Zgjidhje e krizës kushtetuese, zgjedhja e presidentit nga populli

Washington, D.C. Ndërkohë që udhëheqja e Kosovës këmbëngul në zgjidhje kushtuese të krizës së tanishme politike, duhet marrë parasysh vetë praktikat jashtë-kushtetuese që në të vërtetë na kanë sjellë në këtë çast vendimtar. Ndërsa Kushtetuta përcakton zgjedhjet parlamentare dhe nënkupton koalicionin qeverisës në rast se asnjë parti nuk fiton shumicën në Kuvend, ligji më i lartë i vendit nuk cek mënyrën se si duhet të formohet koalicioni, duke ua lënë partive politike që të ujdisen mes vete dhe të marrin vendim. Mirëpo marrëveshjet mes partive, ndonëse në dukje janë të një vije me Kushtetutën, shpesh ndjekin interesat e ngushta partiake, duke hapur shtegun drejt krizave politike, madje edhe drejt atyre kushtetuese.

Kur partitë më të mëdha të Kosovës, LDK dhe PDK, u pajtuan të formonin qeveri koalicioni më 2008, dukej se nuk e kuptonin njëmend që po shndërronin presidencën në një figurë shahu të papërshtatshme. Kur udhëheqësi i PDK-së, Hashim Thaçi, u ngarkua të formonte qeveri të re pas zgjedhjeve të 2007-ës, ai i premtoi presidentit të atëhershëm dhe kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, një mandat të ri pesëvjeçar në krye të shtetit, në kuadër të marrëveshjes për koalicion. Ndërkaq, Thaçi parashikoi për vete qëndrimin në pushtet për katër vjet si kryeministër i Kosovës, duke shpërfillur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme ose të dorëheqjes së presidentit. Përllogaritjet e kryeministrit e kthyen presidencën e republikës në zyrë partiake, përkundër dispozitës kushtetuese që përkufizon presidentin si përfaqësues të “uniteti[t të] popullit”.

Do të ishte gjykim i ngutshëm po t’ua numëronim Thaçit dhe Sejdiut si meritë shpikjen e kësaj taktike politike. Presidenca në të vërtetë u bë aset politik për partitë gjatë formimit të koalicionit qeverisës qysh më 2002, kur sipas parimeve të Kornizës Kushtetuese, tri partitë kryesore u pajtuan që Ibrahim Rugovën e LDK-së ta zgjidhnin President të Kosovës (LDK po ashtu mori postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa PDK-së iu dha kryeministri dhe AAK-së iu lanë disa ministri).

Presidenti zgjidhej fillimisht për një mandat me kohëzgjatje të njëjtë me Kuvendin, duke e bërë të nevojshme që partitë gjithmonë të shqyrtonin presidencën në marrëveshjet e tyre për koalicion qeverisës. Më 2006, vdekja në detyrë e Presidentit Rugova shkaktoi për ironi prishjen e kësaj tradite, meqë pasardhësi Fatmir Sejdiu u zgjodh me afat të plotë ndërsa kuvendarët ishin në gjysmë të mandatit të tyre. Por zhbirimet në Kornizën Kushtetuese lejuan që presidenti i ri të mbante postin e tij në pazarin ndërpartiak. Fatmir Sejdiu shfrytëzoi mungesën e kufizimeve të numrit të mandateve dhe faktin që Korniza nuk ia ndalonte një presidenti që pasi të jepte dorëheqje të kandidohej sërish për të njëjtën detyrë; në janar 2008, ai dha dorëheqje dhe brenda ditës rimori postin për pesë vjet të plota, pas një formaliteti zgjedhor në Kuvend. Ndonëse periudha e shërbimit të presidentit u ngrit nga tri në pesë vjet vetëm pas miratimit të Kushtetutës së Republikës, rizgjedhja e Sejdiut u trumbetua qysh atëherë si fillimi i një mandati pesëvjeçar.

Me bërjen e presidencës aset kyç për partitë në pushtet, është e qartë se partisë që merr presidentin i takon hisja si më e madhe ashtu edhe më rrezikshme. Me fjalë të tjera, partia e presidentit gëzon ndikim të gjerë por në të njëjtën kohë i fut të gjitha vezët në një qese dhe rrezikon t’i shpëtojë pushteti nga duart nëse humbet detyrën e kreut të shtetit. Një skenar i tillë ilustrohet nga gjendja e LDK-së pas dorëheqjes së President Sejdiut, pasuar nga vendimi i partisë për t’u tërhequr në tërësi prej koalicionit me PDK-në. Megjithëse arsyet për largimin e LDK-së mund të jetë të paqarta, ka pak dyshim që Lidhja Demokratike nuk shihte ndonjë përfitim të menjëhershëm duke ngelur në koalicion pa postin e presidentit. Në anën tjetër, PDK-ja nuk do të zgjidhte një anëtar të LDK-së për president për pesë vjet të tjera, kur kishin mbetur pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e përgjithshme të rregullta, të parapara për nëntor 2011.

Mund të jetë herët për të thënë me saktësi nëse kosovarët do të marrin pjesë në zgjedhje të jashtëzakonshme këtë vjeshtë apo në zgjedhjet e parakohshme, të shpallura më parë për datën 13 shkurt. Por një gjë është e sigurt: presidenca do të mbetet mall pazari për partitë fatlume që do të mund të negociojnë qeverinë e re të koalicionit. Me pesë parti tek ngarendin për karrige në Kuvend dhe me forca të reja politike që me mjaft potencial po u hyjnë zgjedhjeve që po afrohen, ka shumë pak gjasë që presidenti i vendit të zgjidhjet përmes përpjekjeve jopartiake. Çfarë nevojitet tani është një amendament i shpejtuar kushtetues që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit me votë popullore, në mënyrë që fuqia vendimmarrëse të bartet nga tavolinat e lojërave politike te vullneti i popullit.

Ndërkohë që udhëheqësit tanë meritojnë të fajësohen për nxitjen e krizës së tanishme, është e logjikshme që për zanafillë të njohim zhbirimet në Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme, ligjin tashmë të shfuqizuar që na e imponoi administrata e Kombeve të Bashkuara. Por përmes një kritike me shikim nga e ardhmja, do të shpresojmë që të mbahen përgjegjës ata udhëheqës, të cilët volën frytet e njoma e të shurdhëta të mangësive të ligjit, duke u detyruar që së paku të bëjnë ndryshimet pozitive që do të parandalojnë në të ardhmen kriza si kjo që e shkaktuan vetë. Zbatimi i zgjedhjes popullore të presidentit jo vetëm do të fuqizonte popullin dhe do të forconte demokracinë kosovare, por edhe do të lehtësonte barrën ndaj partnerëve të koalicionit, që me apo pa vetëdije fusin në gojë kafshata që s’i kapërdijnë dot.

Nga

Getoar Mjeku

Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Le përgjigje