«Atje nuk ka shoqëri civile, partitë politike janë të fragmentuara dhe të paafta që të pajtohen për parimet themelore», thoshte ish-kryetari Václav Havel, që i priu rrëzimit të diktaturës në Çekosllovaki. Ai ka qenë përkrahës i madh i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Disidenti, dramaturgu dhe ish-presidenti çek Václav Havel i tha KosovaLive se ai ka qenë gjithmonë avokat për të drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe të drejtën që të vendosin lirisht, që të kenë apo jo, shtetin e tyre. Pyetja është se si do të duket dhe si do të funksionojë ky shtet, sipas Havelit.
Václav Havel është presidenti i parë i një shteti i cili vizitoi Kosovën pas lufte, në verën e vitit 1999. Me aureolën e humanistit që hyri dhe doli nga politika i tillë, Havel gëzon autoritet ndërkombëtar edhe tani pasi i shërbeu vendit të tij Çekisë si president në dy mandate.
I lindur më 1936 në Pragë, i burgosur disa herë, më 1979 Havel qe dënuar me 4,5 vjet burgim si themelues i Kartës 77, bashkë me gjashtë veprimtarë, anëtarë të Komitetit për Mbrojtjen e të të Përndjekurve Padrejtësisht. Havel u bë i njohur jashtë kufijve të vendit të tij me anë të Revolucionit të Kadifenjtë si nismëtar i ndryshimeve demokratike. Veprat e tij më të njohura janë: Audienca, Protesta, Firma, Largo Desolato, etj.
Tani Haveli i tërhequr nga politika, pret e përcjell miq, në mesin e tyre si ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright apo ylli i muzikës rock Mick Jagger i cili këtë verë e festoi në Pragë ditëlindjen e 60-të me Havelin mysafir nderi.
I pyetur t’i shfaqë pikëpamjet e tij rreth gjendjes në Kosovë, ringritjes së saj ekonomike dhe nevojës për ndihmë rreth statusit dhe përmbushjes së standardeve të vëna nga Kombet e Bashkuara, Havel tha se gjendja në Kosovë, siç e dimë ne të gjithë, është komplekse dhe jostabile.
«Atje nuk ka shoqëri civile; partitë politike janë të fragmentuara dhe të paafta që të pajtohen për parimet themelore», thotë Havel për KosovaLive.
Havel edhe më parë është deklaruar se nuk është detyra e dikujt tjetër që të përshkruajë ndonjë zgjidhje ligjore apo kushtetuese për Kosovën , por është i mendimit se me çfarëdo zgjidhje të ardhshme statusore për Kosovën, refugjatët dhe personat e zhvendosur duhet t’i kenë të siguruara kushtet për t’u kthyer.
«Të gjithë banorët e Kosovës duhet të kenë të drejta të garantuara, duke përfshirë këtu edhe të drejtën në pjesëmarrje në administrimin e shoqërisë, mbrojtjen e vendeve dhe monumenteve kulturore e historike të të gjithë popujve dhe feve në territorin e Kosovës», thotë Václav Havel, i cili njihet për deklarata humaniste gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, regjisorëve serbë të teatrove, të cilët me decenie me radhë i kanë vënë në skenë dramat e tij, e të cilët e pyetën çka i kanë bërë ata që po i bombardon, Haveli iu përgjigj se ata nuk i kanë bërë atij asgjë, por regjimi i tyre po i vret bashkëqytetarët e tyre.
Duke ia bërë këtë shqiptarëve, është njësoj si duke ma bërë mua. Nëse lëndohet dikush, lëndohem edhe unë. Ky është parim i përgjithshëm i solidaritetit human, i cili i kalon kufijtë e shteteve dhe rajoneve, iu përgjigj Haveli regjisorëve serbë.
Por, më shumë se katër vjet pas luftës gjendja në Kosovë ka ndryshuar shumë. Për këtë Haveli thotë se në Kosovë duhet të sigurohet stabiliteti siguria dhe kufijve me shtetet fqinje.
Për rrjedhat e fundit në kontekstin e kalimit të kompetencave tek institucionet vetëqeverisëse, Havel konsideron se kjo nuk do të thotë thjesht bartja e këtij sovraniteti nga UNMIK-u.
«Do të duhej të kishte kuptimin e dorëzimit të përgjegjësive për arritjen e objektivave të vendosur nga administrata ndërkombëtare, veçanërisht t’u garantohet të gjithë refugjatëve kthimi në siguri në shtëpitë e veta», shpjegon ai.
Sipas Havelit kthimi i refugjatëve dhe integrimi i pakicave duhet të bëhet kriter për vlerësimin e konsolidimit të autoriteteve lokale.
«Një shoqëri multi-etnike nuk mund të funksionojë pa pjesëmarrjen e të gjitha grupeve etnike në jetën publike», konkludoi Václav Havel për KosovaLive.
Botu fillimisht në rrjetin e agjencisë së lajmeve KosovaLive me titullin «Havel thotë vetëvendosje po, por si do të duket ky shtet», më 10 nëntor 2003.
Foto: Copëz e portretit të kryetarit Václav Havel nga Jiří Jiroutek (licensë: CC BY-SA 3.0)
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2LHpmPf