Gëzuar Natën e Buzmit

Sot e nesër – vise të ndryshme kanë tradita të ndryshme – festohet një nga ditët më të mira të vitit, me origjinë nga adhurimet e lashta të natyrës, kur popujt antikë e kremtonin solsticin dimëror. Në Siujdhesën Ilirike, ishin gacat nga druri i bungut të djegur, buzmit, që simbolizonin rilindjen e ngadaltë të dritës jetëdhënëse. Ndaj dhe festa quhej Nata e Buzmit. Te fiset gjermane të Veriut të Europës, ku rriten më shumë pemë halore, të njëjtin rol e kishte pema e bredhit.

Romakët i festonin Saturnaliet në ditën e sotme. Në një perandori enorme që shtrihej nga Britania gjer në Afganistan, kjo ishte dita e migracionit më masiv social në tërë vitin. Të varfër e të pasur shkonin te familjet e veta, për të ngrënë darkën e saturnalieve. Gjindja ndërronin rolet në një lojë të bukur sociale, burrat bëheshin gra e anasjelltas, fëmijët bëheshin të rritur, skllevërit e shtëpisë bëheshin zot shtëpie për një ditë. Terri më i madh është para agimit, thonte rituali. Në zemrën e dimrit banon premtimi i verës.

Mund ta kuptoj pse edhe një sektë e kiametit përplot urrejtës të gëzimit, siç ishin kristianët e parë, dështoi ta zhdukte këtë traditë të mrekullueshme. Pse etërit e hershëm fanatikë kishtarë u detyruan t’u kthehen traditave me pjellje të zotërave për ta asimiluar disi këtë ditë në kalendarin e vet zyrtar. Për ta subordinuar disi ndaj priftërinjve, për ta bërë esëll e serioze e të mërzitshme, nga ashtu siç kish qenë me shekuj, festë johierarkike, gazmore e qejflie.

Sot Nata e Buzmit i përmban dy traditat. Krishterimi e ka stampuar përrallën e vet të rënduar me seriozitet, festa quhet Krishtlindje, tv shfaq përralla për pjellje zotërash, këmbanat e kishave jehojnë. Shoqëria i subordinohet ritualisht kishës një herë në vit, priftërinjtë mbajnë mesha. Por ata buzëqeshin. Pjesë e traditës suedeze është edhe Patoku i Walt Disneyt. Dhe familjet mblidhen megjithatë, dhuratat shkëmbehen, rrëkëllehet dhe një gotë a dy raki.

Ai gëzimi i lashtë antihierarkik e qejfli i paganëve ndodhet nën sipërfaqe e vlon. Terri më i madh është para agimit, përsërit ai ndër shekuj. Në zemër të dimrit banon premtimi i verës.

Gëzuar Natën e Buzmit 🙂


Shih edhe: Sol Invictus, “Tradita e Buzmit në trevën e Pukës,” Feja Shqiptare (2013-05-03) <http://fejashqiptare.org/showthread.php?t=530>.

Nga Shqiptar Oseku

U lind në Gjakovë, ku e kreu të mesmen. U arratis si 18-vjeç në Suedi. Studioi shkencat sociale në Universitetin e Stockholmit. Punon si terapist në kryeqytetin suedez dhe shkruan poezi e komente shoqërore e politike.