Kush ia kurdisi vëllait të kryeministrit?

Shkrun: Petar Lukovići

Aleksandar Vučići, kryeministri serb, dhe Edi Rama, kryeministri i Shqipnisë, do të duhej, si kolegë, të takohen më 22 tetor në Beograd; të dy kanë vëllazën, njëni me emnin Andrej, tjetri Olsi. Andreji tri javë ma parë ishte viktimë e torturës së xhandarmarisë së këtushme; Olsi të martën para mesnate u ba keqbamës i përgdhelun i mediave të tërbueme të Serbisë. Por, a asht vërtet ashtu qysh na e kanë paraqitë?

Me titullin “Lajmi ma i ri” dhe me udhëzimin “e ngutshme,” por “ekskluzive,” pothuejse gjithë “shit from Serbia” [“muti-nga-Serbia”] mediale – nga “Blici,” nëpër “Kuririn” e “Informatorin,” e deri te “Večernjih novosti” dhe B92-shi i fanepsun – zbulojnë lajmin e tmerrshëm: Olsi Rama, vëllai Edi Ramës, personalisht ka shkaktu incidentin në mënyrë që përmes komandimin nga largësia ka drejtu dronin, i cili bartte flamurin e Shqipnisë së Madhe, me fotografi të figurave historike të Ismail Qemalit dhe të Isë Boletinit me mbishkrimin “Autochtonous.” Gjithë këtë publikisht, paturpsisht dhe mizorisht e paska ba Olsi Rama nga lozha e stërmbushun e VIP-ëve në stadiumin e JNA-së [JNA, serb. “Ushtria Popullore e Jugosllavisë”] – shkrunte “Blici” dhe të tjerët; “Kuriri” i tërbuem ka një një lajm të vogël me titull tmerrues “I xhiruem tue pilotu,” i cili thotë: “Me sa jemi në dijeni, egziston edhe një video-xhirim që tregon se si Rama ka operu me fluturaken. Ai menjëherë u mbyll në lozhën numër 12, në tribunën perëndimore të stadiumit të “Partizanit” dhe masandej u arrestu. Nga burime të besueshme informohemi se një person që asht pa në kupolën e Shën Gjergjit e ka lëshu fluturaken. Në kupolë kanë mbetë pejtë me të cilët ishte i lidhun droni. Ky person ka arrijtë me ikë sapo vëllai i kryeministrit shqiptar e mori kontrollin e dronit, i cili bartte flamurin.” Ka edhe ma nga “Kuriri” trushullepsun: “Në flamur gjendet logoja e hakerëve shqiptarë, të cilët gjatë natës e sulmunë sajtin e “Kuririt,” prandej asht ma se e qartë se gjithchka ishte e planifikueme në mënyrë të saktë” gumëzhin “Kuriri,” pa e shpjegu se pse nuk e lëshojnë atë video-incizim të supozuem, ose kush asht autor i atij filmimi, pa hy në detale se si asht e mujtun që përballë “një ndeshjeje me rrezik të naltë” dikush me u ngjitë në kishë, njëqind metra nga stadiumi, e masandej papritmas “me ikë,” si mos me pasë pasë as policë, as agjentë apo shërbim të sigurisë në përgjithësi. E kishte të tillë me numra katërshifrorë.

Masandej “Blici” ekskluzivisht njoftoi se Olsi Rama u arrestu dhe u dërgu në Ministrinë e Mbrendshme. “Kuriri” me entuziazëm raporton: “Ai e paraqet veten si Olsi Rama, vëllai i Edi Ramës, kryeministrit të Shqipnisë, dhe tregon një pasaportë amerikane në polici. Me shum gjasa, ai drejtoi fluturaken – na u tha nga Shoqata e Futbollit të Serbisë.” “Blici” vazhdon tue shtu: “Ai i tha policisë: Unë kam pasaportë amerikane dhe s’muni me më ba gja.”

E vërteta asht kjo: burimet e “E-novines” nga lozha e famshme VIP-ëve në stadiumin “JNA” kanë konfirmu se Olsi Rama posedonte një fotoaparat me kamerë i cili kishte filmu detale të ndeshjes; Kur arrijti policia gjeti këtë fotoaparat të naltpërmendun me kamerë – dhe asgja ma shum. Olsi Rama nuk asht arrestu; ma saktë, ai ishte blloku – dhe asht kontrollu pa ndonjë rezultat. Nuk u gjet kurrkund drejtuesi nga largësia i dronit, kund gja e dyshimtë nuk u gjet.

Bllokimi i Olsit zgjati rreth 40 minuta; pastaj nga stadiumi ai u tranferu në automjetin zyrtar, që e çoi në aeroportin “Nikola Tesla.” Por “Blici” nuk do të ishte “blic,” nëse nuk do të zbulonte se Olsi Rama u la i lirë ngaqë nuk mund “t’i sigurohej një avokat për shkak të grevës së avokatëve.” Nëse e kuptojmë drejt kryeredaktorin e “Blicit,” të ndershmin, Veselin Simonovićin – kushdo që ka kry çfarëdo krimi, në atë natën errët drontare do të lirohej, sepse avokatët qenë në grevë! Nuk mund t’ia fal vetes që nuk e shfrytëzova këtë mundësi që t’i qëroj hesapet me këta pilotët e nënqimë cilët më mbytën me fluturimet e përditshme mbi Beograd; “Kill ’em All,” kishin me thanë djemtë nga droni Metallica, tue e kuptu nëpër çka po kaloj tue lexu nëpër zhurmën enigmatike të vëllazni-e-lajmsisë serbe, bashkë me avokatët e grevë-alibisë.

Pas kthimit në Tiranë, Olsi Rama ka thanë: “Nuk kam të baj asgja me fluturaken… Nuk e dij se nga ka ardhë kjo histori. Janë spekulime të kullueme se paskam organizu incidentin dhe se e paskam drejtu fluturaken. Nuk jam arrestu, as s’kam qenë në paraburgim. Kur ndodhi incidenti, situata u ba kaotike, policia i kontrolloi që të gjithë. Atyne ua kam tregu pasaportën amerikane dhe kamerën. Kjo zgjati vetëm disa minuta.”

Mbasi që nuk egziston asnjë përgjegje logjike në pyetjen se pse Olsi Rama do ta kishte minu vizitën e vëllait të tij në Beograd, ndoshta asht koha që t’i kthehemi apet “Kuririt” që zbulon “Tri fluturake mbi Beograd”: “Tingëllon pothuejse e pabesueshme dhe si në filma se si shqiptarët paskan qenë në gjendje të organizojnë dhe të përgatitin gjithë sulmin ndaj Beogradit. Njena qenka e vendosë në Sheshin e Republikës, për tjetrën ende nuk qenka përcaktu vendi se ku, ndërsa e treta paska ra në stadiumin e Partizanit dhe kjo shkaktoi ndërpremjen e lojës.”

Fluturake/dron shqiptar në Sheshin e Republikës para mija njerëzve?

E policia serbe, qorre?

Jo s’asht qorre: gjatë ndërpremjes së lojës, persona të paidentifikuem, të cilët ishin paraqitë si “anëtarë të sigurisë së Serbisë” kanë hy në dhomën e veshjes së ekipit kombtar shqiptar tue kërku bastisjen e dollapëve dhe të çantave e tyre; kur lojtarët shqiptarë kishin fillu me i xhiru me kamerë, janë largu e janë zhdukë sa çel e mshel sytë.

Dhe gjithchka asht ujdisë koxha mirë që nëpërmjet të të vëllait të akuzohet kryeministri; tingëllon si shumë e njohun. Tash nuk asht ma xhandarmëria, tash asht fluturakja pa pilot; tash nuk asht ma parada e homoseksualëve, por ardhja e Edi Ramës në Beograd; tash nuk asht ma tortura, por provokimi; dhe e gjithë kjo para ardhjes së Putin të dashun.

Pjesëve të dala dore të këtij shteti i përshtatet që Shqipnija duhet me u mbajte për armike, e Rusia mbrojtëse; për këtë flet heshtja e të gjithë atyne që për këtë lypsej të kishin thanë dichka – ku janë deklaratat për shtyp të MUP-it, BIA-s apo të qeveria së Serbisë?

Le të shohim, bashkë me provat e “Kuririt” videon e pilotimit të pretenduem: Kush ia kurdisi Lepurushit Roger? [aludim për filmin me të njëjtin titull – vër. A.M.] Histeria, rrallë asht spontane; ajo asht e organizueme, e planifikueme dhe e ekzekutueme paralelisht në gjithë shtrimjen e frontit. Shqiptari në maje të Kishës? Prifti i cili zbulon litarin? Vëllai i Ramësi i cili e dronon Serbinë? “Blici” i cili i din që të gjitha paraprakisht? “Kuriri” i cili zbulon tri fluturake? FSS-ja, e cila paraqitet si FBI?

Asgja, – kishin me thanë në “X-Files,” – nuk asht rastësi. Sidomos në Serbi, ku rastësia asht rregull. Mos i beso askujt!


Përktheu: Agim Morina

Burimi: http://bit.ly/1t4qcJE

Nga Agim Morina

Gjuhëtar, artist, poet, dhe mësues shqiptar nga Prizreni. I mërguar në Londër prej viteve 1990. Përkrah Shqipen e Përbashkët me paskajore gege dhe me R-në toske.