Jam thellë i tronditun nga vrasja barbare e djalit 14-vjeçar në pikë të ditës në Prishtinë. Vrasja për hakmarrje asht krim dhe mbrapshtia ma e randë që mund ta bajë njeriu. E denon jo vetëm ligji i shtetit, por edhe e drejta dokesore që te na e shquejmë si Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Vrasja asht vepër e bakeqit; nuk asht mbeturinë e traditës. Kanuni i Lekë Dukagjinit nuk lejon ma marrjen e gjakut.
Shqiptarët e mbledhun rreth Anton Çettës ia shtrinë dorën e pajtimit njani-tjetrit në fillim të viteve 1990 dhe i dhanë fund njiherë e përgjithmonë vëllavrasjes ndër ne. Ata që falën hasmin dhe u miqsuen me te vepruen me ndërgjegje dhe të vetëdijshëm për fjalët e plakut t’urtë pajtimtar se detyra për ta la gjakun me gjak nuk do të randojë ma mbi shqiptarët. N’ato ditë jo fort të largëta, Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka ndryshue shum e shum herë ndër shekuj, ndryshoi edhe njiherë tjetër me miratimin e popullit sovran.
Në kohët e lashta, familja e nji të vrami kishte të drejtë me ndjekë vetëm dorasin që kishte ba krimin. Ma vonë, u ba Kanun me vra cilindo antar të familjes së vrasësit, meqë të parët tanë jetojshin në bashkësi të mëdha dhe ish vështirë me i ra në trag nji njeriu të vetëm. Gjatë tanë kësaj kohe, meqë nuk kishin shtetin e tyne, malsorët venduen edhe ligje tjera që denojshin cilindo që nuk zgjidhte çashtjet e veta simbas së drejtës dokesore por vente e ankohej te autoritetet osmane. Përgjegjsinë me zbatue ligjin e kishte secili vetë.
Por kjo syçeltësi e ky detyrim privat për ta zbatue ligjin kishte mangësitë e veta. Kur në mesin tonë u përhap ekonomia monedhare, toka u ba pamjaftueshme për të na mbajtë të gjithë ne. Mungesa e lirisë e mundësive për veprimtari e zhvillim i hodhi shqiptarët buzë greminës, tue i cytë me vra njani-tjetrin aq ligsisht e aq shpesh sa s’kishte ndodhë ndonjiherë në trojet tona. Mbas Revolucionit të 1908-ës, regjimi totalitar i xhonturqve e acaroi edhe ma tej gjendjen e randë të të parëve tanë, tue u përpjekë me i nënshtrue ndaj ligjeve të hueja dhe tue i randue me tatime e të dheta vorfënuese.
Përkushtimi i shqiptarëve për ta krijue shtetin e tyne të lirë mbërrijti kulmin mu n’at periudhë. Rilindasi Sami Frashëri andërronte për nji Shqipni ku rendi ligjor i shtetit të mbështetej në të drejtën dokesore të malsorëve të lirë. Bashkëthemeluesi i Shqipnisë së re, Hasan Prishtina, nisi Kryengritjen e Përgjithshme të 1912-ës mbasi xhonturqit pezulluen zbatimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Luftëtarët shqiptarë kërkuen të drejtën e popullit me vendue ligjin e vet dhe me caktue fatin e tij.
Qe fati i hidhun i shqiptarëve që, ndonëse ngadhënjyen në luftë kundër qeverisë shtypëse të Stambollit, nuk ia dolën ta krijojnë nji shtet të plotë kombtar. Trojet e Dardanisë dhe vise tjera shqiptare mbetën të pushtueme për dekada të tana. Kanuni i Lekë Dukagjinit mbeti ligji i përligjun për popullin tonë. Por edhe mungesa e ngrehimeve shtetnore që do të zbatojshin drejt ligjin e popullit u ba paralajmërim për atdhetarët se ne duhej të kishim shtetin e qeverinë tonë. Familje të tana mbetën të ngujueme, fëmijët shqiptarë nuk gëzuen të drejtën e shkollës, dhe i tanë kombi rrezikoi të lëngonte prej territ e prapambetjes.
Kur nisi përpjekja e madhe për ndërtimin e shtetit më 1990, Anton Çetta me shokë iu përveshën nji pune të fisshme në shërbim të popullit dhe dokeve të tij. Porosia e plakut t’urtë ishte e qartë: shqiptarët duhet të pajtoheshin mes vete, të lenin anash grindjet e gjaqet, të fitonin lirinë dhe të ndërtonin së bashku shtetin e tyne për t’ecë përpara si tana kombet e qytetnueme. Tue i bindë bashkëkombasit për udhsinë e pajtimit, Anton Çetta ia hoqi individit barrën e randë për zbatimin e Kanunit dhe ia ngarkoi kët detyrë shtetit, si organizatë që e themelon vetë populli sovran për nevojat e veta.
Në ditët tona, tue qenë se shteti nuk e njeh zyrtarisht Kanunin e Lekë Dukagjinit, mund të pandehim se ky ligj i moçëm nuk qenka ma ligji i Dardanisë. Mirëpo kët vendim mund ta marrë vetëm populli. Kanuni asht ligj dhe populli asnjiherë nuk e ka shfuqizue Kanunin. Populli vetëm se e ka denue njiherë e mirë gjakmarrjen.
Sod asht detyrë jo e familjarit por e dorëndjekësit apo prokurorit të shtetit ta kërkojë ndëshkimin e dorasit; asht detyrë jo e familjarit, por e gjykatës ta gjejë fajsinë dhe ta shqiptojë denimin. Ai që përvetson kët tagër dhe krye më vete del e vret ka shkelë jo vetëm ligjet e shtetit, por besën dhe ligjin e popullit dhe vullnetin e tij si sovran. Se populli asht sovran dhe i lirë për të vendue për veten asht vetë thelbi i Kanunit.
P.S. U shpreh mirënjohjen time Fisnik Ismailit dhe Lumir Abdixhikut që botisht denuen vrasjen e kobshme të 14-vjeçarit, tue kërkue që shoqnia jonë të ndjekë porosinë e Anton Çettës dhe t’i japë fund gjakmarrjes njiherë e mirë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=1303