70-vjetori i bombës atomike në Nagasaki

Më 7 dhjetor 1941, Japonia i sulmoi ishujt amerikanë të Havajit. Shtetet e Bashkueme, që deri atëherë kishin qëndrue asnjanëse, i shpallën luftë Japonisë. Gati katër vjet ma vonë, konflikti ma i përgjakshëm që kishte pa ndonjiherë njerzimi përfundoi me fitoren e Juesejit.

Në verën e fundit të luftës, kryetari amerikan Harry Truman i ftoi japonezët të dorëzoheshin pa kusht ose të përballeshin «me shkatrrim të shpejtë e të plotë». Ditë ma vonë, Shtetet e Bashkueme lëshuen bombën atomike – mbi Hiroshimë më 6 gusht dhe mbi Nagasaki më 9 gusht. Japonia u dorzue shpejt, dhe Lufta e Dytë Botnore mori fund më 2 shtator 1945.

Se a ishte e udhës me përdorë bombën atomike dhe me flijue gati çerek milioni jetë njerzish mbetet e debatueshme. Ka shum historianë që thonë se Japonia do të dorzohej ashtu-kështu dhe se bomba qe e panevojshme për me i dhanë fund luftës.

Mirëpo paqja që pasoi i solli të mirat e veta. Amerikanët nderuen vullnetin e japonezëve për ta mbajtë perandorin në krye të shtetit. Por njiherësh qenë juristat nga Jueseji që hartuen thelbin e kushtetutës së re të Japonisë.

Shpallë më 1946, kryeligji i perandorisë nuk asht ndryshue asnjiherë, ndërkohë që ka shërbye si themel për nji shtet paqsor, të zhvilluem, e demokratik, në miqsi me Shtetet e Bashkueme dhe me popujt dashamirë të botës.

Qe, përkthye shqip, parathania (preambula) e kushtetutës japoneze:

KUSHTETUTA E JAPONISË
shpallë më 3 nandor 1946
hy në fuqi më 3 maj 1947

Ne, populli japonez, tue veprue përmes përfaqësuesve tanë të zgjedhun me meritë në Ditsorin Kombtar, të përcaktuem për t’ia sigurue vetes dhe brezave që do të vijnë frytet e bashkëpunimit paqsor me të gjitha kombet dhe bekimet e lirisë në mbarë kët dhé, dhe të vendosun se kurrë ma nuk do t’i shohim tmerret e luftës përmes veprimit të qeverisë sonë, shpallim se pushteti sovran i takon popullit dhe fuqishëm vendojmë kët Kushtetutë. Qeveria asht besim i shejtë i popullit, autoriteti i së cilës rreth nga populli, pushtetet e së cilës ushtrohen nga përfaqësuesit e popullit, dhe të mirat e së cilës i gëzon populli. Ky asht parim i gjithsishëm mbi të cilin ngritet Kushtetuta. Ne i shkagojmë dhe heqim dorë nga të gjitha kushtetutat, ligjet, urdhnesat dhe shkresat zyrtare që bien ndesh me këtë Kushtetutë.

Ne, populli japonez, dëshirojmë paqe përgjithmonë dhe jemi thellsisht të ndërgjegjshëm për idealet e nalta që drejtojnë marrëdhaniet njerzore, dhe kemi vendue me e ruejtë sigurinë dhe qenien tonë tue iu besue drejtësisë dhe besës së popujve paqedashës të botës. Ne dëshirojmë të zamë nji vend të nderuem në shoqninë ndërkombtare që mundohet me ruejtë paqen dhe me ndalue tiraninë e skllavninë, shtypjen dhe mosdurimin për sa të ketë mot mbi rruzull. Ne pranojmë se të gjithë popujt e botës kanë të drejtën me jetue në paqe, të lirë nga friga dhe ngushtimi.

Ne besojmë se asnji komb nuk asht përgjegjës vetëm ndaj vetvetes, por se ligjet e moralit politik janë të gjithsishme; dhe bindja ndaj ligjeve të tilla asht detyrë e të gjitha kombeve të cilat do ta ruenin sovranitetin e vet dhe t’arsyetonin marrëdhaniet e tyne sovrane me kombet tjera.

Ne, populli japonez, besatojmë nderin tonë kombtar për t’i mbërri këto ideale dhe qëllime të nalta me të gjitha mjetet tona.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avokat prej Prishtine të Dardanisë. Shkrun për shqiptarët, gjuhën, historinë, e politikën. Lexon çkamos. Ndihmon me mirëmbajtë sajtin për shqiptari, Plisi.org.

Le përgjigje