Futbolli është gjithçka


Avatar photo

Daut Dauti

Historian e publicist shqiptar nga Gjilani. Jeton në Angli, ku ka doktoruar me temën Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1876–1914. Shkruan për shqiptarët, qytetërimin dhe Britaninë.

Ka kohë që mediat britanike nuk më kanë kërkuar të shkruaj për to apo të intervistohem. Kur ndodhë një gjë e tillë, punët në Kosovë e më gjërë, nuk janë mirë.

Dje, për herë të parë jam intervistuar për shkak se Kosova i ka punët mirë. Në futboll pra. Diku rreth 11 minuta u intervistova nga një gazetar i njohur i sportit në BBC Radio Manchester, nga qyteti që është Meka e futbollit të botës. Biseda fillloi me futboll, me suksesin e Kosovës, por u përshkua nga politika. Në fund unë parashikova rezultat baraz në mes Anglisë dhe Kosovës që ishte më shumë dëshirë se sa prognozë reale. Gazetari intervistues, me humor, më tha që mos të krekëzohemi shumë se Anglia, megjithatë, do të fitoj dhe se Kosova boll i ka pasë 15 ndeshje pa humbje. Me fjalë tjera, ‘mos e teproni’.

Sidoqoftë, ditëve të fundit, për shkak të futbollit, mediat britanike kanë qenë plot me artikuj pozitiv për Kosovën. Këto shkrime, edhe sikur të porositeshin (paguheshin), nuk ka patur mundësi të jenë më të mira. Ishte rasti kur këto media bënë me dije se Serbia ende e pengon Kosovën. Britanikët, me mediat e tyre, edhe një herë na dolën në ndihmë.

Bill Shankley, nuk ka thënë kot që ‘futbolli nuk është vetëm çështje e jetës dhe vdekjes. është shumë më serioze’. Pa marrë parasyshë rezultatin e mbrëmshëm, bota, për herë të parë mahnitet me Kosovën. Kjo është për shkak se ne për herë të parë jemi organizuar shkëlqyeshëm në këtë sport.

Tashti na mbetet që kështu të organizohemi edhe në fushat tjera: politikë, ekonomi, shkencë, art, kulturë …

Por, duhet ta dijmë një gjë. Edhe kur të organizohemi e të tregojmë sukses në këto fusha, Anglinë nuk do ta mundim. Për këto gjëra duhet punë që shtresohet me shekuj.