Ulërima në veshin e shurdhër

Këtij kombi që po i vrasin gratë, dhe nuk i gjejnë kurrë vrasësit. Se jeta e grave këtu s’rrit peshë. Ka gra me shumicë…

Kështu shkroi Rudina Xhunga para disa vitesh kur gratë po vriteshin, e ndërgjegjet njerëzore po binin në vorbullën e heshtjes dhe të pasigurisë, nëse gruaja ka faj edhe kur vritet.

Kjo s’mbaroi kurrë, gratë po vriten prej burrave, në sytë e pafajshëm engjëllor, midis duarve të vogla që mbrojnë fuqishëm gruan që ikën shpejtë në pafundësinë e një qielli të errët, që përqafohet paparalajmërueshëm me vdekjen, pameritueshëm poashtu, dhe ne ende po flemë. Ne flemë, ndërkohë që jeta e Zejnepe Bytyqit morri fund në mënyrën më barbare, në shkelje të çdo të drejte njerëzore.

Zejnepja është vetëm një nga shumë rastet e dhunës në familjë, që hyn në ato pak raste ku dhuna denoncohet në organet kompetente të ligjit, dhe mbeten në pritjen e një përgjegje, që vjen tek atëherë kur gjithçka merr fund.

Viktimat e dhunës në familje, më së shpeshti has të jenë gra dhe fëmijë, ku si rrjedhojë dhuna nuk guxon të trajtohet ndryshe pos si problem privat, e jo problem i shoqërisë, çfarë në realitet është.

Në një takim me gratë, si target-grup në çështjet e dhunës në familje, njëra tha: «Çka me e lajmëru, kur policia nuk po vijnë kurrë?» Por derisa ajo i nxorri këto fjalë, u desh goxha kurajë se askush s’do të fliste keq për të. Këtu shfaqet stigma, ku denoncuesi i dhunës asnjëherë nuk është i liruar nga paragjykimet dhe stereotipet në komunitetin ku ajo/ai bën pjesë.

Statistikat thonë se vetëm pesë për qind e grave e denoncojnë dhunën në familje, të shtruar ndaj vetë atyre, pavarësishtë punës ndërgjegjësuese që është bërë këto vite të fundit. Si do të mund të ishte ndryshe, kur një tjetër grua në takim tregoi se «policia kanë thanë kur të mytin vijmë, jemi mësu ma me juve». Këtu doja të dilja, se mosdenoncimi i dhunës, shpeshherë mund të rezultojë si shkak e asaj se dhuna në familje rrallë herë penalizohet si krim. Këtu bënë pjesë edhe rasti i Zejnepes, ulërima në veshin e shurdhër.

Nëse kthehemi tek shkaqet, dhuna na del si një problem shoqëror që i i ka rrënjët në përcaktimin e roleve të grave në pozita inferiore, gjë që i bën ato të varura ekonomikisht, të varura nga mentaliteti dhe tradita.

Shoqëria jonë shpeshherë i kërkon gruas të shfaqë tiparet femërore (sipas stereotipeve gjinore): të jetë e butë, e bindur, e urtë, e nënshtruar. Madje, roli i patriarikut i prek edhe gratë sa burrat. Kështu, në një diskutim tjetër, dëgjova përsëri një grua që thoshte se «të shumtën e rasteve gratë e kërkojnë dhunën, sepse ato nuk janë amvise të dashura, motra punëtore dhe shoqe fisnike, dhe se kurrë nuk kanë pasur më shumë të drejta dhe liri, por po i keqpërdorin».

Domethënë, mendimi dhe e drejta këtu i përkasin burrit, ndërsa gruaja ka lindur për me heshtë, dhe se gjuha e saj është ajo lloj gjuhe të cilën burri e dëshiron si nënshtrim të përjetshëm. Kjo domosdoshmërisht ta sjell në mend thënien e Remarquezit: «Tregomë ti se ç’kam unë se unë vetë nuk di të flasë».

* * *

Rikthehemi tek Zejnepja, viktima e fundit e dhunës në familje, u prehtë në paqe! Nuk i mbijetoi as parimit të drejtësisë që thotë se çdo individ duhet të jetojë i lirë dhe i paprekur nga dhuna. Madje as parimit të efektshmërisë që kërkon kujdes të veçantë ndaj viktimës së dhunës në familje. Dhe sado që ne përpiqemi ta dëshmojmë se gjërat kanë ndryshuar, dhe gjërat e tilla nuk tolerohen më, ato shfaqen kundër gjithë neve, duke ia marrë Zejnepes jetën, ashtu siç ia morrën edhe Diana Kastratit.

Të dyjat njëjtë, bashkëshortët e të cilave i kishin sulmuar, i kishin rrahur, i kishin kërcënuar, dhe për të dyjat njëjtë drejtësia kishte vonuar. Policia dhe gjykatat i kishin vrarë të dyjat, njërën 27-vjeçe, nënë e një vajze, dhe tjetrën 39-vjeçe, nënë e tre fëmijëve.

Të indinjon fakti se në shoqërinë tonë flitet për zhvillim të demokracisë, respektimin e barazisë gjinore, mbrojtjen me ligje dhe kushtetutës më të mirë në Europë, e këtu — në të njëjtin vend — ndodh dhuna në përmasa kaq makabre si këto që përmenda. Nuk do shpjegim se ku jemi katandisur.

Sot e përditë, në të dyja rastet fatale, dhuna e paralajmëruar neglizhohet, e neve na lind pyetja: Deri kur më? A veç pse jemi gra?

Këto raste, si Diana, si Zejnepja, nuk duhen harruar kurrë. Revolta duhet të shtrihet gjerë, dhe dhimbja jonë, e secilit që quhet njeri, të merret vesh dhe të kumbojë në portat e të gjithë atyre që sot kanë pak faj — që saherë vritet një grua kanë faj.

#unejamZejnepeBytyqi

Nga Rreze Abdullahu

Shkrimtare dhe psikologe nga Dardania. Shkrun për gratë dhe shoqërinë shqiptare. Autore e librit me kujtime, «Nuk du luftë».

1 koment

Komentet janë mbyllur.