Sa është me vend që zyra më e lartë e vendit, e cila përfaqëson njësinë e popullit, të emërtohet me një fjalë e huaj? Tani që po rishikohet Kushtetuta, i duhet hedhur një vështrim edhe çështjes së gjuhës, krahas ndryshimeve të tjera të paralajmëruara.
Washington, D.C. — Pak fjalë, në pastë ndonjë, i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës si emërtimet kryetar dhe president. E para shqipe, e dyta e huazuar, ato paraqesin një mëdyshje për shumë prej nesh, që jo rrallë i përdorim në kuvendimet e shkrimet tona. Është mirë që kemi sinonime, por a nuk do të duhej që formalisht të përdorej një trajtë e vetme për kreun e shtetit?
Edhe pse Kushtetuta dhe shumë udhëheqës të lartë të vendit i drejtohen të parit të Republikës si president, fjala shqipe kryetar nuk është tretur nga diskursi formal e aq më pak nga e folmja popullore. Madje, kur qytetarët hamenden se cila trajtë është më e saktë–ndonëse tradicionalisht kanë thënë kryetar–figura publike, por edhe institucione përdorin titullin vendas.
Emërtimi kryetar është përdorur jo vetëm për prijësin më të lartë të Kosovës, por edhe për udhëheqësit amerikanë, si Clinton e Bush. Fjala shqipe, që e përdorte Kryetari Ibrahim Rugova, edhe pse për vete kishte punuar “Vulën e Presidentit”, vazhdon të zërë vend nëpër faqe gazetash e interneti. Aq më tepër, në shumë shkrime të bujshme e joformale, si ato të Flaka Surroit, termi president thuajse është shpallur verbum non gratum.
Flaka duket të ketë kapluar me përzgjedhjen e vet edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila, përkundër detyrimit që ka ndaj ligjit më të lartë të vendit, ka përdorur togfjalëshin “Kryetar i Republikës së Kosovës” në një aktvendim pikërisht në lidhje me kreun e shtetit. Njëlloj ka vepruar Kuvendi, duke nxjerrë ligje që përcaktonin përgjegjësi për Kryetarin e Republikës para, por edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës (shih ligjet Nr. 03/L-03 dhe Nr. 03/L-123).
Si shumë intelektualë e udhëheqës me nam, ashtu edhe institucionet kanë dëshmuar se mund të dërgojnë porosinë e tyre, pa marrë parasysh gjuhën që zgjedhin. Ata nuk e kanë lënë anash emërtimin kryetar, me hir apo me pahir, meqë si pjellë e gjuhës amtare ka të ngjarë t’u vijë më i lehtë e më i natyrshëm. Andaj, duke parë sesi përdoren këmbyeshëm, fjalët kryetar dhe president nuk mund të thuhet se kanë ndonjë dallim themelor për nga përmbajtja kuptimore–sado që të bëhen përpjekje në rrugë zyrtare për t’i dhënë njërës ndonjë ngjyrim apo rol më të veçantë.
Për nga kuptimi rrënjësor apo etimologjia, të dyja fjalët i ndan një perde e hollë. Emërtimi president rrjedh nga fjala latine praesidens (rasa gjinore praesident), që për nga ndërtimi ka kuptim të thjeshtë: ai që ulet në krye ose në rend të parë (prae = i pari + sidens = ulur). Kurse kryetar është gjithashtu ai që ndodhet në krye ose në rend të parë, përveçse nuk e ka të përcaktuar qëndrim ulur.
Dallimi kryesor mbetet atëherë tek ngjyrimet dhe roli që mëtohet se njëra fjalë luan përkundrejt tjetrës. Tiparet që e shquajnë titullin kryetar–përkatësia shqipe dhe thjeshtësia–janë të qarta dhe mjaftohen pa një shpjegim të mëtejmë. Pikë për pikë, mund të bëhen vërejtje të përligjshme edhe rreth emërtimit president, por se këto kërkojnë një shoshitje jo gjithaq të thukët:
1. Tradita në Shqipëri. Për dallim nga Kosova, Shqipëria ka një përvojë të përdorimit të njëtrajtshëm të termit president, që në fillet e tij duhet të jetë huazuar nga frëngjishtja. Përcaktimi i shqiptarëve, me shpalljen e republikës më 1925, për një titull që gëzonte aq shumë prestigj në vendet e qytetëruara, si Franca e Shtetet e Bashkuara, mund të cilësohet si një orientim properëndimor. Por kjo nuk e shfajëson presidentin e parë të Shqipërisë, Ahmet Zogu, nga një përzgjedhje e vështirë për gjinden e pamësuar, e cila e quante udhëheqësin e saj mbret gabimisht qysh para se ai të kurorëzohej.
80 vjet më pas, janë të shumtë ata që presidentin e Kosovës e quajnë kryetar (tani kryetare), ashtu siç janë mësuar ndër vite. Por në këtë rast, fjala shqipe nuk është e gabuar dhe nuk ka ndonjë dallim thelbësor nga termi i huazuar. Kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe dhe traditën popullore, Kosova ka një arsye të fortë për të mbrojtur atë që është e veta, por edhe e mbarë kombit shqiptar. Ndryshimi në terminologji e veçon Kosovën nga Shqipëria, por njëherësh e mban më pranë gjuhës shqipe si tipar dhe pasuri kombëtare.
2. Tradita e demokracive perëndimore. Fryma perëndimore që përshkon Kushtetutën e Kosovës duket të mos i jetë shmangur as edhe prurjes së terminologjisë, që përfshin emërtimin president. Kësisoj, ndjekim modelin e republikave me traditë të gjatë të demokracisë.
Fjala president ka zënë vend nëpër shumë gjuhë evropiane dhe përmes tyre është përhapur në mbarë botën si président, president, presidente, prezident, prezydent, prezidan, etj. Mirëpo, jo gjithherë ka qenë simbol i demokracisë dhe përparimit. Vështirë mund të mohohet se ky titull–sidomos në trajtat që ngërthejnë germën z në vend të s-së–përdoret me aq pompozitet për sundimtarët më autoritarë dhe më jodemokratikë në rruzull.
Mbeten shumë krerë republikash që në gjuhët e tyre nuk quhen presidentë, sepse zgjedhja në ato shtete ka qenë për një fjalë vendase. Në fakt, mund të thuhet se njëlloj kanë vepruar edhe francezët, të cilët përdorin termin meqë është fjalë e gjuhës së tyre neolatine. Anglo-amerikanët po ashtu mund të thuhet se përdorin fjalën e tyre. Dhe jo vetëm pse ishin të parët që ia mveshën kreut të një republike kur hartuan kushtetutën amerikane, por pse termin president e kishin të përvetësuar prej kohësh dhe nuk e huazuan nergut, si p.sh. për ekzekutivin e Shteteve të Bashkuara.
Në vendet e shquara për traditë demokratike, shohim një prirje për fjalë që ata i ndiejnë si të tyret, edhe në qofshin me prejardhje të huaj në të kaluarën e largët. Vetëm aty ku ka munguar demokracia, gjejmë përdorimin e një termi të importuar dhe të imponuar mbi zgjedhjet e natyrshme të popullit.
3. Një emër i përveçëm për kreun e shtetit. Se kreu i shtetit është simbolikisht ose edhe praktikisht institucioni më i rëndësishëm në vend përbën një arsye të logjikshme për t’i dhënë atij një titull fisnikërues, që e dallon nga organet e tjera shtetërore. Por në mendësinë republikane, veçimet e kreut të shtetit shfaqen si relikte të kohërave jodemokratike, kur nderet e titujt më të lartë ruheshin për udhëheqësin e vendit.
Ka gjuhë që bëjnë të njëjtin dallim si Kushtetuta e Kosovës, që kreun e shtetit e quan president, ndërsa të parin e Kuvendit, kryetar. Bie fjala, rusishtja dallon mes presidentit të federatës (prezident federacii) dhe kryetarit të qeverisë (predsedatelj praviteljstva). Por këtë nuk e bën Franca: atje ka kryetar republike (président de la Republique), por edhe kryetar senati (président du Senat) dhe kryetar kuvendi (président de l’Assemblée nationale).
Se ashtu vepron edhe anglishtja e shohim në versionin e asaj gjuhe të Kushtetutës së Kosovës, ku gjejmë president të republikës, kuvendit dhe gjykatës kushtetuese. Sidoqoftë, gjuha angleze bën përjashtim. Për shembull, kryekuvendarët shpesh quhen speaker, që domethënë folës. Ndërsa përdorim të gjerë gjen edhe termi chairman, një fjalë më e re se president, që nënkupton kryesuesin e një trupi drejtues ose një institucioni.
Përderisa pasuria e fjalorit të anglishtes gjen shpjegim te historia, huazimi i fjalës president në shumë gjuhë gjithashtu ka analogjinë e vet me të kaluarën. Përdorimi i titullit vetëm për të veçuar udhëheqësin ngjason me stilin e adoptimit të titujve si Kaizer (nga Caesar), kral (nga Carolus Magnus), car (nga Caesar), imparator (nga imperator) etj. Historikisht, dihet se asnjëri nga këta tituj nuk u përvetësuan nga regjime demokratike, por nga monarkët vetësundues të vendeve evropiane.
Fjala e popullit nuk mund të mos jetë e denjë për udhëheqësin e vendit. Mirëpo, nëse duhet patjetër të ketë një titull të veçantë për kreun e shtetit, atëherë pse të mos kërkojë populli një fjalë të moçme ose të nxjerrë një të re: prijës, prijetar a diçka të ngjashme.
4. Fuqia e fjalës. Termi president është perceptuar si më i fuqishëm në shumë gjuhë, por kjo ka të bëjë më tepër me rrethana të caktuara politike sesa me vetë fjalët. Izraeli këmbëngul që kryetari palestinez në anglishte të mos quhet president, por chairman. Kjo ngase druan se termi me prejardhje latine e veçon një zyrtar si udhëheqës të një shteti sovran.
Mirëpo një pikëpamje e tillë nuk është e gjithëmbarshme: regjimit komunist në Kinë nuk i pengonte që në perëndim kryetari i shtetit të quhej Chairman Mao, e jo President Mao. Në atë kohë, Republika Popullore e Kinës nuk njihej si shtet sovran nga shumë shtete dhe ende nuk e kishte siguruar një ulëse në OKB, por kinezët vetë për arsye të tyret zgjodhën t’i referoheshin Mao Ce Dunit si chairman në gjuhën angleze. Shumë më vonë ata filluan ta thërrasin kreun e shtetit president në anglisht, por në kinezishte vazhduan të përdorin fjalën e vjetër zhuxi.
5. Tradita jugosllave. Gjuhët sllave kanë krijuar prej kohësh një kalk për termin president (predsedatelj, predsednik, predsjednik), duke bërë trambë apo zëvendësuar rrënjët latine me ato të tyret. Megjithatë, titujt prezident apo prezydent kanë ngelur në përdorim për krerë republikash, pra vetëm me një dallim që ua përshkruan ligji. Gjuhët e Jugosllavisë së dikurshme bëjnë përjashtim: treshja serbo-kroato-boshnjake, sllovenishtja dhe maqedonishtja përdorin
kalkun vendas si për kreun e shtetit, ashtu edhe për drejtues institucionesh e organizatash.
Kjo praktikë, mund të thotë kush, paska ndikuar mbi traditën e shqiptarëve në Kosovë, por edhe në Maqedoni, ku përkthimi zyrtar i kushtetutës së vendit përdor termin “Kryetar i Republikës”. E vërteta është se shqiptarët në të dy vendet zgjodhën fjalën e tyre dhe të njëjtën gjë do të bënin po ashtu sikur të përkthenin me besnikëri kushtetutën e Francës. Mirëpo, në rastin e huazimit të termit president për ta dalluar nga kryetari, shqiptarët po veprojnë njësoj si rusët–edhe në mos i kopjofshin ata drejtpërdrejt–duke çmuar fjalën e huaj më fort se të veten.
6. Trajta zyrtare. Me një të kërkuar në internet, na del se fjala president (tani edhe presidente), qoftë edhe e pasuar nga një përcaktor si i/e Republikës, i/e Kosovës, etj., është më e përhapur. Megjithatë, epërsia në rrjetin kibernetik–me të edhe në medie të shkruara–nuk pasqyron zgjedhjen më të drejtë dhe më të përshtatshme, por imponimin e titullit zyrtar. Nuk mund të pandehet për të njëjtin bilanc të përdorimit të fjalëve, sikur Kushtetuta të mos përcaktonte termin që përmban tani.
Nuk janë të paktë ata që parapëlqejnë fjalën shqipe kryetar. Por pakkush ka guxim–sikur publicistët e dalluar, e aty-këtu edhe organet shtetërore–t’u shtrembërojë emrat njerëzve dhe institucioneve nga të cilët presin t’i dëgjojnë. Njëmend, a do të dëgjonin autoritetet po të këmbëngul se i kanë emëruar gabimisht dhe se ligji që i ka krijuar, Kushtetuta e Republikës, shpërfill gjuhën në të cilën dua të flas me to? Po t’i pyes se sa me vend është që zyra më e lartë e vendit, e cila përfaqëson njësinë e popullit, të pagëzohet me një fjalë të huaj?
Tani që ka filluar punën komisioni për rishikimin e aktit më të lartë juridik, ekspertët tanë duhet t’i hedhin një vështrim çështjes së gjuhës. Fjala shqipe Kryetar, në vend të huazimit president, duhet të rikthehet për hir të shqipërimit, qartësimit dhe dëlirjes gjuhësore të Kushtetutës së Kosovës.
(Autori është gazetar i pavarur në Washington.)
Botu në Telegrafi.com, më 30 maj 2011
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1MlR5hb