Sa fillova me kqyrë filmin Luftëtari i Math i Shqipërisë: Skënderbeu, të rimjeshtruem dhe ridubluem shqip. Pata ndigjue që jan tue punue në te. Dhe e pritsha m’e pa! Por s’mujta me e durue për ma shum se nji çerek ore.
Tue lanë anash përmirësimet teknike e ansore, sipërzanimi – përkthimi shqip me zâ – nuk po i vijke as te thembra filmit të vjetër.
Rishkrimi i tekstit fyente shqiptarët. Zaktorët e rij askund ngat brezit të moçëm. Kqyra 15 minuta film të lodhët. Fjalët trambë e të shqiptueme gabim ma prishën veshin si kanga e nji gjysëkangatari që shtingullon.
Prodhimi shqiptar-sovjetik i 1953-ës gjithmonë më ka lanë mbresë për gjuhën shqipe të përkryeme. Ka pak gegnisht e pak toskërisht, por mbi të gjitha asht shqip, në nji të folme t’Elbasanit – ate që me shekuj ka gëzue namin e mesit t’artë dhe emnuesit të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Por “të birtë e shekullit të ri,” ashtu siç e mbytën shqipen e njisueme, e çupuritën dhe dramën e kapërthyeme në pamje lëvizëse nji gjysmëshekull ma parë. Përpunuesit e filmit na kishin pështyjnë në gojë, tue përkthye skenarin kinse në gjuhën standarde.
Gjon Kastrioti tash po folte toskërisht. “Toka e Atdheut tand” ish ba “toka e Atdheut tënd.” Tanush Topia, që më 1953 pat “udhtu,” tani kish “udhëtuar.” Dhe Sulltan Murati II nuk e kish “pru,” por e kish “sjellë” Gjergjin në sarajet perandorake.
Kurse Laoniku, që ma parë ligjeronte në të folmen e jugut, vetëm e kish vorfnue fjalorin dhe shtue dykuptimsitë. Simbas kërkesës s’akademikëve komunistë, po thoshte “njeriu lind,” jo “njeriu len.” (Kjo zgjedhje gjuhsore nënkupton se grueja ose pjell ose nuk asht njeri. Kronikani bizantin ka mujtë me besue ashtu.)
Harrnuesit e filmit, dorën në zemër, i kishin lanë do bujashka gege e do sikur i kishin shtue vetë. Qe ma të parën fjali për shembull: e kan ruejtë edhe paskajoren me+. Dhe mirë kan ba! Pastaj, Gjergj Kastrioti prap e pyet Tanushin se “kush ta ka mësu kët kangë?”
Kish me thanë ndoi dashamir i regjisë së re se asht tregue e matun e e hapun ndaj gegnishtes. Ka gjasë. Por ma parë, rishkruesit e kan tregue mosdijen e vet.
Në njanën anë, ata bajnë si mos me njoftë qaq as normën letrare të ’72-shit. Kur sulltani flet e flet toskërisht e krejt befas thotë se “i ka të kjarta planet e hungarezëve,” të ngjet se a kah e lexon nji esemes që veç sa i ka ardhë prej Prishtine. Se qebesa, as gegnishtja e Dibrës ja e Tetovës nuk thotë kjartë.
Krejt njisoj, titulli i veprës – Luftëtari i Math i Shqipërisë – dhe titrat që shfaqen gjat gjithë filmin jan ruejtë të pandryshueme. Jan kryekëput në toskërishten e viteve ’50. Titra që e hap dramën shkruen, veç tjerash, “vëndi malor – Shqipërija.” Dhe tregimtari, lexuesi i titrave të cilin nuk e ka pasë dublimi i parë, e shqipton fjalën vend toskërisht: si vënd.
Veçse n’anën tjetër, rimjeshtruesit e filmit bahen krejt anakronika – të hupët në kohë, siç kish me qenë smartofoni në xhepin e sulltanit. Ani pse Gjergj Kastrioti ka qenë gegë, ata ia endin uar-in jugor nëpër folje sikur t’ish ushkur me i mbajtë dimitë. Kur i bijnë iks fjalës “pru,” të bindin se s’e dijnë ja ma keq s’e duen at fjalë.
Mos të flasim mbasandej se sa me shpërfillje e sheh regjisori i ri origjinarin. Thuese vetëm ia kan llupë të moçmit: Gjergji krutan ka folë krejt rastësisht njanin dialekt, ndërsa Donika beratase nji tjetër. Apo mos dhe kur Teodor Muzaka e qorton me vend prijësin e dheut, ky i kërkon ndjesë s’e nuk ia kupton arbënishten e matanë-Shkumbinit? Se ndryshe do hidhnohej ma rand?
Për aq sa pashë, filmi kish jo pak melmesa gege. Por ia kishin hedhë sipri si krypë m’inati vjehrrit – si Marigoja Vangjelit te Përrallë nga e kaluara. Dromcat ma mirë mos t’ishin hiç! Nji dramë për kryetrimin shqiptar s’bahet shqip veç tue stërpikë me solecizma veriore, mësa e ban noi zajabanci boshnjake gjuhën teme sllavisht.
Qebesa, ma shqip tingëllojnë versionet ruse e gjermane sesa ripërshtatja në standardin 72. Dhe do tingëllonte shqip sikur me kohë skriptën ta kish shkrue kush natyrshëm toskërisht. Por ate e ngjyen si flokun e thimë me kanë, andaj i duket të kuqët rreth rrajës e s’ta mbush synin e as s’ta zgjon qaq epshin e rinisë.
E kur të doket se u ba mjaft, gjuhën e ridublimit ta stërkeq tutje shqiptimi që ia bajnë zaktorët e rij.
“Ti mund të flasësh me mua pa ngurim,” thotë sulltani. Të jepet me kujtue se monarku turk s’un e rrehë gjuhën për qiellze qysh e lyp rr-ja e shqipes. Por kur ia ndien th-në e asnji fije të theksit të huej, e kupton që faji s’asht te arbënishtja e Muratit, por te këta të tanët që e kanë krahue filmin.
Do t’ish në rregull kjo punë, sikur dublimi t’ish në nji shqipe të lirë. Por ai përtendon me na i sjellë llafet në gjuhën standarde.
Dhe të mos e mshefi. Aktori që fali zanin për rolin e sulltanit ka qenë dhe mbetet nji prej artistëve ma të dashtun për mue. Kolegët që punuen me te në kët dublim jan po ashtu mjeshtër të zanatit të tyne. Veç asnjiherë s’i kisha hasë të ngatrruem kaq keq prej nji skenari të redaktuem.
Kapakun gjithçkaje ia ven ritmi i çalë i dublimit. Zaktorët i këndojnë si me turre fjalitë që tëharrësit e skriptës i kan trashë e zgjatë pa kurrfarë nevoje. (Mbas gjysmë shekulli, kishim me thanë se gjuha do bahej ma kursimtare.) Dhe stili i lashtë i artistave sovjetikë i trumhaz edhe ma keq sipërzanuesit teksa mundohen me i kohnakue (sinkronizue) fjalët me pamjet.
Shndërrimi i filmit të vjetër në formate bashkëkohore – jam tejet i vetëdijshëm – u ka qitë shum punë përpunuesve. Për efektet ansore e pamore, iu lumtë! Më pëlqeu kur e ndiejta pastër ujin tue rrjedhë prej kronit ku i lante duert historiani osman që flet me Skenderbeun. U gëzova që e kan përkthye anglisht, gjithashtu.
Mirëpo për dikend që e din përmendsh çdo varg të filmit të vjetër, rimjeshtrimi i këtij shekulli nuk më duel bindës.
Ndoshta po bahem i ashpër. E kam mësue kangën gabim dhe tash s’mund të çmësohem. Apo asht thjesht pune shije’ kjo. Si thoni ju?
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1NEJnCa