Shqipninë e bashkueme…

Shqipninë e bashkueme kemi me e ba. Për këte vendosim na vetë shqiptarët, sepse jemi zotën të trojeve tona. Nuk vendos as Beogradi, as Brukseli, e as Berlini, sado dashamirë e miqsorë qofshin ndaj nesh.

Të huajt s’kanë pse i frigohen nji populli që me shekuj ka çmue si vlera themelore nderin, barazinë, lirinë, dhe besën e secilit njeri. Këto vlera janë thelbi i gjithsishëm i dokeve tona (i kanuneve të moçme shqiptare), që na detyrojnë me ndjekë paqen e mos me i ba kujt trazim. Por njiherësh, si popull sipërtar (sovran), kemi për detyrë edhe mos me lejue tjetërkend që neve të na trazojë.

Të bashkuem, e gëzojmë fuqinë me ia ndalë hovin keqdashësit. Gëzojmë edhe hapsinën me punue për të mirën tonë e të njerzimit mbarë. Ashtu jetojmë me dejsi (dinjitet) – ose, simbas vlerave tona, me nder, barazi, liri e besë.

Qe pse bashkimi kombtar i leqendis e ua terron sytë anmiqve tanë. Teksa andrrojnë të na robnojnë ne e të na e gllabrojnë tokën tonë, fashistat sërbë s’mund të rrijnë të qetë. Po u bashkua Shqipnia, ata s’do ta zhgjandrrojnë kurrë epshin për perandori. Prandaj e pranojnë se “Shqipnia e Madhe asht makthi ynë.”

Por për dashamirët, kombi shqiptar i lirë e i bashkuar asht përherë bekim. I tillë ka qenë për qytetnimin evropian, dhe i tillë do të jetë edhe ma, për aq sa në kutinendin tonë të ketë akoma qytetnim.

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.