Foto: Kushtetutat e Sërbisë, Vojvodinës, dhe Kosovës (autonomija.info)

Amendamenti 47

Borisav Jovići, dhelpna e politikës serbe, krimineli mbrapa perdesh, në kujtimet e tij hedh dritë për ngjarjet që i paraprinë ndryshimeve kushtetuese të vjetit 1989. Tregon se si edhe vetë Miloševići ishte lëkundë rreth amendamentit të famshëm 47, në kushtetutën e Serbisë, me të cilin hiqej vota e krahinave autonome për miratimin e çfarëdo ndryshimi në kushtetutën e Serbisë.

Në të vërtetë kjo tregon edhe lojën që asht lujtë mbrapa perdesh. Jovići asht i bindun që Kuvendi i Kosovës ka me i miratu ndryshimet. Çfarë dinte Jovići ma shumë se Miloševići?

Borisav Jovići qe përfaqësues i Sërbisë në kryesinë shumantarëshe të Jugosllavisë nga 1989 deri në shpërbamjen e federatës. Mes viteve 1990–91, shërbeu si kryetar i radhës i kryesisë jugosllave.
Borisav Jovići qe përfaqësues i Sërbisë në kryesinë shumantarëshe të Jugosllavisë nga 1989 deri në shpërbamjen e federatës. Mes viteve 1990–91, shërbeu si kryetar i radhës i kryesisë jugosllave.

Borisav JOVIĆI, ‘Meritat për ndryshimet kushtetuese’

nga libri Zašto bih ćutao (Pse me heshtë), Beograd, 2014, fqt. 126–29

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 Serbia juridikisht u bashku me dy krahinat autonome dhe fitoi të drejtën me vendosë për kushtetutën e vet, pa tutelën e tyne të deriatëhershme.

Në atë kohë, rastësisht, si kryetar i Kuvendit Popullor të Serbisë dhe kryetar i Komisionit Kushtetues, unë kam qenë në krye të ekipit që e bante këtë punë.

Do ta tregoj një ngjarje e cila, për pak, do ta parandalonte kthimin e sovranitetit kushtetues të Serbisë, ose të drejtën për me vendosë për kushtetutën e saj.

Vetëm disa ditë para vendimit për ndryshimet kushtetuese të propozueme në Kuvendin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë (gja që ishte parakusht për marrjen e vendimeve në Kuvendin Popullor të Serbisë) më ftoi Slobodan Miloševići (atëherë kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Serbisë) dhe këmbënguli që nga zgjidhjet e propozueme kushtetuese me heqë amendamentin 47, i cili përcaktonte të drejtën e Kuvendit Popullor të Serbisë me vendosë në mënyrë të pavarun për kushtetutën e Serbisë, pa pëlqimin e krahinave autonome. E ky ishte ndryshimi ma i randësishëm i parashikuem kushtetues.

Miloševići më shpjegoi se atë e kanë vizitu përfaqësuesit ma të naltë të serbëve nga Kosova dhe Metohija, Vukašin Jokanovići dhe Tomislav Sekulići, dhe ia kishin paraqitë vlerësimin e tyne se Kuvendi i Kosovës e Metohisë ka me i kundërshtu të gjitha ndryshimet e propozueme kushtetuese në qoftë se nuk do të heqim dorë nga amendamenti 47. Miloševići besonte se vlerësimi i tyne ishte realist dhe binte dakord me propozimin e tyne. Aj këmbëngulte me ba këtë, gjegjësisht që amendamentin 47 me heqë nga teksti i ndryshimeve kushtetuese.

I thashë se vlerësimet e tyne janë të gabueme dhe se asht absolutisht e papranueshme për mue me heqë amendamentin 47. I shpjegova se të gjitha amendamentet, tue përfshi edhe atë, asht ba në pajtim me përfaqësuesit zyrtarë të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosovës e të Metohisë në Komisionin Kushtetues, dhe se nuk muj me i kuptu vlerësimet paralele dhe frigën e njerëzve që nuk janë në rrjedhën e marrëveshjeve zyrtare e të randa shumëmujore dhe pajtimi tek i cili asht arrijtë.

Miloševići vazhdonte me më bindë në një takim që u mbajt menjëherë pas kësaj me Petar Gračaninin, kryetar i Kryesisë së Serbisë dhe Bogdan Trifunovićin, kryetar i Partsië Socialiste të Serbisë.

Gračanini menjëherë e i doli krah Miloševićit ndërsa Trifunovići në fillim nuk komentoi gja. Polemika bahej mes meje e Miloševićit.

Miloševići kambënguli se na duhet me respektu vlerësimin e politikanëve më përgjegjës serbë nga Kosova e Metohija, të cilët, sipas mendimit të tij, munden ma mirë se na me vlerësu situatën.

Aj shprehu frigën se nëse vjen deri te refuzimi i të gjitha ndryshimeve të propozueme, për çka po na tërheqin vërejtjen politikanët serbë nga Kosova, hyjmë në qorrsokak politik nga e cila nuk ka me pasë shtegdalje. Për mos me ndodhë kjo, asht ma mirë, simbas tij, me sakrifiku amendamentin 47 dhe me ba atë që asht e mundun.

Qëndrimi jem ishte i bazuem në faktin se politikanët serbë, të cilët e kishin vizitu atë, në asnjë mënyrë nuk kishin marrë pjesë në procesin e harmonizimit në Komisionin Kushtetues, ku ishte arrijtë deri te pajtimi me përfaqësuesit e Kosovës, madje edhe për amendamentin 47. I thashë se ata po mbledhin informacione nga njerëz jokompetentë, se kanë frigë se mos ndodh diçka e pakandshme gjatë votimit në Kuvendin e Kosovës e Metohisë dhe po dojnë që, për çdo rast, mos me marrë përsipër përgjegjësi.

Pohova se prej politikanëve të këtillë serbë na mujmë me pasë vetëm dam, në vend të ndonjë dobie, dhe se Miloševići, ngaqë s’asht i informuem mjaftueshëm në lidhje me punën e ndryshimeve kushtetuese, i ka leju vetes mos me i besu as mue, as Komisionit Kushtetues, i cili për muej të tanë kishte punu me mundime të mëdha dhe kishte ardhë deri te një dakordim, e aj tash kërkon, që në bazë të informacioneve absolutisht të pathemelta, gjithë atë punë ta “hedhim në ujë.”

Për shkak të krejt kësaj, konsideroja se nuk kishte asnjë arsye me anulu amendamentin 47 dhe se ky do të ishte një gabim historik me pasoja largvajtëse e të papërmirësueshme.

Përsërita se në asnjë rrethanë nuk muj me u pajtu me kërkesën e Miloševićit, e nëse mbetem në pakicë jap dorëheqjen dhe opinionit publik kam m’ia shpjegu arsyen. Besoj se opinioni publik ka me dënu një vendim të tillë.

Atëherë mori fjalën Bogdan Trifunovići dhe më përkrahu mue.

Aj tha se unë kisha të drejtë dhe se qytetarët nuk do të mujnë me kuptu çfarë jemi tue ba, në qoftë se kështu kalehtaz, propozojmë e masandej heqim dorë prej vendimeve kaq të mëdha politike.

Kjo e lëkundi Miloševićin. Aj u ndal, u mendu dhe tha:

Në rregull, le të bëhet qysh po thotë Bora, por le të mbetet në përgjegjësinë e tij!

Ia ktheva se unë nuk i baj bisht përgjegjësisë për atë që baj dhe për mendimin që jap.

Deri atëherë, për të gjitha vendimet e dakordueme bashkë kishim marrë përgjegjësinë bashkarisht.

Mbrenda disa ditëve, Kuvendi i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë miratoi ndryshimet e propozueme kushtetuese në tanësi, tue përfshi amendamentin 47. Kur ndodhi kjo, Miloševići më puthi, gja që nuk ishte e zakonshme për të, dhe më tha se kurrë nuk kam me ta harru.

Nuk kaloi shumë kohë deri në çastin kur më përjashtoi vrazhdësisht nga jeta politike, dhe aparat i tij propagandues më fshiu formalisht nga të gjitha dokumentet publike, nga të cilat kish mujtë me u pa pjesëmarrja jeme në punën e ndryshimeve kushtetuese. Në të njëjtën kohë kudo theksohej se ndryshimet kushtetuese të vitit 1989 ishin suksesi ma i madh politik i Miloševićit.

Megjithatë, ramjen e reputacionit të tij politik nuk mun e ndalte asgja.

përkthimi: A.M.

(Ndalohet kopjimi nga portalet e gazetat!)

Nga

Agim Morina

Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.

Le përgjigje