Ç’e duam partinë?

Pse vendi ynë të mos ketë zgjedhje jopartiake? Të paktën, t’i hedhim kokrrat jo për parti, por për kandidatë veçeveç. Le ta shkruajnë paratenduesit emrin e vet në fletëvotime dhe të shtojnë po deshën (në kllapa) nofka, slogane a emra partish. Por të mos na detyrojë sistemi me ia dhënë votën nji grupi e as mos t’ia njehë votën tonë partisë, të cilën shkenca shoqërore e mban për organizatën më të korruptuar që ka pjellë mendja e dora e njeriut.

Për të dytën herë brenda nji muaji, partitë e kanë futë Dardaninë në mengene, ndërsa shtyhen se cilës i takojnë detyrat e larta shtetërore. Sapo Gjykata Kushtetuese shtjelloi çështjen e kryeministrit, plasi sherri rreth kryekuvendarit. Partia Demokratike, që mori shumsinë por jo shumicën e votave në zgjedhje, thotë se i takon asaj me paraqitë kandidatin për kreun e Kuvendit. Treshi LAN i subjekteve që u bënë tok pas zgjedhjeve shpreson që kryetari i pezulluar të mund ta vazhdojë punën e vet.

Prej se është themelu, Gjykata Kushtetuese ka qenë shpesh burim i shpresës për shtetin e së drejtës. Sogjetarët e Kushtetutës hoqën haraçin që KEK-u e mblidhte për RTK-në. U kujdesën që banorët e Prizrenit të kenë hisen e tyre në stemën e qytetit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike a fuqinë politike në komunë. Dhe më 2010, detyruan kreun e shtetit të japë dorëheqje, mbasi e mbajtën përgjegjës për shkeljen e ligjit më të lartë të vendit.

Por kur partitë u paraqitën në Gjykatë me qëru hesape politike, pakkush u lakmoi gjyqtarëve për detyrën që kishin me e kry. Sistemi ynë qeverisës i kishte ngarku me çështje që, për qytetarët, nuk duhet as të ekzistojnë. Sepse telashet paszgjedhore sivjet nuk janë përpjekje me mbrojë demokracinë në vend, por thjesht garë e ndytë mes partive për pushtetin që i takon popullit.

Kur qytetarët dolën në votime në qershor, ata zgjodhën përfaqsuesit e tyre në Kuvend. Por tani, s’bëhet fjalë se ç’deputet, por ç’parti paska fitu të drejtën me udhëheqë. Thua se partitë janë të domosdoshme për demokracinë në këtë shtet? Pse s’i pyesim ata që e kanë provu shum para nesh?

Në Shtetet e Bashkuara, vota e qytetarit i njehet nji kandidati, pa marrë parasysh partinë. Kurse tri të katërtat e vendbanimeve amerikane caktojnë kryetarët dhe këshillat e qyteteve përmes zgjedhjeve jopartiake. Kjo domethënë se kandidatët garojnë si të pavarur, jo si antarë të nji partie. Ndër qytetet që e përdorin këtë sistem, Los Angelosi dhe Houstoni – pa ua llogaritë rrethinat – kanë më shum banorë se Kosova. Dhjeta të tjerë kanë më shum banorë se Prishtina.

Pse vendi ynë të mos ketë zgjedhje jopartiake? Të paktën, t’i hedhim kokrrat jo për parti, por për kandidatë veçeveç. Le ta shkruajnë përtenduesit emrin e vet në fletëvotime dhe të shtojnë po deshën (në kllapa) nofka, slogane a emra partish. Por të mos na detyrojë sistemi me ia dhënë votën nji grupi e as mos t’ia njehë votën tonë partisë, të cilën shkenca shoqërore e mban për organizatën më të korruptuar që ka pjellë mendja e dora e njeriut.

Kjo s’është thirrje me i ndalu partitë, aq më pak me mbytë demokracinë. Në nji republikë të mirëfilltë, qytetarët janë të lirë të tubohen në parti ose grupe, të zhvillojnë fushatë bashkërisht mbi nji platformë a program të përbashkët, si dhe ta gëzojnë brenda kufizimeve të ligjit mbështetjen financiare prej partisë a grupit të tyre. Por përfaqsuesit e popullit zgjedhen me përfaqsu popullin, jo partinë. Andaj, ligji s’duhet t’u krijojë privilegje zyrtarëve të zgjedhur vetëm pse i përkasin nji subjekti politik.

Kjo është thirrje për reformë zgjedhore. Mbase kështu nji ditë, s’do kishim më përplasje në Kuvend.

(Ky shkrim u botua me disa redaktime drejtshkrimore në Gazetën Tribuna më 5 gusht 2014.)

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Një mendim për “Ç’e duam partinë?”

Le përgjigje