Kthimi i babait të neoshqiptarizmës

Mbi tregtizën e shitësit ambulant të librave në rrugën Nëna Terezë ma kap syri librin e babait të neoshqiptarizmës, Branko Merxhani, Vepra.

Botuesi i Plejadit nga Tirana, Ndriçim Kulla, na kënaq edhe një herë me një autor gjysmë të njohur, gjysmë të panjohur, mendimtarin shqiptar të viteve ’30, të dënuar të jetojë deri në fund të jetës së tij, në Turqi.

Përmbledhja Vepra Branko Merxhani, në 503 faqe sjell të përmbledhura të panjohurat nga jeta e Merxhanit në Turqi, këmbëngulja për ta ditur varrin e Naim Frashërit, me titull «Aty nën këmbë e kini», dhe një numër esesh sërish nga sociologjia për Ogist Kontin dhe Dekartin, për ngjarjet e mëdha politike që ia ndryshuan fatin Turqisë dhe për ideatorin e Turqisë së re, Mustafa Kemal Ataturkun.

Vetë botuesi Kulla, përkujton lexuesin se një pjesë e publicistikës së zgjedhur të Merxhanit qe botuar në librin Formula të Neoshqiptarizmës, Tiranë 1996, Prishtinë 1998.

Në parathënie të librit Vepra Branko Merxhani, sërish vjen teksti i Aurel Plasarit «Kundërbota e Branko Merxhanit». Plasari shkruan se për lexuesin shqiptar Branko Merxhani ka mbetur një emër në mes së njohurës dhe të panjohurës dhe vazhdon duke pohuar se këtë fat, të mosnjohjes, ia plotëson atij edhe prejardhja e vagullt: një qytet anonim i Turqisë, vitlindja e pasigurtë aty nga fundi i shekullit XIX, guvernantja (a nëna?) gjermane, kolegji anglez (a francez?) në Izmir, studimet në turkologji, studime të tjera në Gjermani (a Austri?), ardhja e parë në Gjirokastër, një shërbim i gjatë në Ankara, kthimi në Tiranë, një pinjoll i mendësisë lindore që u tregon shqiptarëve rrugët e Perëndimit, ikja përfundimtare, kështu gjithnjë: 1/2mjegull–1/2 njeri.

Studiuesi Plasari thotë se Merxhani e meriton të quhet «publicist gjenial», pasardhës i Konicës, Fishtës dhe Nolit, një ndër konfiguruesit dhe galvanizuesit më përfaqësues të mendimit social e filozofik të intelegjencies shqiptare të viteve ’30.

Kundërbota e Merxhanit, siç e quan Plasari vizionin e neoshqiptarizmës, jepet nga vetë Merxhani në disa nga esetë e tij të përmbledhura këtu. Ja një fragment nga utopia neoshqiptare e Merxhanit:

Rroj me ëndrrën e nje vendi, njerëzit e të cilit janë më parë të tij dhe pastaj të vetes së tyre. Gjysma e ditës është e tyre dhe gjysma tjetër është e shoqërisë.

Merxhani vazhdon këtë mendim:

Rroj me ëndrrën e një vendi, në të cilin djalëria togje-togje po vepron përbrenda kuadrit të një pllani shoqëror dhe edukatif. Njëri nga këta djem nuk bredh andej këndej pa punë si nonjë që s’di ç’të bëjë. Në mes tyre s’ka asnjëri njeri të hequr më nj’anë, të lënë në mëshirën e fatit. Çdo pjesëtar i brezit të ri, n’orët e lira të shkollës ose të punës, rron mbrenda në rrethine një instituti kultural. Këtu e gjen ushqimin për mendjen e tij. Këtu kënaq etjen e shpirtit të tij. Horizonti i intelektit të tij dita ditës zgjerohet më tepër.

Këtu djalëria s’ushqehet me instinktet negative të shoqërisë së njerëzve të shpërndarë. Të gjithë janë bashkuar, si djemtë e një familjeje reth e rrotull disa parimeve të caktuara. Qëllimet e tyre janë të caktuara , nevojat e tyre janë të bashkëta. Nishani i tyre është një. Dhe besojnë se njëri s’mund të shpëtojë pa tjetrin, pa shokun që ka në krah, pa gjithë të tjerët. Brenda në të gjithë është edhe nderi. Një fill i vetëm është asnjë. S’është asgjë. Është zero. Një hiç. Një gërmadhë. Rrojnë të gjithë të bashkuar, si vëllëzër të zënë nga dora fort. Rrojnë me ideale dhe për ideale.

Sipas Aurel Plasarit, një periudhë të jetës së tij, Merxhani kthehet sërish për ne në një figurë të mbështjellë me mjergull legjende: «gjysmë turk–gjysmë shqiptar, gjysmë musliman–gjysmë kaurr, gjysmë filozof asket–gjysmë gazetar militant… Rreth të 87-ave, 43 vjet mbas largimit përfundimtar prej vendit të utopisë së vet, Branko Merxhani ndërroi jetë. Por, tanimë një tjetër mekanizëm vihej në lëvizje lidhur me kundërbotën e tij», shkruan Plasari.

Në fund në vend të pasthënies Vepra Branko Merxhani, në emër të shtëpisë botuese Plejad, Ndriçim Kulla sjell shkrimin e tij «Duke kujtuar Branko Merxhanin». Sipas Kullës, Merxhani lindi në Stamboll më 1894 ku edhe u shkollua. Arsimin e lartë e mbaroi në Gjermani. Në Shqipëri erdhi në dekadën e viteve 1920. Opinioni publik e njohu si mendimtar idealist, me revistat e tij si Demokratia, Neoshqiptarizma, Përpjekja shqiptare.

Sipas Kullës Merxhani u largua nga Shqipëria në fillim të vitit 1939 me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai punoi për shumë vjet në gazetat kryesore turke Tan, Yeni, Günaydın dhe Hürriyet, ku me vëmendje të veçantë ka trajtuar edhe Shqipërinë.

«Që nga koha kur u largua deri në fund të jetës së tij, ai ushqeu dëshirën e madhe për t’u kthyer në atdheun e tij. Vdiq më 28 shtator 1981 në Stamboll në kushte vetmie duke lënë përveç tjerash shembullin e një ylli gazetarie si në Shqipëri edhe në Turqi», shkruan në pasthënie Ndriçim Kulla.

Sipas Kullës, aksioma më e rëndësishme e këndvështrimit të Merxhanit si mendimtar ishte ideja e neoshqiptarizmës, të cilën ai e shfaqi me të vetmin numër të revistës Neoshqiptarizma më 1930 në Gjirokastër.

«Në historinë e re të krijimit të vërtetë të shpirtit kombëtar dhe të kolektivitetit shqiptar nuk kishte ndonjë gjest ose veprim tjetër që të kishte shënuar vulën e krijimit të një rilindje të tillë neoshqiptare», shkruan Kulla.

Sipas tij, në formulat e para të neoshqiptarizmës, përcaktohej rruga e emancipimit të shqiptarëve. Rruga e pushkës kishte mbaruar me fitoren e lirisë politike dhe njëkohësisht me themelimin e shtetit shqiptar, që megjithëse kishte rezultuar i cunguar, ku gjysma e popullsisë shqiptare kishte mbetur jashtë kufijve, një punë e madhe ishte bërë dhe një betejë kryesore ishte fituar. Ishte kapur një ëndërr. Neoshqiptarizma është një lëvizje mendore liberal-demokrate që kishte si qëllim kryesor të saj të vaksinonte idenë e shoqërisë në shpirtin e të rinjve.

Kulla si botues dhe admirues i idesë së Merxhanit, tekefundit ka botuar edhe vetë një libër me titullin Neoshqiptarizma një model i braktisur, sjell edhe një mendim të Merxhanit se «nacionalizmi me të cilin ai nënkuptonte dashurinë dhe përkushtimin për atdheun, nuk vjen as nga bjeshkët e Malsisë dhe as nga shkrepat e Kurveleshit».

Merxhani e dinte se pa shkollë, pa pedagogji një brez i ri nuk mund të përgatitet, por gjithashtu e dinte se ky vend ka më shumë nevojë për edukator se sa vetëm për predikues. Në këtë kontekst Merxhani është vazhdues i mendimtarëve të Rilindjes kombëtare, por në një realitet tjetër socio-historik dhe me mprehtësinë e angazhimit profesional dhe jo vetëm romantik e iluminist.

Mendimi sociologjiko-filozofik i Merxhanit është aktual edhe tani, në botën shqiptare të tranzicionit, ku individi është hutuar dhe çorientuar nga anasjellja e vlerave. Përveç se aktual, mendimi i Merxhanit arrin të shpjegojë cila është rrugëdalja nga ky tranzicion dhe me cilat akceptimin e cilave vlera shkurtohen këto procese të dhimbshme të jetës shoqërore. Me një fjalë, Merxhani rrëfen jo vetëm për shkollën, por edhe për punën individuale të cilës individi duhet t’ia ndajë kohën, si shpëtim nga mjerimi e katandisja shoqërore. Krijimin e një tipi shoqëror të shqiptarit, i cili do t‘i luftojë veset e kohës, Merxhani e shihte në edukimin dhe politikën e moralitetit. Gjëra këto të sprovuara që nga koha kur Merxhani i shtroi për herë të parë në letër.

Në fund të fundit, shpëtimin ky popull e arriti pikërisht në saje të shkollës, edukimit dhe përparimit civilizues, duke ndërtuar përditë nga pak, secili brez duke ndërtuar mbështetur në të arriturat e brezit të mëhershëm. Asgjë duke filluar nga zeroja, dhe çdo gjë duke vazhduar aty ku ka mbetur. Ku e ka lënë i vjetri, kur nuk i ka punuar dora dhe mendja, kur ka ndërruar jetë dhe është shndërruar në histori, familjare a shoqërore.

Pas përvojës shoqërore gati njëqindvjeçare, esetë e Merxhanit, idetë dhe teoritë e tij na shfaqen të dëshmuara, si për nga misionet që i përmbushi populli ynë, politika, shteti, shkolla, ashtu edhe nga misionet e pa përmbushura, kur edhe sot ndizen debate rreth flamurit, simboleve e përmendoreve, rreth një shamie në kokën e një zonje, kur thjesht e zëmë veten tonë ngusht se nuk jemi mirë dhe nuk e kemi mirë, se i mëshojmë kush thumbit kush patkoit. Kjo atmosferë shoqërore e spikat mendimin e Merxhanit, e rikthen me meritën e kthjelltësisë së shpjegimit të fenomeneve aty ku e ka vendin, në qarkun e mendimtarëve kombëtarë.

Me të këtilla përshtypje, ndahet edhe botuesi Ndriçim Kulla, kur në fund thotë se sa herë lexon «Formulat e Neoshqiptarizmës», ndjen një gjë të re brenda vehtes në mendimin e tij, për të shpjeguar ngjarje të ndërlikuara të aktualitetit të sotëm shqiptar.

Kulla na nxit të shpresojmë se nga bija e Merxhanit me banim në SHBA po vijnë sinjale të mira për një arkivë të ruajtur të babait të Neoshqiptarizmës.

Nga Lulzim Mjeku

Ish-gazetar dhe redaktor i disa gazetave të Prishtinës, tani diplomat i Republikës së Kosovës. Ka shërby si drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe si zëvendës-shef i misionit në Pragë, Çeki. Është autor i librit «Kosova: Neoshqiptarizma për shekullin e ri» (Prishtinë, 2001).