Fjalë të omla

Pjeshka (nga Couleur)


Plator Gashi

Gazetar, gjuhëtar, shkrimtar, dhe muzikan i ri prej Prishtinës. Shkrun letërsi, këndon shqip, dhe i intereson mënyra qysh njerëzit e përdorin gjuhën, e veçmas gjuhësia krahasimtare.

Tu e ditë që pemët e perimet gjithnji jon kanë në themel të tregut mes njerëzve të kulturave të ndryshme, emnimet e tyne përkatëse në se­cilën gjuhë janë përzimje hua­zimesh dhe fja­lësh të trashë­gueme. Ashtu edhe te shqip­tarët, të cilët histo­ri­kisht janë gjetë në hapsina të ngje­shta tregtare, prejardhja e ktyne fjalëve osht tre­gues mirëfilltë i kontakteve me popuj të tjerë.

Para se me i shkoqitë disa etimologji të pe­mëve e perimeve, pak për vetë fjalët posa­për­men­duna: pemë, e cila vjen prej një forme vul­gare të latinishtes pōmus (frut, dru frutor) ka herë-herë përdorim ma të vogël sesa sino­ni­met frut(ë) prej ita­lishtes frutto dhe fryt prej la­ti­nishtes frūctus (huazim i dyfishtë në dy pe­ri­udha). Perime, sipas Topallit, lidhet me fjalën prime (mjekime me barna popu­llore), e cila ma tej vjen nga folja pruaj/pruej (ruaj nga një së­mundje); përdoret po ashtu fjala zarzavate që vjen nga turqishtja zerzevat me burim prej per­sishtes.

🍇

Mes gjuhtarësh nuk ka pasë pajtim për prej­ardhjen e fjalës rrush. Topalli thotë se lidhet me lituanishten raũsti (me rrëmihë) pa naj shpje­gim semantik; Camarda ka rindërtu një para­rendës *rāguša, të cilin e lidh me gre­qish­ten ρώγα (rṓga) (kokërr rrushi). Schumacher dhe Matzinger e nxjerrin prej greqishtes së lashtë ῥώξ (rhṓx) me kuptim të njajtë.

Fjala gresë me kuptimin «rrush i papjekun» (si dhe antroponim) vjen prej italishtes agreste (i/e vrazhdë).

🍈

Fjalën pjepër/pjepën Topalli e nxjerr nga gre­qishtja e lashtë πέπων (pepón), kurse të tjerë nga latinishtja peponem (pjepën, kungull) me burim të njajtë lashtogrek. (Krahaso angli­shten pumpkin me po atë prejardhje.)

🍉

Edhe pse me burim të paqartë, fjala shalqi-ri/ni (te Bardhi Shargji) shpjegohet me fjalën arabe شَرْق‎ (šarq) (lindje), pika e horizontit, që ka mujtë me hy përmes turqishtes şark me kup­timin «(frut) lindor». (Krahaso fjalën Australi prej latinishtes terra austrālis, toka lindore, me elipsë të elemetit të parë.)

Sinonimi bostan vjen prej persishtes بوستان‎ (bōstân) (bashçe) përmes turqishtes bostan (bashçe).

🍊

Fjala portokall vjen ose prej turqishtes por­takal ose greqishtes πορτοκάλι, me burim për­fun­dimtar emërtmin e shtetit të Portugalisë, pasë parasysh se tregtarët portugez jon kanë të parët që e kanë pru frutin nër evropianë.

Fjala mandarinë ka burimin prej por­tuga­lishtes mandarim (vetë me prejardhje prej sans­kritishtes) që ka pasë kuptimin «burokrat i Perandorisë Kineze»; fruti ka marrë emnin prej ngjyrës së petkave që kanë veshë ata zyrtarë.

Fruti me fjalën nerënxë, i ngjashëm me por­tokallin, vjen prej persishtes نارنگ‎ (nârang) për­mes turqishtes narenc me prejardhje dra­vide. (Krahaso anglishten orange me po këtë prejardhje.)

🍋

Fjala limon (në gegë lmue ~ lmoni ose edhe elmue) vjen prej italishtes limone, e cila rrjedh nga persishjta لیمو‎ (limu) me kuptim të njajtë.

🍌

Fjala banane osht huazim i ri prej gjuhëve ro­mane, me prejardhje prej gjuhës uolof të Afri­kës perëndimore.

🍍

Fjala ananas vjen prej gjuhës Tupi të Perusë nanas (frutë i shkëlqyeshëm) përmes itali­sh­tes.

🍎

Emërtimi për pemën e mollës shihet si nja prej huazimeve të rralla të shqipes prej greqishtes së lashtë (dialektit dorik): vjen prej formës së shumësit μᾶλα (mâla) (mollë; njajës μᾶλον) që përputhet me greqishten e lashtë atike μῆλον (mêlon) (krahaso anglishten melon, water­melon). Sidokoftë, për shkak të lashtësisë së huazimit, osht shtirë me e ditë saktë a o vërtet huazim apo simotër e termit grek.

🍐

Fjala dardhë osht prej të paktave (në këtë listë) me burim të trashëguem nga fazat e lashta të gjuhës. Bugge e lidh me greqishten e lashtë ἄχερδος (ákherdos), dardhë e egër, në bazë të së cilës Jokli e rindërton ni rrajë indo­evro­pia­ni­­shtes *ǵʰord- (lloj drize). [Pra, fjala shqipe dhe fjala greke janë simotra të nji zana­fille.] Mes teorish të tjera, osht propozu se burimi mun me kanë ni gjuhë e tretë ballkanike (sub­strat).

🍑

Pjeshka vjen prej ni forme vulgare të latini­shtes persica, formë eliptike e persicum pōmum (frutë persian). (Krahaso anglishten peach.)

Sinonimi ma i rrallë shefteli ka burimin te persishtja شفتالو‎ (šaftālu), lit. kumbull mish­take, përmes turqishtes şeftali.

🍒

Ashtu si molla, edhe qershia osht prej gre­qish­tes së lashtë: vjen prej κεράσιον (kerásion), rrje­dhojë e κερασός (kerasós), lloj qershie, me bu­rim të huazuem të paqartë. (Krahaso ang­lishten cherry.)

Vishnjë, lloj qershie me ngjyrë ma të errët e pak­sa majhosh në shije, vjen prej serbo­kroa­tish­tes višnja.

🍓

Luleshtrydhe, e përdorun kryesisht kah jugu, osht përngjitje e lule dhe foljes me shtrydhë.

Topalli e shpjegon dredhëz si formim prej foljes me dredhë ose emnit dredhë me prapa­shtesën zvogëluese -zë, simas leqeve te degëve të saj. Teori tjera e paraqesi simotër me lati­nishten.

🍅

Domate osht fjalë burimisht toske, po e për­gjithsueme në gjuhë. Vjen prej greqishtes ντομάτα (domáta) me prejardhje prej gjuhës na­huatl të Amerikës së Mesme tomatl prej ku edhe vjen fruti (në Evropë osht pru prej spa­njollëve).

Sinonimi verior mollatartë osht kalk (për­k­thim) i fjalës italiane pomodoro.

🍆

Patëllxhan vjen prej persishtes بادلجان‎ (bâdeljân) përmes patlıcan, me burim përfundimtar sans­kritishten. Forma patlixhan vjen prej huazimit serbo­kroat. Fjala angleze aubergine ka burim të njajtë, po ka udhëtu në rrugë të ndryshme.

🥔

Patate ka hy në shqipe përmes italistes patata ose greqishtes πατάτα, me burim prej gjuhës taino batata të Karaibeve.

Kumpir/kompir vjen prej bavarishtes (gjuhë e për­afërt me gjermanishten standarde) grumper (në gjermanishten austriake Grundbirne) që domethanë «dardhë toke»; ka hy përmes serbokroatishtes.

Kërtollë, e përdorun në veri të Shqipnisë, vjen prej gjermanishtes Kartoffel me ndërmjetësim serbo­kroat. Burimi përfundimtar osht prej italishtes tartufo (tartuf).

🥕

Karotë/karrotë është huazim i ri roman (frën­gjishte carotte, italishte carota), me prejardhje prej greqishtes së lashtë κᾰρῶτον (karôton).

🌽

Misër, fjalë kryesisht e jugut, vjen prej emnit turk për shtetin e Egjiptit Mısır, tu kanë se në Ballkan osht përhapë përmes kanalit të Suezit osman.

Kallamoq/kallamboq, sinonimi ma i përhapun në veri, osht ose huazim grek καλαμπόκι (kala­mpóki), ose formim i mrenshëm prej kallam.

🌶️

Spec osht huazim venecian prej spezie (spec); në italishte ka kuptimin erëza. (Krahaso ang­lishten spice.)

🥒

kastravec osht formë me metatezë e serbo­kro­atish­tes/bullgarishtes krastavac/krastavica, prej krasta (dregëz).

Trangull, simas Topalli, osht huazim prej greqishtes τετράγγουρον (tetrángouron), kas­travec i madh, me ramje të rrokjes nistore të patheksueme dhe disimilim të r-së finale.

🎃

Fjalën kungull, Topalli e afron me lituanishten kuñkulas (bulë uji, fshikëz). Mun me u lidhë edhe me gungë.

🌰

Gështenjë, e hasun edhe si kështêjë dhe kë­shtâjë, vjen prej latinishtes castanea, ma tej prej greqishtes së lashtë κάστανα (kástana), me burim paragrek.

🥬

Presh vjen nga greqishtja e lashtë πρᾰ́σον (práson).

Purri vjen nga latinishtja porrum.

Pamja: Do pjeshka të preme (nga Couleur)