Vjershë, shiir e poezi

Lujna, kcejna, e vallzojna
lajna, fshijna, e pastrojna
furça, çetka, e brusha n’dorë
sevdá, dashní, lubav, amor

Në dyqan, dugajë, shitore
plot klientë, konsumatore
myshterij e blersa vet
m’iu shërby, m’iu bâ hyzmet

Qaq knaqsí, ma fort lezet
zoti gazdë viket, bërtet
mall firmato, brend e firmë
kfalitet, cilsor, i mirë

Ká do ndalen n’arkë e n’kasë
fjalë me shtí, me futë e rrasë
llaf, biseda, e muhabete
tue qá halle, e tue kajtë derte

Lsho kupon, faturë, dëftesë
dembel spicë e plot pritesë
shkruj n’defter, shëno n’fletore
o n’veshbankë e ushtrimore

Ja n’daç mbáj bllok paragon
rend m’radhë, rresht i vargon
hana e re, mueji kërset
bân hesáp, kontab’litet

Llogarit, plus mblidh e shto
Zbrit e zhdryp, zdirgj e pako
Kadal avash, numro e njeh
Najsen t’mirë, kqyr a po sheh

Tash përzhit, fërgo, e pjek
Nër qitape e libra prek
me ujdisë, me shtellovatë
qaq sa t’mujsh, sa t’kísh takát

Taksë, haraç, porez, tatim
s’kanë iláç, hap, bár, mjekim
s’gjén heqim, mjek, e doktor
s’ká ma shtirë, e s’ká ma zor

Tash kujtow, nis me mendu
për gyrbet, n’mërgim me shku
ktu s’po t’éc, nuk po ta qet
guri i randë si shkamb po t’get

Veç fiqroe, peshoë, pleqnoë
çâshtjen, punën mbreht gjykoë
t’hidhet, t’teket, por nuk ká
vrap tembas mbrapa me ngá

Se t’merr malli, t’káp mërzia
t’káll, përvlon flakë nostalgjia
lýp pasul, bathë, e groshë
im e holl sìte me shoshë

Dëshirë n’paç, ti qefin ngoë
atje mirë â, s’thash që jó
por diqýsh, në njifar mnyre
s’shijon mazë, as pikë yndyre

Faj, gjynah, mkat seç ndijnë
pesvaktlij e kaurrë, qafirë
Lum e shyqyr, ti vet ke pshtu
por khá, ç’u bâ, e ç’u maru?

Çisto shqip, puro ‘lbaneze
dajë e ungj, emtë e teze
babë e atë, amë e nanë
veç ktu tok cok që i gján

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.