Kanuni i Skanderbegut: Ligjet i bën populli

Kur është fjala te ligjet e reja kanu­nore, legaliteti dhe legjitimiteti i tyre, Ka­nuni sanksionon të drejtën dhe fuqinë e bër­jes së ligjeve të reja kanunore, kur para­­sheh që ligje të reja kanunore ka të drejtë e fuqi me ba vetëm populli. Ky san­ksionim politikisht paraqet themelin e shëndoshë e një demokracie popu­llore dhe morale dhe juridikisht paraqet burimin material të së drejtës kanu­nore.

E Drejta Zakonore Shqiptare e materi­alizuar në sheku­llin e XX në dy botime — Ka­nuni i Lekë Duka­gjinit (1933) dhe Kanuni i Skan­der­begut (1993) — shfaq lëndën e saj provo­kuese për­ studime në fusha të ndrysh­me shoqë­rore. Vetëm si monu­ment i kul­turës juridike të popullit shqip­tar, Kanuni paraqet një objekt të denjë studimi dhe analize, i pasur me insti­tucione dhe parime juridike.

Te Kanuni më pak i njohur i Skander­begut, kodifi­kuar nga Dom Frano Ilia, vërehen parimet e lega­litetit, legjiti­mitetit, kushtetut­shmërisë e ligj­shmë­risë, dhe kom­pe­ten­cës territoriale, etj.

Në hyrje të Kanunit, thuhet se shtrirja territoriale e tij për­fshin Shqipërinë e sotme qendrore, më saktësisht krahinat e Princi­patës së Kastriotëve dhe të ndikimit të tyre, duke e quajtur këtë «njësi më vete».

Parimi i legji­timitetit shprehet në nenin 2. Ky kanun themelin e ka të për­bashkët me kanunet e maleve shqiptare. «Ky kanun thirret i Skander­begut, pse ky bani disa ligje kanunore të veçanta per krahinat e veta dhe të ndikimit të vet. Mund të quhet edhe Kanuni i Arbënit». Kur është fjala te ligjet e reja kanunore, legaliteti dhe legji­ti­miteti i tyre, Kanuni sanksionon të drejtën dhe fuqinë e bërjes së ligjeve të reja ka­nu­nore, kur parasheh që ligje të reja kanu­nore ka të drejtë e fuqi me ba vetëm po­­pulli. Ky sanksionim politikisht paraqet themelin e shëndoshë te një demokracie po­pu­llore dhe morale dhe juridikisht para­qet burimin material të së drejtës kanu­nore.

Kanuni bazën e tij juridike për­ ndëshkime dhe dënimet që i jep e mbështet në pari­min e legjiti­mitetit, kur thotë se «ndësh­kimet e dënimet që epen sambas kanunit t’pshteten në drejtësi e vullnet të popullit: Zani i popullit, Zani i Zotit», ndërsa ky pos­tulat është realizuar nëpërmjet një par­la­menti dydhomësh. «Po bani vogjëlia ndo­­nji ve­rejtje, paria ka detyrë të vehet për­sëri në shqyr­tim t’asaj pleqnie, derisa të pra­no­het prej vogjlisë në për­gjithësi dhe atë­herë merr fuqinë e ligjës detyruese».

Pra, kanuni i cili është një ligj gojor i trashë­guar prej të parëve, ose i bërë kohë pas kohe mbi parime të Kanunit të maleve tona e të drej­tësisë që e detyrojnë mbarë po­pu­llin ku shtrihet kanuni, parasheh që krahas zhvillimit të jetës shoqërore të zhvi­llo­hen edhe normat kanunore duke e identi­fikuar autorin e tij — popullin. Këtë e san­ksi­onon shprehimisht neni 10, i cili thotë se «kanuni ecë me jetën e nevojët e po­­pullit të çdo kohe. Për çdo arsye e nevojë të er, populli, pari e vogjli, ban ligjë të reja të për­shtatuna në frymë të kanunit të vet».

Shembull i për­pjekjes që e drejta kanunore shqiptare të ecë me kohën mund të gjin­det në Kanunin e Skanderbegut. «Me islami­zimin e pjesës më të madhe të kra­hinave të Kastri­otëve, kto erdhen kohë mbas kohe tue i perzie e xevendsue disa ligjë të kti kanuni me ligjë të Sherjatit të Turkisë pushte­tuese». Inkor­porimi i të Drej­tës së Sheri­atit me të Drejtën Kanunore Shqip­tare është rasti i parë i aderimit të së Drej­tës së Sheriatit në të Drejtën Kanunore Shqiptare.

Por, asnjë ligj a normë e re kanunore nuk mund të hynte në fuqi nëse ishte në kun­dër­shtim me Kanunin apo nuk e kishte pëlqi­min e Kuvendit, si mbledhje e për­gjith­shme e për­faqësuesve të popullit që merrte vendime të caktuara.

Pra, në këtë kontekst Kanuni për­mban parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjsh­më­risë. Parimi i kushtetut­shmërisë është sanksionuar në nenin 29: Çdo ligjë e re, kur­do­herë do të pshtetet e do të bahet mbi themelet e kanunit të për­gjithtë e të maleve to­na shqiptare. Ndërsa parimi i ligjshmërisë vërehet kur bëhet fjalë për­ ligjet e ve­çan­ta, të cila t gjithashtu duhet të mbë­sh­teten në Kanun. Ligjet e veçanta mbë­sh­te­tur në Kanun për­ një a më shumë krahina, a njësi tokësore të ndryshme, shpesh qu­hen zakone. Neni 12 thotë se «zakon i veçantë shpesh quhet edhe: ven­dim, pleq­ni, usull, vendom. Këto fjalë a shprehje kur e kanë fuqinë dety­ruese, kanë vlerën e ligjit të kanunit». Në kuptimin mo­dern të fjalës, ato ishin dekretligje të filo­zofisë të së drejtës kanunore.

Në këtë kontekst shprehja «shpi e marifet, katund e adet, zakon e bajrak, Kanun e Gjo­mark», e ka kuptimin që doket e zako­net e një krahine a bajraku duhet të jenë në paj­tim me themelet e kanunit, por pa ha­rruar se kierarkia e kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë për­ kre të saj i kishte pleqtë, jo në kuptimin kalendarik, por sipas kup­timit modern të sotëm — gjyqtarë. Pra, hierar­kia e kushtetut­shmërisë dhe ligj­shmërisë pleqtë: «Pleqt cilëtdo kjoshin, kur marrin me ba një pleqni, duhet të kenë para­sysh: Themelet e kanunit, zakonet e vendit, drejtsinë dhe rrethanat e veçanta të punës që gjykojnë».

Ndër parimet e për­gjithshme të Kanunit, ra­dhitet prece­denti, ndihma juridike, or­ga­­nizimi (forma) e Kuvendit, etj.

Kur kërkohet zbatimi i të drejtës së prece­dentit për­ ndonjë çështje, «të parapame prej kanunit e zakoneve të vendit, kër­kojnë dhe në bajrakë të tjerë në se asht ba ndonji pleqni, a vendim për­ atë çështje, dhe po kje ba, si ta shoshisin edhe mund ta bajnë të veten krejt ashtu apo pjesërisht sit a shohin me udhë» (neni 35).

Një lloj ndihme apo këshille juridike, para­shikohet me nenin 36, kur thuhet se baj­rakët, mallet, oxhaqet, që u për­kasin ndikimit të derës së Kastriotvet, në pleqni të vështira e sidomos të kundërshtueme, mund të kërkojnë mendimin e shtëpisë së Gjo­­markajve t’Oroshit të Mirditës, por si mendim që nuk asht detyrues për­ kto ven­de. Zakonet e ndryshme zgjidhen me kanun të për­gjithshëm, ose për­faqësuesit e krahinave marrin një vendim të për­bashkët. Zakoni i veçantë e detyron vetëm atë vend, a krahinë që ta ketë ba për­ veti, dhe jo të tjerët. Ndërsa ndryshimi i dis­pozi­tave, anulimi, plotë­simi, apo miratimi i dispozitave të reja, bëhet ashtu që hiqet apo zëvendësohet kanuni, a zakoni i vjet­ruar. Sa për­ hyrje në fuqi të vendi­meve nga pleq­nitë, neni 46 thotë se «pleqnia e bame dhe e pranue­me simbas kanunit e ka në vet­vete fuqinë detyruese».

Një sanksionim tejet interesant Kanuni e bën sa i për­ket interpretimit të normave të tij, kur thotë se askush i veçantë, kjoftë prej Parisë apo Vogjë­lisë, në punë me të tjerë, nuk ka të drejtë ta kuptojë a ta zba­tojë në krye të vet kanunin, apo ven­dimet që merren me pshtetje në të. Duke sanksi­onuar një inter­pretim zyrtar për­ ndo­një çështje të caktuar, kanuni para­shtron kushtin e të qenit pjesëtar i sho­qërisë, kur nën nenin 47 shprehi­misht thotë: «në kjotë se donë të jesh shoq me ne, ban si të thotë katundi e bajraku». Me këtë jepet edhe sank­sionimi i eks­komu­ni­kimit nga sho­­qëria — i njohur në të drejtën zakonore si insti­tucioni i leqitjes, kur thuhet: «do të nda­hesh prej shoqnisë për­ të mirë e për­ të keq».

Nga Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, tani diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2001).