Ky është lajm i mirë. Përfaqësuesi sërb në një nismë evropiane për Ballkanin i është drejtu znj. Atifete Jahjaga si kryetare e Republikës së Kosovës. Por t’ia lëshojmë një sy lajmit për një çështje tjetër.
Ky mund të mos jetë teksti me më së shumti gabime gjuhësore. Por unë e çela krejt rastësisht për me lexu, dhe syri më zuri shum fjalë e shprehje që unë do t’i shkruaja ndryshe. Natyrisht pati edhe gabime. Janë bë pjesë e pashmangshme e pothuajse çdo shkrimi në portalet tona.
Me të kuqe i kam shënu pjesët më shqetsuese. Me të portokalltë janë fjalët a shprehjet që unë do t’i shkruaja ndryshe. I kam zverdhë shprehjet që do të doja me i diskutu. Kurse me të kaltër kam shqu përdorimin e drejtë në raste ku mediat tona e kanë zakon të gabojnë. Vijat e ndërprera shenjojnë shkarjet logjike ose faktike.
Ta zbërthejmë (dmth. analizojmë) tekstin në hollsi, duke i komentu ngjyrat një nga një.
Me të kuqe
1. “Kryetari i Grupit të Komisionit Trelateral” — Lajmi po flet për një zyrtar të Sërbisë. Tu e ditë se është fjala për një shtet me huqe të mëdha, u detyrova me kërku në rrjet për Jovan Kovaçiqin. U zhgënjeva që gabimi logjik që nuk e shfajson krejtësisht gazetën tonë. Kovaçiqi qenka kreu i grupit sërb të një komisioni evropian.
Gjithashtu, “trelateral” është fjalë e huaja që s’e kuptojnë shumica dërmuese e popullatës te ne. Nuk kam bë matje, por po vë bast lirisht. Gjuha jonë ka fjalën e vet trepalësh.
2. “Liderë” është përhapë së tepërmi në gjuhën shqipe të viteve të fundit. U mata me e katrorësu me të portokalltë dhe me futë në mesin e fjalëve që sugjeroj – por nuk “urdhëroj” – me i zëvendësu. Por tu e kujtu se nga ka ardhë, nuk gjeta arsye për të mos ia mbajtë anën me këmbëngulësi skajëzave shqipe udhëheqës dhe prijës.
3. “George” jo, por Gjorge. Shqip, ashtu si në sllavishten e Maqedonisë, shkruhet e shqiptohet: Gjorge Ivanov. Punë e madhe, mund të thotë dikush. Por një gazete me nam nuk i ka hije t’ia huqë emrin një kreu të shtetit, sidomos të një vendi fqinj. Gazeta i ka shqipëru mirë emrat e udhëheqësve tjerë të rajonit, e nga i iku Ivanovi?
Këtë telash me siguri e shkaktoi burimi i lajmit, që me gjasë ishte i shkruar anglisht. Në qoftë ashtu, kujdes, sepse duke i ndjekë gjuhët e huaja mund të sharrojmë dhe më keq. Por anglishtja e sotme, dorën në zemër, rrallë i anglishtëson emrat e huaj. Me emrin e Ivanovit do kenë gabu prap Sërbia ose redaksia.
4. Presja e munguar — Ah, presja! Kam porositë para pak javësh, “Mos e harro qat presje.” (Shihe postimin, po deshe.) E kanë përdorë gati në tërë lajmin. Por këtu autorin do ta ketë habitë lidhëza “dhe.” Shqipja zakonisht nuk qet presje kur radhit një listë gjërash (p.sh., kuq, bardhë dhe gjelbër). Por në këtë rast nuk është gabim me vu presje, e qebesa duhet me vu.
5. “Bosnje e Hercegovinës” — Bosnja dhe Hercegovina janë dy treva të një vendi që shqip njihet si Bosnjë-Hercegovina. Rregullat e drejtshkrimit që portali mëton t’i zbatojë nuk lejojnë që ky emër të ndahet në dy pjesë. Po ashtu, Bosnjë shkruhet me ë në fund, jo me e.
Por edhe sikur t’i bënim lak rregullave (siç bëj qëllimisht unë, për shembull) dhe të shkruajmë Bosnje e Hercegovinë, dyemërshin nuk mund ta lakojmë vetëm pjesërisht. Andaj, kryesia e vendit padyshim se është kryesi e Bosnjë-Hercegovinës ose e Bosnjës dhe Hercegovinës. Të dy emrat atëherë lakohen veç e veç.
6. “Vet” — Këtë e kapa në ledhore (dmth. Margjina), në titullin e lajmi tjetër të botuar në portal. Por s’po e lë pa e përmendë, meqë paraqet një huqje të stërpërhapur. Dhe për fat të keq, gazetave iu përvidhet pa e vërejtë sepse nuk e kap dot drejtshkrimori i komputorit.
Qortuesi elektronik nënvizon vetëm fjalët që nuk gjenden në fjalor, por nuk i dikton dot gabimet tjera gramatikore. Kurse në gjuhën shqipe ka dy fjalë: vet dhe vetë. Por këto – ndonëse shqiptohet njëlloj në Dardani e në vise tjera shqiptare – dallojnë: i/e vet është përemër vetvetor dhe kur merr përpara nyjën i ose e shkruhet pa ë në fund; ndërsa si përemër përcaktues shkruhet vetë. Në këtë trajtë përdoret dhe si ndajfolje.
Titulli i gazetës nuk po flet për dikë që po ndreq “punën e vet,” por për dikë që po vepron vetë, pra po vepron pa i pritë të tjerët. Andaj duhet vetë e jo vet.
Me të portokalltë
1. “Konfirmuar” — Kujtoj se rrin mirë shqip edhe vërtetuar (ose më shkurt: vërtetu). Qe p.sh., confirmation nga anglishtja mund të përkthehet si vërtetim.
2. “Presidenti” — Pse jo kryetari? Edhe më shqip, edhe përkthim më me vend i fjalës sllave predsednik.
3. “Republikës Serbe të Bosnjës” — Krejt e njohim si Republika Sërpska. S’po di a kryen punë shqipërimi. Ka disa fjalë që më mirë mbeten sërbisht. Qe për shembull, vishak. Me përkthy fjalshëm domethënë tepricë. Por kur flasim për pushtuesin që vinte dhe ua rrëmbente bukën e gojës, themi se na e morën vishakun (a vishakin, siç e kam dëgju në Anamoravë); s’mund t’i themi tepricë asaj që s’është. Kështu dhe Republika Sërpska ishte tokë e Bosnjës, por e pastruan etnikisht dhe e quajtën “sërbe.”
Me të verdhë
“punëtorëve profesionistë” — S’është gabim. Por e nënvizova me të verdhë. Thjesht, desha të pyes dhe ta di dhe për vete: ka dallim mes profesionistëve dhe “punëtorëve profesionistë”? Nëqoftëse jo, atëherë pse mos ta shkurtojmë këtë titull? Ashtu-kështu gazeta lyp me kumtu lajmin shkurt e shqip.
Me të kaltër
1. Presja — Thashë, presjen e kanë përdorë ku duhet. Shkruhet: Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi sot… (Për më shum, shih postimin “Mos e harro qat presje.”)
2. -iq/viq — Shqipja standarde në ish-Jugosllavi dhe ajo në Shqipërinë Londinare duket të mos jetë pajtu asnjëherë për këtë çështje. Tirana, duke kujtu përvojën me sovjetikët, i tejshkruan mbiemrat e sllavëve me -iç dhe -viç në fund. Dhe kur është fjala për rusët, ia qëllon. Por Prishtina e Shkupi “dinë më mirë” për mbiemrat jugosllavë. Germa č (me kunorë sipër ose me dy kaçepa) kthehet në ç, kurse ć përkon më mirë me q-në tonë.
Tingujt ć dhe q nuk janë identikë. Por janë të përafërt. Dhe shum shqiptarë madje e shqiptojnë q-në ashtu siç e shqiptojnë jugosllavët ć-në. Sllavo-maqedonishtja, e cila ka tingujt q (ḱ) dhe ç, po ashtu i tejshkruan emrat sërbë sipas modelit “kosovar.”
3. “të kryejë” — Prapë, po pra. Kjo folje është në mënyrën lidhore (e dimë meqë ka të përpara). Dhe është në vetën e tretë njëjës, meqë po bëhet fjalë për LAN-in. Atëherë e dimë se folja merr ë në fund. Gazeta ia ka qëllu këtu dhe i lumtë. E meriton, sepse nuk ka bë një gabim aq të përhapur saqë edhe në kushtetutën e vendit është përsëritë sdisaherë.
***
Thashë, ky s’ishte lajm i shkruar keq. Qebesa, e kishin shkru goxha mirë. Nuk e vura këtu për ta përqeshë autorin ose burimin (e përshkëlliva edhe emrin e portalit në pamjen që shkëputa, ndonëse s’e keni vështirë me ditë se nga e kam marrë tekstin). Por e zbërtheva se m’u duk me vlerë me i trajtu disa çështje jo krejt të parëndësishme të shkrimit shqip.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1MlRWyb