Sot asht 10 qershori: bahen 140 vjet prej tubimit të parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Komuna po organizon manifestime për me kujtu kët ditë. Por posterin e manifestimeve e ka goditë keq. Posteri thotë: «140-vjetori i lindjes së kombit».
Çfarë pasaktësie historike e ç’mendjengushtësi qytetare! Si paska lindë kombi i Skenderbeut 410 vjet mbas tij?
Jo, more zotni! Kombi ynë u ringjall në shek. XIX, mbas nji periudhe t’errët të pushtimit osman. Por komb arbënor ka pasë n’epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në mos ma heret, dhe këte s’mund ta mohojë kurrkush. Dhe identitet shqiptar ka pasë vazhdimisht ndër shekuj.
Shum intelektualë qyqana besojnë n’absurditetin se kombet nuk kanë ekzistu deri më 1789, kur francezët si mbrenda nate e kanë shpikë kombin e vet. Ose ndoshta mendojnë se Rilindja Kombëtare e shek. XIX patjetër e mënjanon mundësinë që të ketë pasë komb shqiptar ma heret, tue harru se ajo quhet Rilindje e jo Lindje.
Por na s’duhet me u tutë me thanë ate që asht. Me e përqafu të vërtetën nuk asht nacionalizëm as patetizëm pellazgo-ilir. Me e mohu ate — dhe Skenderbeun me e shpërfillë si mit — asht poshtërsi.
Natyrisht se koncepti i kombit evolvon edhe sot. Por shqiptarët edhe në shek. XV kanë pasë nji vetvetsi apo identitet të pamohueshëm të lidhun me gjuhën, vendin, ligjin e veçantë, dhe lidhjet e gjakut e t’afrisë. Ndoshta kombe tjera nuk ka pasë, por i yni ka ekzistu. E se ky identitet ka qenë goxha i fortë e tregojnë arbëreshët e Italisë, që ende e përcjellin kujtimin e Skenderbeut. Këta kanë qenë shtyllë kryesore e Rilindjes Kombëtare.
Feja në kohën e Skenderbeut nuk e ka lujtë rolin që antishqiptarët dojnë me ia mveshë. Vetë kryetrimi ynë i ka ndërru tri religjione gjat jetës, e me gjasë ka qenë njifarë jofetari i kohës që ka andrru për nji perandori përparimtare e egalitare. Lidhja me Vatikanin ka qenë politike, ashtu si lidhja e Dardanisë sot me Perëndimin. Edhe arbëreshët e Italisë ndjekin ritin lindor, ortodoks — pra, janë unitë, e jo katolikë të mirëfilltë romakë.
Vërtet ka mite për Gjergj Kastriotin. Për shembull, miti që ai ka luftu me përkrenaren e dhisë në beteja. Ose që e kanë marrë peng si 9-vjeçar, kur ai i ka pasë gjasshëm 18. Por me e mohu si hero kombtar të shqiptarëve, me ia mohu kombsinë, dhe me ia mohu luftën e lavdishme për liri nuk flen as me shkrimet e akademikëve botnorë e as me mendjen e shëndoshë.
Uroj që posteri i Lidhjes të jetë pjellë e mosdijes së patëkeq e jo mohimit të qëllimtë të kombit tonë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2sVy5FP