Lugth, lukth, stomak: Nji trajtim bashkëkohor

Fillimisht, qe do gjetje nga dy botime fjalorësh të gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave në Tiranë, më 1980 dhe 2006. Fjalori i vitit 1980 gjendet edhe në formatin online. Konsultova megjithatë formatin elektronik, të shkarkuem prej gjuhashqipe.com. Këtu jepet leksema LUKTH, ndonëse zbërthimi i vetëm i saj asht ky:

LUKTH m. anat.
shih LUGTH,-i 2, 3.

Pra, përdoruesi i Fjalorit orientohet te kuptimet 2 e 3 të leksemës LUGTH.

Te leksema LUGTH, Fjalori 1980 jep:

LUGTH m.

  1. Lug i vogël kroi, lëfyti i kroit. Bie uji nga lugthi.
  2. anat. Pjesa e thelluar ndërmjet barkut e kraharorit, gropa e stomakut.
    Lugthi i zemrës (i gjoksit).
  3. anat. Stomaku.

Fjalori i fundit i Akademisë në Tiranë, i vitit 2006, i cili gëzon edhe nji variant elektronik në shitje nëpër pikat e Digitalb-it, nuk e jep leksemën LUKTH. Te leksema LUGTH ndërkaq, jepet në kllapa varianti me ‘k’, çka tregon se asht politikë e atyshme redaksionale me e sugjeru këtë variant si të nënrenditun. Kjo nënrenditje ka për ma tej funksionin që përdoruesin ta mënjanojë nga ky variant, tu ia rekomandu shkrojtësinë me ‘g’ si parësore. Zbërthimet e kuptimeve në Fjalorin 2006 janë të maposhtmet:

lugth,-i (lukth,-i)
emër i gjinisë mashkullore, sh. -e(t)

  1. lug i vogël; lëfyti i kroit.
  2. anat. pjesa kryesore e organit tretës te njeriu dhe te kafshët, si trastë muskulore, në pjesën e sipërme të barkut, ku bluhet ushqimi; stomaku.
  3. pjesa e thelluar nga jashtë, ndërmjet barkut dhe kraharorit, gropa e stomakut:
    lugthi i zemrës (i gjoksit).

Fjalori 2006, sikurse ai 2002, janë në masë të madhe redaktime të Fjalorit 1980, mbi të cilin bazohen, gja që shihet prej vetë fjalësit të përdorun nëpër zbërthimet e kuptimeve të fjalëve. Redaktimi i kuptimit 1, fjala vjen, nga I në II.:

I. (1980) Lug i vogël kroi, lëfyti i kroit. Bie uji nga lugthi.
II. (2006) lug i vogël; lëfyti i kroit.

shfaq ndryshime që ndikojnë edhe në vetë semantikën e fjalës. Më 1980 kuptimi lidhet detyrimisht me praninë e ujit që lëviz nëpër nji lug të vockël; fjala ‘kroi’ madje përsëritet. Kjo prani ma tej përforcohet edhe prej shembullit ilustrues: “Bie uji nga lugthi”. Ky kontekst, në rrafshin pragmatik të hetimit, pra prania e ujit, nuk figuron ma më 2006, sepse spjegimi i parë që jepet aty mënjanon fjalën ‘kroi’, dhe para se të jepet kuptimi tjetër, ai “lëfytit të kroit”, dora redaksionale zavendëson presjen me pikëpresje, çka ka funksionin e nji ndamjeje ma të madhe konceptuale mes dy kuptimeve të vargueme. Shembulli ilustrues asht fshi fare. Kjo ma tej e largon kontekstin e ujit. Edhe mirë kështu, sepse përdoruesi, që njikohësisht asht edhe krijues i gjuhës, nëse vendos me emërtu kësisoj nji lug të vockël a të ngushtë çfarëdo, tu i shtu mbaresën zvogëluese –th, nuk kufizohet me e vu fjalëzën e përdorun/krijueme detyrimisht në kontekst uji nga orientimet e njianshme të Fjalorit 1980. Me fjalë tjera, ky përrethim pragmatik nuk ia kufizon ma semantikën fjalës, sidomos në dritën e gjetjeve të fjalës nëpër internet (ma poshtë).

Asht me u vu re se kuptimi i ‘stomakut’ jepet si i 2-ti në redaktimin e vitit 2006, e jo ma i 3-ti si më 1980. Kjo flet për nji vetëdijesim ndër redaktorët se kuptimi “stomaku” asht shum ma i përhapun sesa ai i ‘gropëzës së thellueme nga jashtë mes barkut e krahnorit’.

Kuptimi 2. që jepet për leksemën LUGTH asht kopju drejtpërdrejt prej spjegimit përkatës te leksema STOMAK:

stomák,-u
emër i gjinisë mashkullore
sh. -ë(t) anat.

  1. pjesa kryesore e organit tretës në barkun e njeriut dhe të kafshëve në trajtën e një traste muskulore:
    – stomaku i njeriut;
    – stomaku i përtypësve plëndësi. [sic!]
  2. bised. bark.

Pra, ndonëse ‘stomakut’ i njihet kuptimi i dytë, ai i barkut, që cilësohet i gjuhës bisedore, nuk jepet kurrfarë sinonimie me ‘lukthin’, ndryshe nga Fjalori i vitit 1980, që jep:

STOMAK m. anat.
Pjesa kryesore e organit tretës te njeriu dhe te kafshët, që ndodhet në pjesën e sipërme të barkut, fill pas kapërcellit dhe që ka trajtën e një traste muskulore, në të cilën bluhet ushqimi.
Stomaku i njeriut mulla, lukthi.
Stomaku i përtypësve plëndësi.
Muret (faqet) e stomakut. Lëngu i stomakut. Dhembje stomaku. Ka një rëndim në stomak. Nuk ia duron stomaku. Iu prish stomaku.

Pra, nëse më 1980 lexojmë:

Stomaku i njeriut mulla, lukthi.
Stomaku i përtypësve plëndësi.

Kjo përdoruesin e njofton se togfjalëshat me italic kanë këto sinonime përkatëse:

  1. kur ‘stomak i njeriut’ edhe ‘mullë’ e ‘lukth’,
  2. kur ‘stomak i kafshëve përtypëse’, atëherë edhe ‘plëndës’

Redaktimi më 2006 vendos mos me ofru kurrfarë sinonimie për stomakun e njeriut dhe pjesën e masipërme e jep të ndryshueme kësisoj:

  • stomaku i njeriut;
  • stomaku i përtypësve plëndësi.

Meqë gjithçka nga landa e mbetun del në italic, ajo që përdoruesit tashma i ofrohet nuk asht sinonimia, por veç dy shembuj ilustrues. Janë heqë sinonimet ‘mulla’ e ‘lukthi’ në rastin e parë. Asht shtu ngathtësisht stili italic te fjala ‘plëndësi’, dhe ma as fjala nuk lexohet si sinonim i stomakut të përtypësve, e as lexohet vetë fraza si shembull ilustrues.

Pra, sinonimi i ‘stomak’ jepet ‘lukth’ më 1980, para se ‘lugth’, çka tregon se përpiluesit po punojnë me vetëdijen se stomaku i njeriut ka për sinonim variantin me velaren e shurdhueme në ‘k’. Shurdhimi asht për t’u pritë nga përdorimi i shpeshtë i fjalës me kuptimin e ‘organit tretës’, sepse njerëzit detyrimisht do të flasin për të, veçmas kur qahen ndoj dhimbë a hall. Përdorimi i shpeshtë ia dikton velares asimilimin nga e zashme ‘g’ në të shurdhtën ‘k’, nën ndikimin e po të shurdhtës ‘th’. Shkurt, ‘lukth’ vjen ma lehtë e shqiptueshme sesa ‘lugth’.

LUKTH (varianti me ‘k’) që, ndonëse në Fjalorin 1980 e adreson përdoruesin te kuptimet 2 e 3 të leksemës LUGTH, figuron megjithatë si leksemë më vete, nji status ky të cilin redaktorët e Fjalorit 2006 vendosin me ia heqë.

Ka megjithatë në vetë Fjalorin 1980 nji shpërputhje mes parapëlqimit, nga njana anë, të trajtës LUGTH si parësore (meqë zbërthimet kuptimore jepen te kjo leksemë) dhe nga tjetra anë vendimit që për sinonim tëstomakut të njeriut përdoruesit t’i sugjerohet varianti me ‘k’: ‘lukth’. Kjo tregon se hartuesi i leksemës, që sugjeron trajtën ‘lukth’, a mbase edhe redaktori i Fjalorit, pikërisht këtë variant e din për sinonim tëstomakut të njeriut.

Kërkimi për “lugth”, “lugthin”, “lugthit” në Google jep krejt pak gjetje. Qe nji pjesë e tynia, që ndihmojnë me i kapë kuptimet e fjalës.

  1. [gjuhësi]: turqisht fjala – çezmë- emërton vetëm gypin a lugthin nëpër të cilin kalon uji
  2. [darvinizëm]: Kështu tek sisorët me thundra të ndara, rregullisht janë të lidhura me lugthin e ndërlikuar për ripërtypje.
  3. [koment në forum]: M’gufo zemra ene du me kënu me gjithë lugthin e shpirtit : Të rrojë Enveri, të rrojë Partia, O që na bëri o me shtëpiaaa.
  4. [kritikë libri me tregime]: Prandaj e ndjej të ndodhem personazh në “ 30 vjet lumturi” e si I tillë bie në kthetrat e saj me ndjenjën dashuri në zemër, lugthin e tharmin e një rruge të ngushtë që të çon tek një varrezë gjigande ku shkruhet në krye të saj varrosja e lumturisë.
  5. [mjekësi popullore]: Po ashtu, përgatis bar natyror për shërimin e bronkitit dhe të astmës, të sëmundjes së sheqerit, të pezmatimit të lugthit, zhdukjen e baktereve në lugth.
  6. [përkthim letrar]: Buck Mulligani iu sul lugthit nën buzën e poshtme
  7. [diçiturë poshte nji fotoje me pako cigaresh]: #lucky#strike#pirja#e#duhanit#vret#hahahahahahha#une#e#kom#lugthin#gur
  8. [marrë nga nji “Veteinterviste”]: UNË KAM DY ARMIQ TË JASHTËM (SERBIA E GREQIA) DHE DY ARMIQ TË BRENDSHËM (LUGTHI IM E KËMBËT E MIA)!

Shembujt 2, 5, 7, 8 emërtojnë organin e tretjes. Quhet ‘lugth’ nji lug i ngushtë a i vogël çfarëdo në shembujt 1, 6. Te shembujt 3, 4, përdorime ma fort konotative sesa denotative, asht vështirë me e përcaktu saktë nocionin e menduem prej autorit, por mbetet e qartë se nuk asht fjala për organin e tretjes. Pra, gjithsej nji
grusht gjetjesh, ndër to gjysma me kuptim organi.

Ndërkohë gjetjet me ‘lukth’ japin me dheta mija shembuj që i referohen organit.

Propozime e pyetje

Del se hap ma i shëndoshë për fjalorët e ardhshëm asht me e nda leksemën LUKTH nga LUGTH. Te leksema LUGTH me i dhanë kuptimet përkatëse të nji lugu të vockël e të ngushtë, në natyrë a në trup njeriu. Edhe mund të sugjerohet kuptimi i organit të tretjes. Mbasi përdorimet që gjenden janë të pakta, ose të vjetra, (mësojmë se ‘lugth’ paska përdorë Sami Frashëri) a asht ma e udhës me e orientu lexuesin

me “shih LUKTH”, tu ia rekomandu kështu këtë përdorim si të sotëm e të përgjithshëm për kuptimin përkatës?

Leksema LUKTH, mësojmë, gjen sot përdorim nëpër tekste shkollore, letrare, udhëzime farmaceutike, artikuj portalesh të internetit nga e gjithë hapësira shqipfolëse, me kuptimin e ‘organit tretës’.

Për aq sa përdoruesi i

kthehet fjalorit për qartësime, i ndihmojmë nëse e orientojmë me sinoniminë lukth stomak, tu e dhanë sinonimin përkatës te të dyja leksemat dhe tu i përfshi këtu edhe ato kategori përdoruesish që mund të mos i dijnë fare kuptimin njanës ose tjetrës fjalë.

Te leksema STOMAK sinonimia me lukthin jepet te kuptimi i parë i leksemës STOMAK, ai i ‘organit tretës’, në mënyrë që përdoruesi të udhëzohet se veç ky kuptim i stomakut asht sinonim me ‘lukth’, jo edhe kuptimi 2. bark.

Prandaj qe edhe do propozime, e do pikëpyetje:

LUGTH- i m. sh. -e(t)
Lug i vogël a i ngushtë.
2. shih LUKTH [ose] 2. Lukth [ose të mos ketë kuptimin e dytë?]

Fjalori 2006 për STOMAK jep edhe shkurtesën anat. Nëse do të mbahet për STOMAK duhet vu edhe për LUKTH. Por, nuk di nëse kjo anat. e ndihmon përdoruesin me i kuptu ma mirë leksemat LUKTH e STOMAK, tu qenë se ajo na kufizon te kuptimet denotative të leksemave (organi), ndërkohë që të dyja mundet me pasë edhe përdorime konotative (kuptime alegorike).

Qe do gjetje të tilla nga Korpusi i gjuhës shqipe –

  • Ismail Kadare, Kronikë në gur (1980):

Lumi, i fryrë jashtë mase nga ky gllabërim, mundohej ta treste në lukthin e tij.

  • Agim Gjakova, Hajgare në tempullin e mediave (2000–2003):

Kjo u prit me hajgare në fillim, por pati edhe asi sponosorizuesish të eksperimenteve në gjellëtari, që thanë se një recetë e tillë po studiohej nëpër të gjitha guzhinat e «stomakut evropian» dhe se ishte shënuar dhe po donte të provohej edhe në ato të «stomakut amerikan».

Pra anat. e kufizon domenin e përdorimit, tu e sugjerue leksemën si nocion anatomik, dhe kjo për përdoruesin mund të ketë kuptimin se leksema i përket disi ma fort domenit të anatomisë sesa ndonji tjetri, ndërkohë që leksemat LUKTH e STOMAK përdoren edhe në domene tjera. Pra, e ndihmon përdoruesin e fjalorit shkurtesa anat. me ua kapë ma lehtë e mirë kuptimin leksemave LUKTH e STOMAK, apo thjesht ia kufizon fushën konceptuale që ka rreth këtyne dy leksemave?

(Ky studim leksikografik u qarkullua për lexim mes gjuhtarësh dhe dashamirësh në prill 2014 me titullin “Ide e pikëpyetje për nji trajtim bashkëkohor të leksemave LUGTH, LUKTH, STOMAK.”)

Nga

Gazmend Bërlajolli

Gazmend Bërlajolli

Gjuhëtar i shkolluar në Angli. Merret me studime dhe përkthime letrare. Shkrun në standardin e vjetër t'Elbasanit dhe zotohet për një gjuhë kombëtare gjithëpërfshirëse për shqiptarët.

Një mendim për “Lugth, lukth, stomak: Nji trajtim bashkëkohor”

  1. Te pergzonj per k’t dorshkrim e t’uronj edhe m’shum ne t’ardhmen,
    Si me e da fjalen [lug] nga sllavishtja [log]; LUG E LUGJE thuet se jan te huazume nga sllavishtja e me pas ka ba zhvillime semantike ne g’juen arbneshe…

Le përgjigje