Rreth dialektit të Elbasanit

Përbërja e përzjerë e popullësisë gjithashtu ka mundur të jetë njëri ndër faktorët që kanë kushtëzuar të përhapurit e tipit të pëgjithësuar të të folmes që është formuar në zonën dialektore gege të jugut dhe që ka pasur karakter të koinesë popullore-bashkbiseduese.

Për arësye se si qendër më e rëndësishme ekonomike dhe kulturale në pjesën gege të Shqipërisë së mesme padyshim ka qenë Elbasani, të formuarit e koinesë gege të jugut është bërë në bazë të të folmes së Elbasanit. Nuk është e rastit që e folmja e Elbasanit qëmoti ka fituar një famë të madhe „të normës ideale” të të folmes shqipe. Ky fakt disa herë është theksuar në literaturë. Kështu, botaniku gjerman A. Grizebah, që ka udhëtuar nëpër Siujdhesën Ballkanike më 1839 dhe që në udhëpërshkrimet e veta u ka kushtuar disa faqe „kufinjve gjuhësorë me Rumelinë” („Sprachgrenzen in Rumelien”), ka kumtuar për dëshminë, të cilën e ka dëgjuar: „Shqipen më së miri (das beste Albanische) e flasin në Elbasan”. Në Shqipëri, në atë kohë’ka qenë e popullarizuar fjala e urtë: „Shqipia e Elbasanit, turçja e Stambollit”, sipas së cilës e folmja shqipe e Elbasanit është krahasuar me të folmen turke të Stambollit. Gjithashtu, është karakteristik mendimi, që është thënë në mesin e shekullit të kaluar prej iluministit të Shkodrës, Zef Jubanit. Duke ëndërruar krijimin e gjuhës së përgjithshme letrare për tërë vëndin, ai ka vërtetuar se e folmja e Elbasanit është një ndër të folmet më të përkryera të Shqipërisë.

Koineja bashkëbiseduese e krijuar në bazë të të folmes së qytetit të Elbasanit ka fituar një përhapje të gjerë në qytetet dhe në lokalitetet e fshatrave të Shqipërisë qendrore. Ajo gjithashtu kuptohej prej banorëve të shumë krahinave malore të afërta dhe të largëta, që në ditët e tregut vinin në Elbasan dhe madje ka mundur të përdoret si mjet që ka lehtësuar të komunikuarit reciprok në mes përfaqësuesve të disa të folmeve që dallohen qartë midis tyre.

Nahtigali që ka vizituar Elbasanin më 1916, ka kumtuar se, sipas të dhënavet të prefekturës së vendit, në tregun e këtij qyteti tuboheshin në atë kohë banorët e Dibrës, të Strugës, të Ohrit, të Starovës, të Kukësit, të Gramshit, të Beratit, të Lushnjës, të Peqinit, të Kavajës, të Durrësit, të Shijakut, të Tiranës dhe madje nganjëherë vinin (për duhan) edhe nga vendet e largëta të jugut të Përmetit, të Korçës dhe të Kolonjës. Tregëtarët e Elbasanit në këtë rast ishin si përkthyes, për arësye se e folmja e tyre kuptohej nga të gjithë.

Në këtë mënyrë, e folmja e Elbasanit (ose, më saktë, – koineja bashkëbiseduese gege e jugut) ka pasur funksionin e lingua franca, duke siguruar të kuptuarit reciprok jo vetëm të banorëve të krahinavet qendrore të Shqipërisë, por gjithashtu edhe të përfaqësuesve të vendevet më të largëta të veriut, të lindjes dhe të jugut të territorit të Shqipërisë.

Karakteri i unifikuar i këtij tipi të të folmes shqipe ka qenë thek- suar nga G. Vajgandit. „Gramatika e shqipes në bazë të dialektit gegë të jugut” e përpiluar prej tij, si nëntitull ka emrat te qytetevet — Durrës, Elbasan, Tiranë, në të cilat autori i ka bërë vështrimet e tij linguistike. Vajgandi mendonte, se „e folmja e Elbasanit, respektivisht gegërishtja e jugut, përfshin krahinën, që shtrihet në mes Elbasanit, Durrësit, Krujës, Dibrës dhe Strugës”. Dallimet e të folmes së banorëve të Tiranës ose të Durrësit prej të folmes së elbasanasvet ai i ka konsideruar si të parëndësishme.

Uniteti i tipit të së folmes gege të jugut, që është përhapur në qytetet dhe në lokalitetet e fshatravet në rrafshinat e Shqipërisë qendrore, — është fakt praktikisht fare i njohur dhe që direkt i bie në sy vështruesve. Por, ky unitet nuk është absolut. Koinea popullore bashkëbiseduese e gegërishtes së jugut ka variantet e saj lokale, gjë që bën të mundur të flasim veçmas për të folmen e qytetit të Elbasanit, për të folmen e Tiranës së vjetër, për të folmen e rajoneve të Peqinit, të Durrësit, të Kavajës. Mirëpo, mund të pajtohemi me Vajgandin së dallimet këtu janë të parëndësishme. Veçori përcaktuese e tërë kësaj zone nuk janë dallimet por, anasjelltas, ngjashmëria, afërsia e variantevet të vështruara të të folmes.

Territori kryesor, në të cilin është përhapur koinea popullore-bashkëbiseduese gege e jugut, janë luginat e lumenjvet dhe rrafshinat e bregdetit në pjesën perëndimore të Shqipërisë qendrore. Si çerdhe e for mimit dhe e të përhapurit të saj kanë qenë qytetet. Të folmet e lokalitetevet malore që nga veriu, lindja dhe jugu bashkohen me luginat e lumenjvet të cilat presin Shqipërinë qendrore, në shkallë të ndryshme vijojnë të ruajnë veçoritë e tyre specifike, por duke iu nënshtruar ndikimit të përhershëm të të folmes së qendrave të qytetevet, me të cilat këto lokalitete janë të lidhura ekonomikisht.

Nga Plisi

Themelu më 28 nëntor 2012, Plisi është sajt për qytetari dhe shqiptari.