Gëzuar ditën e gjuhës amtare! Sigurisht me gjuhë amtare kuptojmë atë varietet që kemi nxënë të parin, arketipin tonë gjuhësor. Imi është e folmja e butë e Tiranës, nxënë si gjuhë amtare prej moma Fetit, të cilën dua ta kujtoj sot në këtë ditë se më ka dhënë leksionin e parë të Sociolinguistikës dhe ma ka dhënë në një kohë kur gjuhësia zyrtare ngulmonte në të kundërtën.
Po e kallxoj këtë leksion të saj.
Isha në klasë të dytë, diku nga viti 1978-79.
Erdha nga shkolla në shtëpi, u ndërrova, hoqa këpucët dhe vesha pupat e buta, hoqa pantallonat dhe vesha tutat, lava duart dhe u ula në tryezën e drekës. Moma me gjyshin ishin tu më pritë me dreku bashkë, si përherë.
“Si shkoi sot? – më tha moma. – Të vuni noi notë zojusha?”
Unë nisa me u përgjigjë, po për inerci nga orari i shkollës, po përdorja ende zyrtarishten (se letrarishte nuk e quaj dot). Heshtje! Moma Feti nuk po merrte më pjesë aktive në bisedë. Veçse pas pak, mbështeti pirunin në buzë të pjatës dhe më tha:
“Erdhe m’shpi e u rahatove; hoqe patallont e veshe tutat; hoqe kpucët e ftofta e veshe pupat e buta e të ngrofta. U rahatove vetë? Rahato edhe t’folmen. Vishi edhe asaj pupa e fol lirshëm si folet n’shpi se s’je në zyrë”.
Një dekadë e ca më vonë do mësoja teorikisht se ky “rehatim” i pashmangshëm për Sociolinguistikën quhej Dilalì dhe si proces ishte një Kthim Kodi (Switch Code).
Të gjitha dekadat në vijim do u kallxoja (e do t’u kallxoj përherë) studentëve të mi, përmes kësaj ndodhie të fminisë, se pedagogia ime e parë e Sociolinguistikës ka qenë gjyshja ime.
Të gjitha ditët e jetës, sa të kem mend e fuqi, do punoj që Shqipja të ketë edhe skarpina, edhe këpucë serioze, edhe çizme, edhe pupa të buta, edhe sandale edhe shapka me gisht. E po deshi, le të dalë edhe zbathur!
Gëzuar ditën e gjuhës së shpirtit!
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4908