dinakëri. Nejse, është ajo skena me Suzanën. Përqafimet e dy fëmijëve ishin me zgjedhjen e tyre, jo aq larg syrit të të rriturve. Suzanës s’i mungonte kujdesi e mbikëqyrja prindërore. Atë fat nuk e kishte Shqipëria, të cilën e shkelte cilado fuqi e huaj që i tekej.

Ato që Ismaili shihte e dëgjonte s’ishin krejt mësime virtyti e prajshmërie. Por ishin dredhitë që i bën një popull i zgjuar për të mos u dorëzu shpirtërisht para një pushtuesi të egër. Fundja, kush s’do dilte me e pritë buzagaz sekretarin e Partisë Fashiste dhe me ia thirrë me loçkë zemre emrin… e ka thanë Kadareja, po e them edhe unë: «[Ettore] Muti, Muti, Muti…»!

Këtë roman e pata këndu për herë të parë në fëmijëni. Në bibliotekën e shtëpisë e kam origjinalin shqip, dhe përkthimet anglisht, frëngjisht e spanjisht:

  • Ismail Kadare, Kronikë në gur
  • Ismail Kadare, Chronicle in Stone
  • Ismaïl Kadaré, La chronique de la ville de pierre
  • Ismail Kadaré, Crónica de piedra

Titulli i mbramë rri përbri veprës së nobelistit guatemalas Miguel Ángel Asturias. Kadareja ynë, qebesa, e pat fitu çmimin e Princit të Asturias, princit të kurorës spanjolle.

Me romanet si «Krushqit janë ngrirë» dhe «Tri këngë zie për Kosovën», Kadareja u dha zemër shqiptarëve në përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Dardanisë. Më 2023, kryetarja e Republikës i dha Kadaresë shtetësinë kosovare.