Veturës shqip i thonë kerr

Mjaft u ngridhuet! Ai prind që me ose pa vetëdije e mëson fëmijën se duhet me thanë veturë e jo kerr asht tue mbrumë nji krijesë të damshme për shoqninë. Sepse tue e shtrëngu me folë në nji mënyrë të caktueme, i madhi e bind të voglin se mënyra tjetër asht gabim dhe se ata që flasin ashtu nuk dijnë — pra, jan joqytetarë, të paarsimuem.

Kalamaja me prindin gojëpedant tani rritet i lumtun se din diçka ma shum se fëmijët e atyne që s’duen, s’mujnë, ose s’jan (as gjallë) për me ua mbjellë të folmen «me gramatikë». Ndërkaq, babi e mami veturë-thanës rëndom i kan kushtet me ua mundësu pasaardhësve të tyne nji jetë ma të mirë, prej ushqimit te shkollimi, shoqnimi, e nji varg të mirash që mun i prek me dorë. Ata ndodh iu blejnë fëmijëve edhe «veturë me kilometrazh zero-zero».

Qoftë të vegjël, qoftë të rritun, carrokët që thonë veturë i paragjykojnë ata që thonë kerr. Dhe i shtypin e ndrydhin me veturë ata që thonë kerr por padrejtësisht s’i kan mundësitë me e ble nji. Dhe për të shtypun e të ndrydhun, veturë-thanësve nuk guxon kush me iu lypë përgjegjsi.

Kështu, besimi se të gjithë jemi bashkëkombas të barabartë del se ka qenë rrenë e kullueme e të pafëtyrëve, që me mundin e të paprishtëve, e qitën jasht anmikun e dikurshëm, por tash e zunë vendin e tij.

Prandej, po thom, mjaft u ngridhuet «me gramatikë» dhe me mendjemadhsi tjera të sojit fashist. Mjaft e frangjeshët gjuhën dhe vetvetsinë e shqiptarëve me mportime të panevojshme prej France. Me folë me Ö ja me thanë e me shkru kerr nuk asht gabim; asht — shkurteshqip — shqip!

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.