E bukura dhe bishat enveriste të Tiranës

Megjithëse janë në grahmat e fundit, në agoninë e tyne të tmerrshme, me dhambë të përgjakun prej gati një gjysëmshekulli tue pi gjak vëllaznish, enveristët e Tiranës ngjallën, si Kainë të shumuem në një laborator frankenshtajnian, buluritin si bisha të theruna. Çfarë kanë këto bisha? Çka i bani me dalë prej vorresh? Ç’kanë që lëshojnë klithma si pallje e lehje, si therje derrash në kasaphanë?

Paskan dëgju një kangë të Elvana Gjatës. Dhe kjo kangë – shih ti – qenka e shkrueme në gegënishte dhe Elvana paska guxu me e këndu në Festivalin e 58 të Kangës në Radiotelevizon!

Gegënisht? Qysh ka guxu? Po Byroja Politike e lugetënve a u mlodh në mesditë në hale? Ku asht Sigurimi i halesë? Si u ba që armiku i jashtëm hyni në zemër të Tiranës dhe këndon kangë gegënisht? Ku janë aradhet vrasëse? — pyeten vampirët e pangopshëm për gjak. — Ku janë njësitë speciale që goditën armikun në Festivalin e 11 të Kangës? Ku janë?

Këto qenie jashtë kohe shkuen aq larg sa tekstin e këngëtares e qujnë të pakuptimtë, «të ndyrë», «krim ndaj shqipes». Edhe më keq se kaq: e gjymtojnë tekstin e kangës tue qitë disa pjesë që vetë i kanë ujdisë për me e përdorë si dëshmi se teksti vërtet qenka i pakuptimtë.

Po e qes tekstin e plotë të kangës për me dëshmu të kundërtën, që aj jo vetëm që ka kuptim, por asht një poezi e përjetueme, një tekst poetik i shkëlqyeshëm që kombinon me mjeshtri motive kangësh tona popullore të dashunisë, gjithsesi, me një veshje bashkëkohore.

Elvana, me këtë tekst, dëshmon jo vetëm që asht yll i kangës shqipe, por edhe tekstshkruese e talentueme. Mirë, edhe shkatërruese ma efektive e vampirëve, e lugetënve. Megjithëse, këto bisha janë me fat, sepse Elvana po i zhduk, po i zhban me kangë.



T’i kam falë ty me t’tana

T’i kam falë ty me t’tana,
Me t’tana o me t’tana.
Dashni me falë
O kush ka me ma ndalë?

A më thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa,
Ta di, dua ta di dhe sa?

T’i kam falë ty me t’tana,
Me t’tana o me t’tana.
Dashni me falë
O kush ka me ma ndalë?

Shpirt ti më je,
Se shpirtin ma jep.
Nëse ti nuk je,
Të gëzoj a kam arsye?

Vetëm ti je,
Vetëm prej teje,
Sytë më shkëlqejnë
Si miliona yje.

Kohën ndale, ndale,
Të shkojë ngadale-dale,
O më ngadale-dale!

A më thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa,
Ta di, dua ta di dhe sa?

T’i kam falë ty me t’tana
Me t’tana o me t’tana,
Dashni me falë
Kush ka me ma ndalë?

Shpirt ti më je,
Se shpirtin ma jep,
Se ka ditë
Që buza ime thahet.

Harroj botën,
Më mbyt vetmia,
Nuk ta bën askush
Çka të bën dashuria.

Kohën ndale, ndale,
Të shkojë ngadale-dale,
O më ngadale-dale!

A më thua edhe sa
Duhet të pres ty me të pa,
Ta di, dua ta di dhe sa?

T’i kam falë ty me t’tana
Me t’tana o me t’tana
Dashni me falë
Kush ka me ma ndalë?

Nga Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.