Cenim i flamurit quhen, për shembull, djegia, ndryshimi fizik, apo valvitja e flamurit kokëposhtë. Në shumë vende demokratike të botës nuk ka ligje që ndalojnë cenimin e simboleve të shtetit. Liria e shprehjes së qytetarit çmohet se është më e vlefshme se mbrojtja e simboleve me dhunë.
Suedia bën pjesë ndër ato vende. Fotoja në krye tregon një protest artistik nga viti i kaluar (2017). Ligji suedez nuk ka sanksione kundër qytetarit per cenim simbolesh, por mund të të ndjekë ligjërisht nëse, bie fjala, gjatë djegies me benzinë kërcënon pronën a jetën e njerëzve.
Edhe në Danimarkë është saktësuar me verdikt gjyqësor e drejta e qytetarit që të shprehë protestë duke cenuar simbole, ta zëmë duke djegur flamurin danez Dannebrog. Norvegjia anuloi më 2008 një ligj të mëhershëm që ndalonte cenim simbolesh, me motivim se ai ligj nuk ish përdorur asnjëherë, e se binte ndesh me liritë dhe të drejtat e qytetarit, që janë ligj suprem i demokracisë.
I njëjti qëndrim mbahet edhe nga një numer demokracish jashtë Skandinavisë. Në SHBA, Gjykata Supreme ka konfirmuar, në rastet Texas v. Johnson, 491 U.S. 397 (viti 1989) si dhe United States v. Eichman, 496 U.S. 310 (viti 1990), se Amendamenti i Parë i Kushtetutës ndalon ndjekjen ligjore për cenim simbolesh, pse ta zëmë djegia e flamurit amerikan (por edhe e flamurëve tjerë) quhet ushtrim i së drejtes së shprehjes së lirë të qytetarit amerikan.
Vijë identike ndjekin edhe vendet tjera me traditë angloamerikane të jurisprudencës, si Kanadaja e Australia. Në Britani, as e drejta në Angli-Uells as e drejta skoceze nuk kanë koncepte të mbrojtjes ligjore të simboleve, meqë objektiv i ligjit është mbrojtja e lirive dhe të drejtave të qytetarit.
Natyrisht, ka edhe shembuj vendesh që ndjekin ligjërisht qytetarin nëse ky bën protestë duke cenuar simbole. Bëhet fjalë për diktatura si Kina o Arabia Saudike, ose për demokraci me të kaluar diktatoriale a koloniale, si Gjermania, Italia, Rusia, a Franca.
Është privilegj i rrallë i ligjvënësve të një shteti të ri si Kosova kjo që mund të vendosin vetë, pa mbajtur mbi supe barrat e një tradite të mëhershme, se ç’qëndrim do të mbajë shteti karshi lirive dhe të drejtave të qytetarit. Dhe unë shpresoj se ky shtet do të vlerësojë të drejtën e shprehjes së lirë përmbi konsiderata legalistike simbolesh.
Tekefundit, ajo që e bën një simbol të shenjtë nuk është dhuna që ushtrohet në emër të tij. Po dashuria e lojaliteti që mund të frymëzojë ai simbol në radhët e qytetarëve pikërisht duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2JxUgt3