Për «Luftën e Drejtë» dhe parimet apo kriteret e saj është shkruar qysh para erës sonë. Që atëherë dijetarë e shkollarë janë rropatur të imponojnë rregulla etike, morale e politike mbi përdorimin e forcës që vret njerëzit dhe ua shkatërron pasuritë.
Edhe librat e shenjtë abrahamikë flasin për rregullat e luftës. Vetë teoria e luftës së drejtë buron nga mësimet teologjike të Kishës Katolike. Ndër shkollarë të sotëm të kësaj teorie, më i njohuri është Michael Walzer — i preferuari im.
Me i ra shkurt, kriteret e luftës së drejtë (just war) përmblidhen kështu:
1. E drejta (drejtësia) për të hyrë në luftë (jus ad bellum)
(a) A ka ushtria autoritet për të luftuar?
(b) A ka kauze të drejtë për të luftuar?
(c) A ka qëllime të drejta për të luftuar?
(ç) A është lufta opsioni i fundit i mundshem?
2. E drejta (drejtësia) gjatë kohëzgjatjes së luftës (jus in bellum)
(a) Proporcionaliteti: A ushtrohen masa proporcionale karshi armikut? A ushtrohet mëshirë, njerëzillëk ndaj armikut të dobësuar?
(b) Diskriminimi: A bëhet luftë vetëm ndaj ushtarit? A respektohet jeta e civilëve? A diskriminohen pozitivisht, a ka kujdes ndaj të paarmatosurit, grave, fëmijëve, të moshuarve?
(c) Përgjegjësia: A praktikohet përgjegjësi ndaj civilëve?
3. E drejta (drejtësia) pas luftës (jus post bellum) — Përgjegjësia, obligimet, drejtësia karshi popullatës civile, karshi palës së mundur në luftë. Si sillet fituesi pas luftës, sidomos ndaj viktimës, të dobëtit dhe të pambrojturit?
Tash, në kontekstin e Kosovës, ishin tri palë luftuese: UÇK, NATO dhe forcat serbe. Të gjithë e dimë pak a shumë historinë tonë. Duke e ditë këtë, ateherë:
— e dimë në ç’masë UÇK-ja i ka permbushur këto parime;
— e dimë në ç’masë NATO-ja i ka permbushur këto parime; dhe
— gjithsesi e dimë si forcat serbe kanë shkelur mbi këto parime këmbë e krye.
Kaq sa i përket luftës së drejtë. Nocioni i luftës së pastër nuk është që njihet në literaturë. Mund të jetë tërheqës për konsumim të brendshëm patriotik, por nuk ka peshë dhe madje tingëllon naiv në diskurs më të gjerë akademik. Prandaj, fokusi ynë duhet të jetë debati brenda parimeve të luftës së drejtë dhe praktikimit të tyre në kontekstin tonë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2YNlWl8