Kushtetuta, kuku, ç’të tutka

Shkrimtari Veton Surroi këshillonte se Kushtetuta e Kosovës nuk asht roman qejfi që e lexojmë shtritë para gjumit a nën hijen e ndoj peme ngat përroni në ditë fundjave. Ai ka të drejtë. Kryeligji që kemi tani të ndjell veç kokëçamje. Teksti i tij asht shembull i shkrimit të dobët. Por nji akt ligjor s’ka pse të jetë i tillë. Ekspertët besojnë se mund të ketë “prozë juridike,” që kushdo ta lexojë të përjetojë knaqsi.

Kushtetuta jonë kërkon vemendje, në mos dhe rishikim. Tue nisë me parathanien, gjejmë shkëndijat e tmerrit gjuhsor që përshkruan gjithë aktin prej 162 nenesh. Preambula ka të meta përkah fuqia e përnga forma e saj. Por, sa ma thellë mbrendisë së tekstit, telashet me gjuhën bahen edhe ma shqetsuese. Kjo nuk asht veç çashtje trajte, por parsisht përmbajtjeje.

Lajthitjet drejtshkrimore e gjuhsore, fjalët e huaja e të panevojshme dhe gjuha byrokratike me stërpërsëritje të pavendta e shprehje të thata ndërlidhen dhe me ngatrrimet kuptimore. Në tekstin e Kushtetutës, ka plot dykuptimsi, fjalë të paqarta, fjali të pështjellëta e madje të pakuptimta, që cenojnë fuqinë e ligjit. Përfundimisht, shkarjet gjuhsore diftojnë pakujdesinë e ngutinë e hartuesve të ligjit sipror, të cilit ma s’ia zotnojmë as dosjet e punëve përgaditore.

Dorën në zemër, faji s’asht i komisionit që e përgaditi Kushtetutën. Drafti i parë përballë versionit përfundimtar sugjeron se huqet janë kryesisht të dorës që ka ndërhy në çastet e mbrame. Dhe emnat e antarëve të komisionit, secili ma i madh se tjetri, të bajnë me dyshue se shkrimi i keq asht i tyne. Aq ma tepër, ata ishin figura akademike e politike që ma shum e kishin hallin te pamvarsimi i vendit, sesa te nji copë letre, të cilën tashma e kishin skicue të huajt. Kushtetuta e Kosovës asht pak a shum përshtatje e Pakos s’Ahtisaarit, planit politik që i dërguemi i Kombeve të Bashkueme hartoi për pamvarsinë.

Por hartimi shkeleshko ka nisë me tronditë demokracinë tonë me kriza kushtetuese të paparashikueme dhe rrezikon me na dridhë dhe ma fort në t’ardhmen.

Ta shohim, atëherë, se çka mshefet mbas tekstit të dobët të Kushtetutës. Po e zbërthej së pari preambulën dhe anën simbolike për t’u qasë pastaj në tulin e dokumentit dhe pasojat praktike që mund i sjellë ai.

I. PARAFJALA E LIGSHTË

Parathania e Kushtetutës asht paralajmërim i shkrimit të dobët që gjenden në pothuajse krejt 162 nenet e ligjit themelor të shtetit. Ndonëse, zakonisht, duhet të jetë nji kumtesë e fuqishme që zgjon ndjenja atdhetarie, preambula ngjason me nji pamflet partiak, mbytë prej gjuhe byrokratike e aspak të natyrshme, me gabime gjuhsore, përshkrime të gabueme të fakteve dhe fjalë të shpeshpërsërituna. Shkurt, pjesa hymëse e kryeligjit të Dardanisë ban m’i pasë lakmi kushtetutave tjera në historinë shqiptare dhe në botë, me përjashtim pos të Sërbisë.

Keqkumtimi i fakteve asht mangësia e parë që bie në sy. Për shembull, preambula fillon me fjalët “Ne, Populli i Kosovës,” tue kinsehue se populli e ka miratue Kushtetutën. E vërteta asht se udhëheqësit politikë qëllimisht iu kanë shmangë nji referendumi për Kushtetutën mu për shkak të vlersimit se qytetarët nuk do ta pranonin draftin e paraqitun.

Gabimet gjuhsore fillojnë që në rreshtin e dytë (meqë i pari i ka krejt katër fjalë). “Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë . . . ,” thotë preambula. Togfjalëshi “si një vend i lirë” n’at fjali asht rrethanor mënyre, që tregon se qysh jemi ose qysh veprojmë “Ne, Populli i Kosovës.” Në kët rast, fjalia tregon se “Ne . . . si një vend i lirë” kemi vendosë me ndërtue diçka. Do ish shum ma saktë gjuhsisht, ma shkurt, ma leht e ma hijeshëm me pas shkrue, “të vendosur me ndërtu një vend të lirë.”

Shkarjet në gjuhë vijojnë disa rreshta ma poshtë, ku e gjejmë togfjalëshin “[t]ë sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë . . . .” Hartuesit kanë përdorë gabimisht lidhzën “që” në vend të lidhzës “se.” Kur themi “që shteti i Kosovës do të . . . ,” shprehim praktikisht dëshirë (dhe ate prapë në nji mënyrë të çuditshme, që s’gjen shum paraprijës në përdorimin e gjuhës shqipe). Me fjalën “se,” autorët e preambulës do shprehshin bindjen e tyne.

Rastet e “që”-së dhe “se”-së, siç edhe e vumë re, janë jo vetëm gabime gjuhsore, por edhe shembuj të shkrimit të keq, me fjalë të tepërta e të bame tekrar. Fjala “qytetar,” në rasa të ndryshme, përsëritet pesë herë në vetëm dy paragrafë ose nënfjali (krejt preambula, simbas traditës, asht nji fjali e gjatë e ndame në kryeradhë). Emni “Kosovë,” ose “shteti i Kosovës,” përsëritet shtatë herë.

Qekaq (ose ma) shpesh Kosovën e përmend vetëm Kushtetuta e Sërbisë. Gati tri të katërtat e preambulës së saj merren me pandehjet e Beogradit mbi truallin e Dardanisë, të quajtun “Prokrajina Kosovo i Metohija” ose “Krahina e Kosovës dhe Metohisë [që dmth. Dukagjinit].” Kurse vetëm emni i tokës së përtendueme zen nja nji të shtatën e fjalëve të tekstit hyrës.

Zgjatje të tilla gjejmë ngjashëm në preambulën kosovare. Kryeradha e dytë flet për një “atdhe [të] të gjithë qytetarëve.” Kurse menjiherë pas, nënfjalia tjetër përmend një “shtet[] të qytetarëve të barabartë” dhe “barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit.” Ndërsa mes këtyne shprehjeve ka dallime kuptimore që s’janë thjesht ngjyrime ngatangat, e udhës do ish me i ra trup në preambulë, sidomos kur barazia përmendet edhe shum herë tjera nëpër nenet e Kushtetutës. Sepse në fund, jo vetëm që preambula ka dalë si tekst që nxit pakkend me e lexue, por tregon se ku iu dhemb dhambi autorëve. Këta, si Sërbia që e din se nuk e ka Kosovën, druajnë se ka barazi ndër ne dhe se Kushtetuta do ta mundësojë ate.

Autorët duken ma tepër të shqetsuem me përjetimin që do të ketë bashkësia ndërkombtare kur ta lexojë preambulën sesa me ndikimin e shkrimit tek qytetarët e vendit. Për shembull, gati gjysma e tekstit pohon përkushtimin e Kosovës për stabilitet, fqijsi të mirë e bashkim me Evropën dhe paqe në botë, thuejse s’mujti kush me e thanë këte ma shkurt e shqip. Këto zgjatje, në fakt, ia tretin fuqinë preambulës.

Njilloj ban edhe gjuha byrokratike që flet për “përfshi[mje] në proceset integruese Euro-Atlantike,” tue qenë me thanë se populli ynë ka pasë vegim Evropën e bashkueme qysh para se me u themelue dhe Bashkimi Evropian e NATO-ja. Aq ma tepër, pse mos me thanë se Dardania do punojë me bashkue Evropën edhe nëse – larg qoftë – BE-ja dhe aleanca tejoqeanike pushojnë së vepruemi?

Për t’i vu kapak zhargonit të politikave ditore, autorët e kanë mveshë preambulën edhe me stilin gjuhsor që ia lodh njisoj trunin lexuesit. Ndër ekspertët e shkrimit juridik, Bryan Garner paralajmëron: “Shkrimi i mirë të ban me u ndi i mençëm, por shkrimi i keq të ban me u ndi budallë.” Gjuha e sodme lyp me shkrue ashtu qysh flet njeriu në përditshmëni: me folje, jo me emna; për veprime, jo pësime; shkurt, jo gjat; me fjalë të thjeshta, pa katrapilzim. Preambula e Kushtetutës i then të gjitha këto parime.

Katrapilzime, që domethanë pështjellime të panevojshme, janë në parathanien e Kushtetutës fjalët e huaja dhe të tepërta. Në mes të tekstit, gjejmë frazën “prosperitet[] social,” me dy fjalë joshqipe. Në gjuhën tonë i bjen “përparim shoqëror.” Ngjashëm qëllon edhe folja “kontribuojë,” që s’ka pse të mos ia lëshojë vendin fjalës sonë, “ndihmojë.” Kështu jo vetëm se i përdorim fjalët që janë shqip dhe shqiptarët mund t’i kuptojnë leht, por i shmangemi dhe sundimtarëve të maparshëm që shqipes ia kanë mponue huazimet jo nga nevoja, por ideologjia.

Veç asaj, teksti i preambulës do mun’ tingëllonte shum ma i gjallë, sikurse autorët të përshkruejshin se kush çka po vepron e jo kush çka po pëson. Nënfjalia e tretë thotë se populli asht i “përkushtuar për krijimin e një shteti të . . . .” Të përkushtuem jemi ne, por shtetin kush do e ndërtojë? Sikur ta zavendësojshim këtu emnin “krijim” me foljen “me kriju,” përgjegjësia do i binte padyshim popullit dhe preambula kish me na e tregue konkretisht punën tonë. Por kështu si asht, asht veç nji duq fjalësh që s’arrijmë t’i përmbrendësojmë. Sepse thjesht, kurrkush nuk thotë, “e dashur, jam i përkushtuar për krijimin e një familjeje të anëtarëve të barabartë…”; thotë, “ne jemi të barabartë” ose “dua barazi në familje.” Ç’të keqe ka me mendue dhe për shtet njilloj?

Kryeradha e parafundit, ndërkaq, shpreh “synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike.” Prej kurshit u shkruakan me germë të madhe këta mbiemna në gjuhën shqipe? Si “shqiptar” ose “evropian,” ashtu edhe “euro-atlantik” e lyp shkronjën e vogël.

Por ta kapërcejmë kët problem për nji çast. Nënfjalia asht e mangët se s’tregon qartë as çka do bajmë e as deri ku do shkojmë. Thotë “të përfshihet” Kosova, por s’difton se kush do ta përfshijë vendin tonë në ecuninë përtanësuese. Aq ma pak, nuk thotë nëse ai që do na përfshijë do na çojë te caku, në NATO e n’Evropë. Askush nuk thotë, “e dashur, me synimin që familja jonë të përfshihet në proceset e ngritjes klasore”; thomë, shkurt e shqip, “e dashur, dua të bëhemi pasanikë.” Përgjegjësia bie mbi ne – ne do e sigurojmë hisen Dardanisë në Bruksel. S’kemi pse presim të na e bajë dikush punën dhe na t’e pësojmë; ne duhet të veprojmë. Andaj dhe folja ta tregojë veprimin tonë!

Qe pse preambula kosovare me 150 fjalë nuk u afrohet shembujve klasikë në botë e as në historinë e shqiptarëve. Kushtetuta amerikane nis me nji parathanie tri herë ma të shkurtë se tonën dhe jep nji listë të thukët prej gjashtë synimesh të thjeshta e të qarta, që gjithsecili mund t’i mësojë. Jo rastësisht ka zanë vend prej mendimeve të gjykatës në fjalime atdhetare e deri në lirikën e kangëve popullore. Në tekstin shekullor ka fjalë të rralla t’anglishtes, por janë nga ato që janë zgjedhë me mjeshtrinë e nji poeti, që secilin arrin ta ngacmojë për të mirë.

Ndër kundërshtarët historikë të Shteteve të Bashkuara, vendet komuniste nuk i kanë kursye fjalët. Në ballë të kushtetutave të tyne, kanë shkrue jo nji fjali përmbledhëse, por nji histori të dheut dhe lavdatë llafazane për ideologjinë e kohës. Veçse edhe ato dijnë të jenë shembuj të ligjit prozë që, ndonëse nuk zbatohej siç tingëllonte, ngërthente fjalën e fuqishme me plotë jehonë. Emërgjatja Republikë Popullore Socialiste e Shqipërisë nisi “Hyrje”-n e Kushtetutës së 1976-ës me këto fjalë: “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë.”

Preambulës s’i takon të thotë gjithçka. Roli i saj nuk ka pse të ngjasojë me nji kushtetutë të vogël përmbi kushtetutë. Preambula duhet të shprehë thukët vegimin e popullit dhe parimet për shtetin që populli formon. Nëse ato parime s’mund të thuhen shkurt e shqip sa secili t’i mësojë përmendësh, do të ketë ma pak njerëz që mendojnë për to dhe aq ma pak që punojnë për me i jetsue ato.

Duke ia ruajtë thelbin, preambulën e Kushtetutës së Kosovës do e rishkruaja kështu:

Ne, përfaqësuesit e Popullit të Kosovës, –

të përkushtuar me ndërtu një Atdhe të lirë e demokratik të të gjithë qytetarëve të vendit;

me kriju një shtet ligjor, që ruan të drejtat e liritë e njeriut dhe u siguron barazinë, mirëqenien ekonomike dhe përparimin shoqëror qytetarëve të vet;

me jetu në paqe e miqësi me kombet e botës, si dashamir i shteteve fqinje dhe anëtar i denjë në Evropën e bashkuar dhe aleancën euro-atlantike –

miratojmë me madhështi Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Qe pra, mujmë me i shkurtue fjalët thuajse me përgjysë dhe me e thanë gati po të njejtën gja.

(vijon…)

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.