Sulmet kundër ISIL-it janë nja “tri vjet shum vonë”: është shum vonë me i zhbë vuajtjet e popullit, por prapë me kohë për ta kufizu dëmin që është bë. Kryetari Obama duhet të përdorë mujshinë ushtarake për ta shpëtu njerzimin, pjesë e të cilit Amerikë është.
Kryetari amerikan Barack Obama urdhëroi javën e kaluar sulmet ajrore për nji afat të pacaktuar kundër terroristëve të ISIL-it në Irak. Veprimi erdhi me vonesë, për të cilën nuk ka arsyetim. Por vetë urdhri për sulm është i drejtë dhe i domosdoshëm. Në nji botë të globalizuar, Shteteve të Bashkuara u bie barra për të shpëtu jetë njerzish dhe qytetërimin njerëzor në vise të largëta ashtu siç do bënin dhe në truallin e vet. Për nji udhëheqës amerikan, mosveprimi s’është zgjedhje. Ky është njiherësh rasti i mbramë për Obamën me dalë faqebardhë në histori, duke ndreqë gabimet e së kaluarës.
Për ta bë këtë, nuk ka alternativë ndaj forcës ushtarake. Ose, me i përdorë fjalët e nji lobisti amerikan, “rruga e vetme për ta zgjidhë problemin është me bë çka bëmë në Bosnjë tri vjet shum vonë.” Ish-kongresisti amerikan Joseph DioGuardi po bënte thirrje atëherë për veprim kundër krimeve sërbe ndaj shqiptarëve në Dardani. Por ndërsa Kryetari Bill Clinton veproi para se lufta e Kosovës të derdhej në pjesë të tjera të Evropës Juglindore, terroristët islamistë kanë kalu tashmë kufijtë ndërkombtarë në Lindjen e Mesme. Goditjet ndaj ISIL-it janë nja “tri vjet shum vonë”: është shum vonë me i zhbë vuajtjet e popullit, por prapë me kohë për ta kufizu dëmin që është bë.
Qortuesit e politikës së jashtme të presidentit përfshijnë ata që kanë shërby n’administratën e tij. Ish-sekretarja e shtetit, Hillary Clinton, lidhi ngritjen e ISIL-it n’Orient me qasjen e Obamës ndaj luftës qytetare në Siri. Simbas saj, mosgatishmëria e kryetarit me i mbështetë ata që luftonin për demokraci i lejoi terroristët islamistë me vendosë nji regjim të pamëshirshëm në nji truall të madh tejkombtar. Militantët e ISIL-it kanë shtangë ndërgjegjen botërore me therjet masive e varrosjen së gjalli të shiitëve, të krishterëve e jezidëve gra e fëmijë.
Kryetari Obama ka nji histori të të bëmave të mira. N’Amerikën Latine, ai u qëndroi pranë prijësve të zgjedhur me votën e popullit, edhe atëherë kur nji grusht shteti ose diktaturë u shërbente më mirë interesave të ngushtme amerikane. Ai mbështeti kalimin e zorshëm t’Egjiptit në demokraci – përkrahu popullin egjiptian në Revolucionin e 2011-ës, kundërshtoi tiraninë e shumicës nën Vëllazërinë Myslimane dhe dënoi shtypjen e dhunshme të protestuesve pasi ushtria mori pushtetin verën e kaluar. Ai veproi ashtu siç e lypte rasti në Libi, kur më 2011 nji fushatë e NATO-s i dha fundi despotizmit të Gadafit (ani pse francezët qenë në fakt të parët që fluturuan avionët ushtarakë përmbi Tripoli e Kirenaikë).
Politika e jashtme e Washingtonit, megjithatë, ka ecë zvarrë gjatë mandatit të dytë të Kryetarit Obama. Administrata e tij ka dështu tu mos ndërhy në Siri kundër regjimit brutal të Bashar Asadit. Obama pranoi nji humbje të turpshme ndaj Vladimir Putinit të Rusisë kur dy sipërfuqitë negociuan nji marrëveshje që ia mori Sirisë armët kimike, por nuk i dha fund vuajtjes njerzore. Në ndërkohë, kryetari amerikan vazhdoi t’i besojë diktatorit moskovit në të tjera çështje të ndjeshme të paqes e sigurisë botërore, gjithnji ndërsa Rusia vendosi të zgjërojë territorin e vet në dëm të aleatëve amerikanë dhe vijon të sponsorojë veprimtari terroriste e separatiste n’Ukrainën lindore.
Në Siri, mungesa e mbështetjes nga Perëndimi për opozitës shekullare e demokratike ia trasoi rrugën ekstremistëve për ta zgjëru ndikimin e tyre. Ka pandehje të besueshme se regjimi i Asadit sponsoroi terroristët islamistë për të luftu kundër Ushtrisë së Lirë Siriane, ndërkohë që ish-qelula t’al-Kaidës, siç janë al-Nusra e ISIL-i (i njohur edhe si ISIS), zunë të fusin nën kontroll qytete që deri atëherë i mbante opozita shekullare.
Teksa kriza n’Ukrainë e zhvendosi vëmendjen larg Lindjes së Mesme, ISIL-i nënshtroi qytete të lashtë e fshatra modernë ndaj nji sundimi feudal mesjetar dhe pushtoi burime nafte për përfitimin e vet dhe për rritje të mëtutjeshme. Shpallë me patetizëm “halifat” dhe ripagzu “Dovleti Islam,” grupi terrorist u ka marrë jetën mbi 30 mijë civilëve vetëm sivjet. I vetquajturi Emiralmuminin Halif Ibrahim sundon mbi nji hapsirë në rritje përgjatë Sirisë e Irakut.
Para se Kryetari Obama ta merrte pushtetin më 2009, forcat amerikane ia kishin dalë mbanë që njifarë dore ta kufizonin ekstremizmin dhe të vendosnin demokracinë n’Irak. Sulmet ajrore tani rinisën (pas nji mungese të gjatë) për t’iu përgjigjë asaj që pasoi mbas tërheqjes amerikane nga luginat e Mesopotamisë. Në njërën anë, regjimi shiit i Iranit rriti ndikimin në politikën irakiane, por në tjetrën anë, edhe ata që po kundërshtonin Teheranin ishin njiherësh kundër demokracisë. Nji udhëheqës përçarës, Kryeministri Nuri al-Maliki u bë gjithherë e më autoritar, duke i ndihmu më tej rritjes s’ISIL-it në Lindjen e Mesme.
Lutem që më 2016 populli amerikan të zgjedhë nji prijës që do të sjellë ndryshim në botë. Por pranoj më parë se Presidenti Obama nuk është thjesht nji “rosak i gjymtë,” siç e quajnë analistët kryetarin në fund të mandatit të dytë. Ndërsa i mbeten më shum se dy vjet në zyrë, ai mund të ndryshojë kahjen e politikës së tij të jashme. Si udhëheqës i Botës së Lirë, Kryetari i Shteteve të Bashkuara ka detyrim moral dhe politik të luajë rol paraveprues për ta nxitë paqen, lirinë dhe demokracinë në mbarë rruzullin. Në nji botë të globalizuar, amerikanëve u takon të marrin shpërblimit – qoftë ky fryt i syçeltësisë ose të hidhëtit e mospërfilljes.
Do vijnë dy vite të vështira këto për Kryetarin Obama. Problemet janë të shumfishta dhe të përhapura. Por qoftë për ta ndihmu Nigerinë kundër Boko Haramit, për t’i dhënë fund luftës qytetare në Qendrafrikë, për ta shpartallu kalifatin ibrahimit në Lindjen e Mesme, ruajtë pavarësinë e Ukrainës, ose për t’iu ndihmu Izraelit e palestinezëve me mbërri paqe të përhershme, përkushtimi i nji burri të fuqishëm është më se i nevojshëm. Barack Obama është lajmtar i shpresës dhe paqes, që ka parafolë nji jetë më të mirë për njerzimin. Tani i duhet të veprojë simbas fjalëve të veta. Ajrosulmet kundër ISIL-it janë detyrë e tij.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=423
Obama s’pat faj se i bajshin trysni republikanët me e mbyllë qeverinë nëse fillonte bombardimet kundër Sirisë. Edhe Britania u tërhoq.