Një gjë të re që mësova nga intervista sonte me znj Bardha Mance pranë Athens International Radio është se edhe Universiteti i Athinës paska studiuar rishtas efektin e shumëgjuhësisë. Madje mu me fëmijët shqiptarë që vijojnë Shkollën Shqiptare në Athinë. E se rezultatet e tyre përkojnë plotësisht me rezultatet nga studime tjera ndërkombëtare te një pikë: fëmijët shumëgjuhësorë e kanë më lehtë të arrijnë suksese edhe në lëmi tjera.
Që shqipja u mundëson fëmijëve të mësojnë më mirë tjera gjuhë, shkaku i pasurisë së madhe të tingujve speficikë, kjo s’është sekret. Për mua është interesant kjo ndërlidhja e dokumentuar shkencorisht mes shumëgjuhësisë dhe sukseseve në lëndë tjera që s’përkojnë direkt me gjuhën. I vetmi tfillim që gjej unë është, se gjuha s’është vetëm linguistikë, por fenomen kompleks në amfiteatrin social.
Fëmija që është edukuar ta flasë natyrshëm gjuhën prindore mbase, them mbase, nuk ndjen se ka një sekret (që për shumë fëmijë është njësoj si turp) e s’ndjen nevojë njësoj të sforcuar të adaptohet ndaj rrethit, po mësohet t’i del zot vetes në mjedise sociale. Shumëgjuhësia mbase e lehtëson pra zhvillimin e individualitetit. Plus që shumëgjuhësia në një mjedis njëgjuhësh – nëse gjen mjaft shtysa sociale – mund ta forcojë ndjenjën e aftësisë.
Natyrisht, njeriu mund të zhvillojë individualitet e aftësi jo vetëm rreth gjuhës. Dua të them, edhe suedezët e grekët kanë një fije individualitet e aftësi, ndonëse s’flasin shqip dhe unë kam takuar madje shumë njerëz me origjinë shqiptare që s’flasin shqip por që kanë un shumë të qëndrueshëm. Gjindja përdorin shyqyr edhe elemente tjera, jogjuhësore, për të ndërtuar veten. Por s’do mend, them unë, se gjuha si medium i fuqishëm social mbase e lehtëson atë proces. Është si ta kesh një tullë ekstra, që s’e ke obligim ta përdorësh patjetër, por që ta *lehtëson* ndërtimin e një rrëze të fuqishme.
Se cilët faktorë pastaj e lehtësojnë mësimin e gjuhës, kjo është temë krejt tjetër. Akomodimi i shqipes në familje është me rëndësi natyrisht – “në shtëpi flasim shqip” – si dhe niveli arsimor, padyshim. Por them se luan rol edhe një tjetër rrethanë më subtile, vetëimazhi socialpsikologjik i prindit. Fshatarët arbëreshë në Itali e ruajtën gjuhën 500 vjet jo pse ishin komunitet intelektual, por nga një ndjenjë e trashë e superioritetit të racës, apo si ta quaj. Thjesht ishin të bindur se janë dikushi pikërisht pse janë arbër.
Në shumë raste të kundërta që kam hasur unë, prindërit shqiptarë në Suedi s’janë lodhur për gjuhën, ose madje e kanë kundërvepruar atë aktivisht. Mundet që ata kanë edhe shkollë, por puna është se kanë pasur krejt tjetër eksperiencë nga të qenit shqiptar, thjesht pse vijnë nga tjetër epokë. Në pothuaj tërë shek XX, të jesh shqiptar ka qenë mallkim. Dhe shumë nga ne s’kanë ndjerë ndonjë zell të tepruar për ta përcjellur atë trashëgimi te fëmijët e vet. Gjindja thjesht kanë ndjerë se fëmijës tim s’ka pse t’ia zë rrota bishtin si shqiptar. Gjë që veçse e konfirmon atë që thamë, se gjuha s’është vetëm linguistikë, po fenomen kompleks në amfiteatër social.
Unë s’dua të gjykoj askënd. Është lehtë të gjykosh. Urtësia kërkon të kuptosh së pari, e pastaj të ndryshosh atë që mundet e duhet të ndryshohet. Dhe ndoshta gjërat po ndryshojnë qysh tash. Brezat e rritur në një shoqëri më të lirë, e më të mirë, mbase kanë eksperienca më pozitive nga të qenit shqiptar. Ata mund të jenë më të motivuar ta transmetojnë gjuhën te fëmijët e vet.
Uroj të jetë ashtu. Sepse, si thamë në krye, efektet e shumëgjuhësisë te fëmijët dalin superpozitive sa herë që studiohen, ja dhe tash së fundit nga ekspertët e Universitetit të Athinës. Duhet të ketë këtu diçka patjetër, them unë. Romakët e lashtë e kishin zakon të thonë, “sa gjuhë di, aq njerëz vlen”. E pra, ata krejt budallenj nuk ishin, se e sunduan botën me shekuj.
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1MlR38R