Vllahisht, jo sërbisht



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

«Televizioni lokal shqiptar jep lajmet në gjuhën serbe», thotë nji mjet njoftimi nga Prishtina.

Çifti i atij që e ka shkru kët lajm më shtin me mendu nganjiherë se nandë dekada nën Sërbi nuk kan qenë të mjaftueshme. Të më ndjejnë dëshmorët e dashamirët, por ndoshta Sërbia duhet me u kthy prap për të na mësu me e dallu të paktën gjuhën e gati 20 milion fqijve sërbë, kroatë, e boshnjakë.

Nji tëvë vendore në rrethin e Fierit paska nisë me dhanë lajme në gjuhën e vllehëve, të njohun edhe si xinxarë ose arumunë. Por përdalit tonë të lajmeve po i tingëlloka sërbisht. Qe sa dijnë ata që duhet me na dhanë mësim neve!

Të shkapërderdhun nëpër vendet ballkanike, vllehët jan pasaardhës të qytetarëve romakë dhe vendasve që në lashtësi përvetësuen gjuhën latine. Gjat mesjetës e deri në kohët e vona, jan marrë kryesisht me blegtori. Por, kan lujtë rol edhe në jetën qytetare e kulturore, sidomos në Voskopojë, qytet që kishte të vetmen shtypshkronjë në Shqipni në shek. XVIII.

Rrethi i Meçovës përgjat maleve të Pindit në Greqi asht rajoni me përqendrimin ma të madh të vllehëve sod. Më 1913, banorët e Pindit i patën dërgu letër kryetarit Ismail Qemali, tue shprehë vullnetin e tyne me u ba pjesë e shtetit shqiptar, që vllehisht e qujnë «Arbinishia».

Më 2011, u regjistruen 8.266 vllehë në Shqipninë Londinare, por vetëm 3.848 banorë e kan shpallë arumunishten gjuhë amtare. Si tjetër pasaardhëse e latinishtes së Ballkanit dhe motër e vllahishtes asht sod gjuha rumune.

Lajmin qe i botuem në kët adresë: http://www.telegrafi.com/lajme/televizioni-lokal-shqiptar-jep-lajmet-ne-gjuhen-serbe-video-78-14855.html