Burrat rrinë nën hije



Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.

Autorin e këtyre vargjeve e quanin në të vërtetë Andon Çako. Se si Çakoja u bë Zako nuk e dimë me saktësi, por fajin mund ta ketë ndonjë alfabet i kohës. Si shumica e rilindasve shqiptarë, edhe Çajupi kaloi pjesën më të madhe të jetës në mërgim, prej nga i fali letërsisë shqipe shum prej vargjeve më të famshme të saj.

U le në Sheper të Zagorisë, një krahinë malore mes Gjirokastrës e Përmetit në jug të Shqipërisë. Pasi mori mësimet fillore në një shkollë greke në Zagori, i vajti pas t’et, që merrej nga Egjipti bënte me tregti me duhan anembanë Mesdheut. Në Kajro, Çajupi kreu liceun francez, kurse studimet e larta i ndoqi në Zvicër, ku mori titullin e doktorit të drejtësisë dhe punoi për një kohë si avokat. Pas një fatkeqsie familjare, u kthye përkohësisht në Shqipëri e përfundimisht në Egjipt.

Ndonëse me profesion avokat e biznesmen, Çajupi mbeti gjatë tërë kohës një veprimtar i dalluar. Në Misir, themeloi e udhëhoqi disa shoqata mërgimtarësh, punoi për të drejtat kombtare të shqiptarëve në Perandorinë Osmane dhe më pas u angazhua për pavarësinë e Shqipërisë. Kryevepra të tij njihen përmbledhja me vjersha Baba Tomori (1902) dhe Katrëmbëdhjetë vjeç dhëndërr (botu pas vdekjes).

Fshati im

Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.

Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorrkadhe.

Burrat nën hie,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.

Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.

0 moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;

Moj e mjera grua,
ç’e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!