Lekë të reja apo lekë të vjetra? Ligji duhet t’i detyrojë shqiptarët që të mos masin më me monedhën e ndryshkur.
Kanë kalu mbi 50 vjet prej se Shqipëria preu paren e re, që kishte një zero më pak, dhe kështu bënte 10 herë më shum se e mëparshmja. Kurse politikanët tanë – ndonëse kurrë në jetë nuk kanë pagu me lek të vjetër – i thonë shumat në valutën që nuk vlen që prej gjysmë shekulli.
Ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, njoftoi këtë javë se mjekët që punojnë larg shpisë do marrin «100 mijë lekë shtesë çdo muaj».
Por kësaj gënjeshtre i fishkëllyen shpejt qytetarët:
«Sa bukur luani me shifrat!», u përgjigj Aleksandër Pavli, mësues dhe shkronjës nga Tirana. «Kur merrni jane ne leke te reja kur jepni jane ne leke te vjetra. Zyrtarsht jane 10.000! [sic]»
Pavli, i cili bëri vërejtjen ndaj cicërimës së ministrit në Twitter, etiketoi për dijeni edhe kreun e qeverisë. Kryeministri Edi Rama gjithashtu flet në lekë të vjetra, siç bënte sivjet kur vetëlavdërohej se kishte rritë pensionet.
E keqja është se edhe opozita belbëzon njëlloj. Partia Demokratike qortoi këtë fillimvit qeverinë për tatime të larta përmes një kumtese zyrtare, e cila rrogën mesatare e përmendte në lekë, kurse taksën e karburantit e shumëzonte me 10.
Siç vërente një kritik, kjo lojë shifrash bëhej në një deklaratë që zëdhënësja e partisë e lexoi para gazetarëve. Pra, s’ishte një e rrëshqitur goje, as gjuhë bisedore që populli s’e ndryshon dot, por një mashtrim i qëllimtë i udhëheqësve tanë.
Ithtarët e kësaj deledashësie monedhare do thoshin se shqiptarët dinë t’i dallojnë lekët e reja nga lekët e vjetra.
Me fjalë tjera, me i shtu lekut një zero është si me thënë «dasma fillon në orën 6:00». Do vijë kush të të prishë gjumin në mëngjes?
Do i ndodhte kryetarit të partisë, sikur pak para mesnate t’i lajmëronte besnikët e tij për mbledhje të ngutshme «në 3:00». Ata që i janë vërtet besnikë, nuk do pritnin pasditen.
Gjuha zyrtare në Shqipëri i dallon mirë të 24 orët. Por politikanët nuk e saktësojnë lekun.
Dhe dëmi është i pamohueshëm. Mashtrohen jo vetëm të paaftit a të huajt e pamësuar; hutohen edhe ata që e kanë dëgju këtë përrallë më parë.
Lum shqiptarët që s’janë të gjithë si sundimtarët e tyre, se Shqipëria do vuante medoemos rëndë. Shitësit e ndershëm i thonë çmimet në lekë të sotëm, sidomos kur u shërbejnë bashkatdhetarëve që dukshëm nuk përdorin lekun në vendet ku jetojnë.
Por politikanët mashtrojnë sërish, duke adhuru të mirat materiale e duke këmbëngulë në prapambeturi mendore. Aq u bën se shqiptarët ndër shekuj mbetën prapa materialisht mu pse këmbëngulën në të mirat njerëzore: çmuam besën e nderin, ndër vlera të tjera të kombit tonë.
Dhe për hir të atyre vlerave, në mos për tjetër shkas, duhet ta shuajmë lekun e vjetër – paren që më 1947 u hodh në përdorim me vlerën e dinarit jugosllav.
Shteti duhet t’i detyrojë shqiptarët që lekut t’ia thonë vlerën e saktë, ashtu siç i shkruan në kartmonedhë. Dhe pa pyetë fare për dëmin, ligji duhet të gjobisë çdo zyrtar a tregtar që flet në lekë të vjetra.
Kjo shprehi e keqe le të marrë fund!
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1ScOafP