Titullin le t’ia vë redaksia

Nëntitull: Tri vjersha të janara (medemek, të shkrume në janar)

1. Titullin le t’ia vë[rë] redaksia

Veç botomna kët shkrim
ju lutem, aman
Edhe mos qoftë i përbijshëm
jepni dritë, ju baj rixha

Në daçi, shtonie bashkautor (të dytë)
punëtorin që s’p’e mbërrin normën
Edhe honorarin që ndan partia
jepjani nipit, mbesës, famullit — fëmijëve
të fëmijëve
a të vëllaut, a të motrës
a të kojshive

Ndoshta s’asht ky varg për çmim
e
bjerr
letrën
ha-
pë-
si-

të bardhë në katër anët ka

E as kur të vijë ndoj mot i ri
kur fjalët në letër s’i qesim ma
cok askush sustën s’do e ndrydhë
me pa çka kam shkru
e çfarë kam thanë

Me randë se këto madhështitë
e jueja (tueja — v.j.)
cok nuk asht
as $’ka me kanë

Qitne, botone
se nami s’plas
aman

Se edhe qato bejte
që i keni shtypë
unë i kam nisë
veç i kam falë

Kush nuk m’i vodhi

S’pata unë
guxim me folë
vetë me i thanë

Ua dhashë
dhuratë
shokëve guximtarë

E tash kur pashë
që turp as marre
kjo punë nuk të bjen
po lypi emnin tem
me e vnu
këtu, në kët qoshe
edhe qatje
në qat skej

10.1.2019

2. Pritoj vjersha me lexu[ar]

Unë pritoj me jau lexu vjershat tjerëve
vjershat që i shkrujnë ata, po mendoj
(jo të miat me jau thanë me za)

Jau lexoj — vjershat e tyne
kanjiherë për hatër
mos m’u hatru
e kur unë thadroj najsen
me ma këndu edhe ata

Unë pritoj me jau lexu vjershat tjerëve
veç këndej tinza jau ndij me shpirt
jau kopjoj, jau shkërbej
qaq sa muj, pa u ba vjedhës

Se n’e qittë kush nji ritëm të ri
naj rimë, vargim tjetërlloj
e marr e veç notat ia nguci
qasi kange
qasi stili, qasi zhanri
qaty ngat del
larg s’ka ku shkon

Platoni e ka dijtë këtë punë
poetët të vërtetës ia qëllojnë
gja të re s’përftojnë
se nuk mujnë
grijnë, blujnë, truzojnë, e zijnë
e me çka ka
gjellën e bajnë

Se unë pritoj me jau lexu
vjershat tjerëve, çka i shkrujnë
se kam qef me i ni vetë
tue i recitu
kush me trembë
kush hiç pa marre
kush si aktor
kush me za t’ambël
kush patetik
kush me qef
kush me zor

10.1.2019

3. Vjersha e tretë

E qëkjo asht qajo vjersha e tretë
që po duhet me shkru
se qashtu u murëm vesh
se jo që m’erdh ndojfar frymëzimi
a pata najsen të meçme me thanë

E nisa, e tash po sorollatem
(ah sa fjalë poetike, dhe po aq banale)
[duert i fërkova pak, ndoshta më bjen
najçka në mend]
{e hapa edhe qët kllapë,
kolorit pak me kriju}
se edhe kjo punë ndreqet
del n’udhë të mbarë

—të doket, se ta kanë thirrë emnin
para turmës, krejt impromptu
paprimtas, befas, surprizërishtazi
njiherë m’u çu
prej ulëses, në kambë
‘taj fjalim me mbajtë—

Nuk jam unë i vetmi
as i pari, e as i mbrami (ah, ç’varg i stërthanë)
që dal para njerëzve
e s’dij kah me ia mbajtë
i deshi zhambët (dhambët, por më rrshiti dora pahiri)
zgërdhihna e zgërdheshem
deri sa të marr guximin
e t’e grishi hygjymin
me u shprehë, me pështy ndoj fjalë

«Jeni të mrekullueshëm»,
«Krejt njËsha»…
me nji ë të pasme
që babgjyshi kurrë s’un e ka bëza
me nji buzëqeshje fallce
që veç moti ynë, me rr të rremë
ta detyron me e falë

«Faleminderit të gjithëve»,
iu thashë, dhe shkova e ula
u struka në karrikë
në kët tubim, në daç parazgjedhor
në daç komemoratik
në daç përkujtimor
në daç të donatorëve
në daç të besimtarëve
në daç të njerëzve të huqun
krejt kështu ia bajnë

Qëkjo asht qajo vjersha e tretë
që u murëm, morëm, muarëm, muarmë vesht
me e shkru…
se qashtu the, tri po i du
në gazetë me i rrasë
(aty kah, faqja 27, mbasi reklama s’erdhën qët javë)

Edhe unë e shkrova
punën e kreva
dhe tash «Enter”, fUTya
pa ia lëshu synin
pa e tëharrë

12.1.2019

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.