Mësova vonë se paska vdekë shkrimtari Rexhep Hoxha — i lemë në Gjakovë 90 vjet ma parë, dhe i përjetësuem ndër dekada me punën për fëmijët si letrar, redaktor në radio e gazetë, dhe mësimdhanës në shkollë pedagogjike.
Në Dardani nuk ka fëmijë që kryn shkollë qysh duhet e që nuk e lexon me andje Veroren. Për shumkend, Verorja asht romani i parë që e lexon. Për tjetërkend asht vepra tjetër e Rexhep Hoxhës, Lugjet e verdha.
Si i vogël ia kam dashtë fort vjershat, që rëndom kishin Micin personazh. Mici kryeneç nuk ndëgjonte udhëzimet e të tjerëve.
Më kujtohen vargjet:
Pyet mësuesi
një mbasdite
Mic, çka fola
përsërite[…]
Foli Micit
Foli trarit
[…]
I pandëgjueshëm si Mici ka qenë vetë autori. Më 1969, intelektualët e Kosovës vendosën me imponu dialektin standard toskë, prej tute se po ndaheshin nga Shqipnia. Kështu i dhanë fund standardit të vjetër, që tue pasë për bazë të folmen e ndërmjetme t’Elbasanit, u shërbente ma mirë të gjithë shqiptarëve. Por Rexhep Hoxha, më kanë dëftu do mësues të vjetër, kambëngulte me shkru lirshëm në gjuhë të popullit.
I mishnuem me kalamajtë dhe shpirtin e tyne të lirë, ai e kuptonte se fjala del ma e fuqishme dhe ma e bukur kur nuk njeh kufizime. Por kolegët e rritun nuk e kuptojshin dot Rexhep Hoxhën, e as do ta kuptojnë ndonjiherë.
U prehtë në paqe!
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=6087