Fëmijët s’mund ta falin kurrë nënën e tyre nëse heq dorë nga gjithçka për një burrë, një burri që do t’i shërbesh gjithë jetën: do t’i lash, do t’i fshish shtëpinë, t’i lindësh fëmijët, me gjasë që s’do të jenë kurrë të lumtur.
Një vajzë e vogël mund të nuhasë trishtimin e nënës së saj, do rritet para kohe duke i fshirë nënës lotët, e të qajë perjetsisht për ‘fatin’ e keq të saj.
Fëmijët s’mund të harrojnë asnjëherë frikën që ka shoqëruar fëmijërinë e tyre; kur kthehesh nga shkolla dhe nuk gjen nënën në shtëpi, e të nesërmen kur nisesh për shkollë shtrëngon e përqafon nënën me dy duart sikur kjo të ish hera e fundit qe do e shikoje, çdo ditë.
Rrugës nuk dëshiron të bashkohesh me shoqet, ke frikë kur të shohin lotët dhe ke frikë nga përgjegjet që kërkojnë pyetjet e tyre. Shkon në shkollë, si çdo ditë, dhe ke harruar të bësh detyrat, që fatkeqsisht as nëna nuk ta ka përkujtuar; ka ndenjur menduar gjithë ditën e natën; ka ndenjur pa gjumë dhe e humbur; ka ndenjur e trishtuar dhe larg, shume larg gjithçkaje prej ketu. Kur, jo papritur, zëri i tmerrshëm i burrit që të ka mësuar ABC-në godet mendimet e tua me një thupër të trashë, dhe gishtat e vogël e të brishtë skuqen e dridhen, aq shumë sa jeta nisë e të tremb, që në fëmijëri.
Vajzat e tjera të vogla të lumtura, ajo më e rëndësishmja se ishin ende të fëmijë, ti nisë e u mban inat, sikur ty të hanë fëmijërinë dhe s’dëshiron të shohësh me sy as lodër as asnjë gjë tjetër, pos lumturinë e nënës.
Ato presin me padurim verën për të shkuar për pushime tek dajët, tezet e hallat, ndërsa ti mezi pret verën t’i rrish asaj pranë, dhe mos ta lejosh babain të të sjell një tjetër ‘nënë’ në shtëpi, dhe sa për të shuar brengën, në kërkim të shpresës se kjo s’ka gjasa të ndodhë, ti pyet gjyshen, e ajo të thotë:
— Nëse e sjell të paktën do jetë një më e mirë.
Dhe vazhdon të të gjykojë se ti je veç 10 vjeç, e nëna s’të ka mësuar asgjë, asnjë punë të shtëpisë, duke akuzuar se ajo lexon, veç lexon.
— Ku ka më të mirë se nëna, moj gjyshe, — flet shpirti i thyer i vogëlushes. — Si mundet një grua t’i mbyll sytë para një burri?
Dyshoj se është nga dashuria dhe emocioni. Është nga burrat që gjithë jetën kan me të qujt të pandershme, nga gratë që kanë me të përbiru çdo pjese të jetës, nga fqinjtë që mezi presin për të thënë dicka, nga fëmijët që do t’i marrin sikur mos t’ishin tutë e sikur mos t’i kishe lindur ti. Ata përherë i takonin burrit, dhe gruaja do dënohej të rriste fëmijë të huaj.
Gruaja s’do të kishte asnjë të drejtë, edhe kur ai kthehej vonë në shtëpi, i bërtiste asaj pa ndonjë faj, e fëmijët dëgjonin tek dera dhe shikonin nga bira e qelësit se ç’po bënte nëna e tyre, pastaj iknin në dhomë, të përqafuar qanin gjithë natën.
Ndonjëherë ajo do duronte, kur ai, burri i saj, shkonte larg me pushime, pa të, e kur të tjerët pyesnin se pse ajo nuk i bashkohej kurrë; ajo fshihej dhe arsyetohej para të tjerëve se ai shkonte për punë. Por, të gjithë e dinin se ai kishte një dashnore, një, dy e kushedi se sa…
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=1481
Nese si grua ban gjithqka per burrin dhe familjen dhe prap se prap burri nuk esht i lumtur me ty, esht obligim i qiftit me u mundu me permirsu gjendjen qe ndodhen. Gruaja qe shuan dhe mban vuajten ne vete dhe nuk munohet me zgjidh nje problem kaq serioz ather ka gjasa te mdhaja qe burri saj to te del me dike tjeter. Mirepo, nese nisemi prej mentalitet dhe gjendjes socio-ekonomike ne Kosove, gjasat jan temdhaja qe nje grua si kjo qe pershkruhet ne shkrim do te mbyllet ne vete ndoshta gjith jeten! I vetmi person qe do ta kuptoj dhimjen e saj jan femijt e saj. Ma konkretisht vajza e saj 🙁 Realitet i hidhur!