Studentat e Universitetit të Prishtinës ishin tue i mbajtë zgjedhjet këto ditë. Unë s’kam pse u përzihem në çashtjet e tyne. Por do t’isha i lumtun me i pa tue u marrë me nji problem thelbsor: hapsinën që u mungon studentave për ligjerata e për veprimtari tjera.
Zgjidhjen e kanë para hundëve. Veç duhet me e lypë. Ndërtesa e Radio Prishtinës asht e rrethueme prej kampusit universitar. Kurse mbrenda ka zyra e salla që mujnë me strehu administratën, ndonji fakultet, dhe shoqatat e shumta studentore.
Kësaj pune duhet me i ra mbas tash që shteti e ka ende në dorë godinën e Radios.
Ate e administron Agjencia e Privatizimit, e cila pritet heret a vonë me e shitë. Pa trohë dyshimi, peshqit e mëdhaj ia kanë vnu synin. Ata kanë me ba çmos me e shndukë kët pronë shoqnore për çmimin e nji Bugatti të përdorun. Unë e ti, edhe n’i paçim milionat, s’mujmë, s’guxojmë me e ble.
Por studentat mujnë, pa pare. Veç u duhet me dashtë dhe me guxu.
Kështu thotë teoria. Në praktikë, na kemi pak studenta. Peshqit e mëdhaj i kanë njerzit e vet në çdo ngrehim të shtetit, përfshi universitetin.
Por ndër vite, kemi pa përjashtime. Më 2014, studentat e përzunë rektorin pse nuk iu duk i mirë. Më 2017, ekipi i Fakultetit Juridik shkëlqeu në nji garë ndërkombtare të gjykatës së simulueme. Do grupe të studentave e të veprimtare po mundohen goxha fort me i luftu mbrapshtitë dhe me e ngritë cilsinë e arsimit n’UP.
Pse mos me e shti edhe ndërtesën e Radios — me aneksin, barakat, e krejt hapsinën përreth — në kët listë përjashtimesh?
Shteti e ka tagrin dhe e arsyen me ia dhuru kët pronë universitetit me emnin e Hasan Prishtinës, themeluesit të shtetit shqiptar që gjithë pasuninë e vet e pat falë për lirinë dhe arsimimin e kombit.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4950