A ia vlen burgu për kët punë?



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Do pjestarë të shoqnisë qytetnore paskan kërkue denime me burg për ata që lypin “favore seksuale” në punsim. Skajza që e kan përdorë asht fort e pavend, tue qenë se fjala “favor” domethanë diçka e mirë. Këta kan mendue si duket për ngacmimin seksor, që jo vetëm tingëllon ma rand por edhe asht.

Ngacmimi vjen nji shkallë nën sulmin seksor, që përfshin çnjerzimin. Por ngacmuesi nuk turpnohet ma pak se përdhunuesi në sytë e shoqnisë.

Shoqnia jonë duhet me i kushtue vemendje kësaj dukunie dhe me luftue mirë. Barazia gjinore te na po vazhdon me qenë vetëm sapërsyefaqe. Jam gjithashtu për me marrë masa të rrepta ndaj atyne që i vejnë në shenjestër vajzat e gratë. Ata njilloj veprojnë edhe me mashkujt që për faj jo të vetin nuk ndodhen në gjendje të barabartë.

Megjithate, unë ngurroj me iu bashkangjitë thirrjeve për burgime. Çashtjet e ngacmimit seksor duhet të mbeten mbrenda kufijve të së drejtës qytetnore. Me fjalë tjera, nji qytetar duhet të ketë të drejtë me paditë nji qytetar tjetër, por shteti të mos ketë fuqi me ngarkue keqbamësin me shkelje të ndëshkueshme (ose ate që njihet gabimisht, me fjalë të vjetrueme dhe të hueja, si “vepër penale”).

Përndjekjen e tillë do ta ruejsha për raste sulmesh. Por për raste ngacmimi, ngurroj me shkue aq larg. Dhe druej rreth burgimit mu për të njejtat arsye pse nuk përkrahi ndëshkimin as të tradhtisë bashkëshortnore. Jo pse këto nuk jan vepra të liga, por pse jan aq të ndërlikueme e aq të manipulueshme saqë e bajnë të pamundshme zhvillimin e nji ecunie të drejtë ligjore.

Në nji rast ndëshkimor, shteti e ka barrën me dëshmue — pa lanë vend për kurrfarë dyshimi t’arsyeshëm — se i dyshuemi e ka krye shkeljen që i ngarkohet. Kurse në paditë qytetare barra asht ma e lehtë. Shpesh ndodh që mjaftojnë vetëm 50 përqind plus nji grimcë e provave me dëshmue argumentin e paditësin dhe çashtja me u mbyllë në të mirë të tij. Në të drejtën ndëshkimore shifra nuk ka, por çdo pandehje e arsyeshme e pafajsisë ban që prokurori ta humbë rastin.

Dikush mund thotë se puna qenka krejt te gjykimi. Kështu, sa të ketë gjykim të ndershëm, askush nuk do të denohet pa faj. Dhe ne s’kemi çka shqetsohemi se ç’vepër a mosvepër ndëshkohet me heqje lirie.

Por telashja asht mu këtu: te rreziku i gjykimit të gabuem, te dëshmitë e rreme e të pavërtetueshme, te qasjet vetjake të palëve, dhe deri te friga e ndëshkimit që i kaplon edhe ata që asnjiherë nuk do t’u shkonte mendja me ngacmue kend. Sepse në fund, ata që do denoheshin gjasshëm do ishin jo cubat ma të ligë, por ndoshta vetë viktimat e nji sistemi të padrejtë.

Vendet totalitare rëndom ia gjejnë hallin atij që s’e ka krahun e fortë. Tek marrin vesh se akëcilën grue e kan përdhunue, i gjuhen dhe e çnjerzojnë edhe ma keq para se ta gurzojnë për vdekje për krimin që e ka vuejtë në trup të vet. Tjetërkujt, tek e shohin me zili se si po ecë para në jetë, ia kurdisin tregimin e dashunisë së jashtëligjshme dhe e hedhin në gropë. E “tjetërkujt” a “tjetërkush” mund të jetë edhe vajzë, edhe grue, por edhe burrë.

Në thelbin e krejt këtij llafi s’jan gjinitë përballë njana-tjetrës. Burri e grueja jan nga natyra të barabartë. Andaj ata njisoj mund të jenë viktima dhe shoqnia duhet t’i mbrojë me barazi.