Një profesor i gjuhës u anku këto ditë për shqipen e institucioneve tona, dhe u sugjeroi me angazhu lektorë për me përmirësu hartimin e ligjeve. Madje tha se problemi kryesor është te kuptimi, jo te drejtshkrimi.
Në një shoqëri të hapur e demokratike, institucionet duhet me kumtu në gjuhë të thjeshtë të popullit. Kjo i bie shkurt e shqip. (Shqip domethënë në gjuhën e shqiptarëve, por domethënë edhe kuptueshëm.) Ligjet e shkruara thukët e qartë u ndihmojnë qytetarëve të rëndomtë me i kuptu të drejtat e tyre, por dhe juristëve me i kthjellu mendimet e veta dhe me i shërby drejtësisë.
Në botë, kombet angloamerikane i prijnë përpjekjes bashkëkohore për gjuhë të thjeshtë. George Orwelli shkroi më 1945 eseun e famshëm «Politika dhe anglishtja», duke i kritiku kohanikët që përdornin fjalë të tepërta, të cilave s’ua dinin as kuptimin. Përdorim gjuhë të paqartë sepse mendimet i kemi të paqarta, thoshte Orwelli. Por gjuha e keqe na i bën edhe mendimet ma të budallme.
Frymën e shkrimtarit britanik e ndoqën shpejt juristët. Në vitet 1970, amerikani Richard Wydick botoi në një revistë shkencore një varg udhëzimesh si me shkru në gjuhë të thjeshtë. Fakultetet juridike i mësunë studentët me thurë fjali të shkurta e të kapshme. Në shekullin e ri, ShBA-ja rishkroi rregullat të procedurave gjyqësore, pa ua ndërru përmbajtjen, por vetëm sa me i bë ma të qarta. Punës i priu profesori im Bryan Garner, redaktor fjalorësh dhe autor i doracakut Legal Writing in Plain English (Shkrimi juridik në anglishte të thjeshtë).
Prof. Garner thotë troç: «Shkrimi i keq të bën me u ndi budallë; shkrimi i mirë të bën me u ndi i mençëm».
Ne shqiptarët ka kohë që e shajmë veten pse s’po kuptojmë, pa guxu me ia lënë fajin shkruesit të keq. Angloamerikanët kanë punu për gjuhën dhe popullin e vet, por përvoja e tyre përcjell një porosi të gjithësishme që i përshtatet cilësdo gjuhë.
Qe disa shembuj e udhëzime që ata do t’i kishin dhënë sikur të flisnin gjuhën tonë. Këshillat i kam përshtatë kryesisht prej doracakut të Wydickut Plain English for Lawyers (Anglishtja e thjeshtë për juristë). I kam mendu për juristët, por ato i hyjnë në punë kujtdo që don me shkru shkurt e shqip.
0. Mos e shkruj siç nuk kishe me e thënë me gojë
Orwelli na porosit me pyetë veten, «Çka jam kah du me thënë?» Dhe Garneri thotë, «Mos e shkruj ashtu siç nuk kishe me e thënë me gojë».
Askush nuk thotë:
Shtyrja e shqyrtimit gjyqësor mund të bëhet me vendim të gjykatës nëse janë paraqitur arsyet e sipërcekura…
Por thotë:
Gjykata mund ta shtyjë shqyrtimin nëse…
Ka plot shprehje si këto:
-
me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh > me 15 vjet burg
-
dhe i njëjti nuk ka prezantuar në seancë > ai nuk ka ardhë në seancë
-
i pandehuri kryen një ose më shumë vepra penale > i pandehuri kryen vepër penale
-
viktima Genc u qëllua për vdekje me armë zjarri nga i pandehuri > i pandehuri e vrau Gencin me allti
S’domethënë tani që gjuha e shkruar me i përcjellë pasaktësitë e gjuhës së folur. Por shkrimi i mirë s’ka pse dallon nga e folura pa ndonjë arsye detyruese. Atëherë ia vlen me u nisë prej parimit: mos e shkruj qysh nuk kish me e thënë me gojë.
Ky parim është thelbi, andaj e kam numërzu si pika 0. Për me e jetësu, duhen teknika e përvoja të shumta. Këtu i kam shtjellu disa ma të rëndësishmet.
1. Mos përdor fjalë të tepërta
Fjali si kjo hasim shpesh në shkresa zyrtare:
Paraqitja e dokumenteve nga ana e kandidatit u bë më datën 5 qershor të vitit 1992.
Hiqi këto fjalë: e, nga, ana, e, u bë, datën, të vitit. Ato janë fjalë të thjeshta, dhe nganjëherë të domosdoshme. Por janë të tepërta në këtë fjali. Pse mos me thënë kështu:
Kandidati i paraqiti dokumentet më 5 qershor 1992.
Shmangi shprehjet e gjata:
-
përkundër faktit që pavarësia e Kosovës u arrit… > edhe pse Kosova u pavarësua…
-
për arsye se > sepse
-
me qëllim të > për
-
për si më sipër > prandaj
-
në dispozitat e nenit 1 përcaktohet se > neni 1 thotë…
Përqendrohu aty ku duhet. Trego kush, çka, tek:
Duke u mbështetur në kompetencat e përcaktuara me kushtetutë, shkarkimi i drejtorit të policisë mund të bëhet nga kryeministri. > Sipas kushtetutës, kryeministri mund ta shkarkojë drejtorin e policisë.
2. Përdor folje, jo emra foljorë
Pronari i një restoranti i pagun kuzhinierët 50 centë për secilën shujtë që gatujnë. Një ditë, pronari e shkrun një rregullore që thotë:
Ushqimi i fëmijëve bëhet falas.
Çka domethënë kjo? Se kuzhinierët nuk do të paguhen për shujtat që ua gatujnë myshterijve fëmijë? Se fëmijët që vijnë në restorant mund të hanë pa pagu? Pronari e zgjidh telashin duke shkru kështu:
Fëmijët hanë falas.
Pra, në vend të emrit ushqim kemi përdorë foljen hanë. Edhe e kemi cekë sakt se kush han dhe si. Nuk u kemi hy në hak kuzhinierëve rreth pagës.
Foljet që tregojnë veprim janë ma të qarta e ma të thjeshta se emrat që rrjedhin prej foljeve. Me hangër është folje që tregon veprim. Kurse ushqimi është emër që rrjedh nga folja ushqej. E qujnë folje e emërzuar ose emër foljor. Rëndom e hasim me prapashtesat -im, -esë, -cion, etj.
Zakonisht, emrat foljorë i përdorim bashkë me folje të përgjithshme e të thata si është, bëhet, paraqitet, ose kryhet. Është me vend me thënë «Presidenti është kreu i shtetit». Por kujdes kur e nis një fjali me «kryesimi i mbledhjes bëhet nga…».
Kur e teprojmë me emra foljorë, rrezikojmë me e lodhë lexuesin. E habitim dhe veten, sepse shumë lehtë mund të thurim fjali të gjata e të pakuptimta. Ose të hartojmë tekste si këto, që duhet me i lexu disa herë për t’i kuptu:
Dërgimi organeve shtetërore dhe personave juridik u bëhet duke iu dorëzuar shkresat personit të autorizuar për pranimin e tyre apo të punësuarit që gjendet në zyrën, gjegjësisht në lokalin e punës. (LPK 104.1)
Karakteristikë e përbashkët e punëve juridike nule është se e drejta në padi nuk vjetërsohet e as që mund të bëhet konvalidimi i tyre me kalimin e kohës, që nënkupton se kalimi i kohës nuk mund të ketë ndikim në vlefshmërinë e tyre […].
Ose vendime si ky, me plot emra e vetëm një folje:
Aprovohet rekomandimi i Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit ndër-ministror për Vlerësimin e Detyrimeve të Veçanta në Importe për fillimin e hetimeve anti-dumping për importin e qumështit dhe produktet e qumështit me përmbajtje të yndyrës bimore dhe shtazore në Republikën e Kosovës.
Emrat foljorë nuk janë krejt pavend. Ta zëmë, nuk tingëllon keq me thënë «qeveria po punon me përmirësu hartimin e ligjeve», ani pse mund të themi «qeveria po punon me i hartu ligjet ma mirë». Këtu nuk kemi folje të thata si është e bëhet, por një folje veprore punon. Dhe fjalia është e shkurtë dhe e qartë.
Shkruesit shqiptarë shpesh janë të shtrënguar me përdorë emra foljorë, sepse shqipja standarde e shkurajon paskajoren, si trajtë të foljes (me punu, me shkru, me pasë, me folë, etj.). Do ishte ma e natyrshme me thënë, «ligji nuk detyron me nënshkru kontratë…». Por shkruesi i ndrojtur parapëlqen emërzimin «nënshkrimi i kontratës nuk është i detyruar me ligj…».
Vetë ky shkrim tregon se unë nuk shoh kurrfarë të keqe nga paskajorja — madje e parapëlqej. Por u mbetet shkruesve shqiptarë me vendosë nëse do ta shfrytëzojnë, sipas nevojës, ndërgjegjes, dhe mundësive.
3. Parapëlqeje fytyrën veprore, jo pësore
Unë e theva xhamin. Folja theva është në fytyrën veprore, sepse po tregon që unë veprova — pra, e theva xhamin. Por folja ka dhe fytyrën pësore, që ne e përdorim vend e pavend.
Xhami u thye. Folja u thye këtu është në fytyrën pësore. Na dëfton se xhami e pësoi — u thy i ngrati, u bë cpirra. Ne mund të shtojmë «nga unë» ose «nga disa persona të panjohur». Por s’ka rëndësi kush e theu xhamin ose ç’veprim bëri; ne po flasim për xhamin.
Ata që e dijnë anglishten kanë dëgju shpesh për këto dy fytyra si active voice dhe passive voice. Shqipja ka edhe dy trajta tjera: vetveprore dhe vetvetore. Lahem është vetveprore. Unë veproj, por veproj ndaj vetes, jo ndaj një kundrine, si me xhamin që e theva. E s’po rrihet është vetvetore — s’na tregon as kush vepron e as kush pëson, por vetëm çka bëhet ose çka nuk bëhet.
Fytyrat apo trajtat e foljes i kemi mësu që në fillore. Por rrallë ndonjë mësues na ka shpjegu sa të rëndësishme janë në praktikë. Kur flasim, e parapëlqejmë fytyrën veprore. Andaj dhe në shkrim, vyn me parapëlqy fytyrën veprore, kurse pësoren me e përdorë vetëm kur na duket ma e arsyeshme.
Politikanët tanë e kanë zakon me thënë «duhet të punohet». Por pakkush thotë, në fytyrën veprore: ne duhet të punojmë. Juristi që i shërben drejtësisë tregon drejt se kush duhet t’i përvjelë mëngët.
Ka raste kur pësorja kryn punë. Këshilltari i shkrun presidentit se «projektligji u miratu më 19 prill 2018». Këshilltari mund të thotë se ligjin e miratoi Kuvendi, por kryetarit të shtetit po i intereson data për me dijtë sa ka afat me e nënshkru ligjin, me e shpërfillë, ose me ia kthy Kuvendit. Prandaj këshilltari ka shkru në pësore.
Njashtu avokati mbrojtës përgjigjet, «zoti Berisha u godit me gur», për mos me thënë se klienti i vet e ka gjujtë gurin. Pse guri e ka rrokë zotin Berisha s’domethënë se klienti e ka bë sherrin.
Veç kur hartojmë ligje e kontrata, dojmë me i dijtë të gjitha. Nuk i shërbejmë vetes duke i lënë gjërat e paqarta. Themi «gjykata e miraton kontrollin…», jo «kontrolli miratohet…».
4. Përdor fjali të shkurta
Shmangi fjalitë e gjata. E lodhin lexuesin. Qe një copëz nga Kushtetuta e Kosovës:
Nëse një marrëveshje anëtarësimi e ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësisë miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. (Neni 20.2)
Një fjali me 61 fjalë. Hartuesit kanë mujtë me e thënë të njëjtën gjë me gjysmën e fjalëve:
Kuvendi ratifikon me dy të tretat e të gjithë deputetëve marrëveshjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare që shprehimisht kërkojnë zbatimin e drejtpërdrejtë të normave të organizatës. Ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Kosovës.
Tash i kemi 34 fjalë në dy fjali. Mesataren e fjalëve për fjali e kemi zbritë në 17 copa, ndërsa ekspertët sugjerojnë mos me kalu 20-shin.
(Por kur e shohim se neni 20.1 përsërit një pjesë të mirë të nenit 18.1, numrin e fjalëve mund ta ulim edhe ma tej.)
Fjalitë e shkurta janë shpëtim. Përveçse i ndihmojnë lexuesit, e mbrojnë edhe shkruesit prej turpërimit. Kur shkrujmë me fjali të gjata, e humbim fillin e mendimit. Ia nisim me thënë një gjë, kurthurohemi në sintaksë, dhe themi diçka tjetër në fund.
Qe një ilustrim prej një aktgjykimi kosovar:
ËSHTË FAJTOR
Pasi që me datën 19.11.2016 në ora 13:00 në afërsi të shkollës së mesme te larte “ Gjon Markagjoni” e ka ndaluar nxenesen e klases se 11/4 Y.X e cila ishte duke shkuar per ne shtepi nga shkolla duke i thene qe te futet ne makinen e markes “Jaguar” Q7 me targa RKS 666 OH, e njejta nuk I eshte pergjigjur thirrjes dhe me pastaj I pandehuri H.H e ka kapur per krahu per ta future me dhune ne makine, mirepo eshte penguar nga shoket e klases E.X dhe A.A, se te demrtuares Y.X, I cili me pastaj hyn ne makine dhe largohet nga vendi.
Këso dore ka kryer veprën penale, tentim rrëmbimi nga neni 194 paragrafi 1 të KPK-së
Andaj gjykata në kuptim të dispozitës së nenit 365 paragrafi 1 pika 1 dhe 2 të KPPK-së
Gj y k o n
Me 18 muaj burgim , I cili denim do të filloj të ekzekutohet menjeher pasi që ky aktgjykim të merr formën e prerë. I akuzuari detyrohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 30 euro në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmerise se ketij aktgjykimi.
Kjo është pjesa e aktgjykimit e njohur si dispozitiv — pjesa që tregon si ka vendosë gjykata. Shembullit ia kam ndërru vetëm nistoret, numrat, dhe emrin e shkollës e të kerrit. Gjithçka tjetër e kam rujtë, përfshi gabimet tipografike.
Ky fragment është shembull i shkrimit të keq. Fjalia e parë ka 107 fjalë, por sërish është gjysmake dhe e mbrapshtë. Thotë se i pandehuri «është fajtor pasi» ka bë kështu dhe ashtu. E përshkrun krejt ngjarjen, por nuk e përmend veprën penale. Veprën e përmend tek fjalia e dytë.
Gjyqtari deri diku nuk ka faj. Ligji dhe praktika ia diktojnë me i hartu aktgjykimet kësisoj: filani është fajtor sepse në filan date ka vepru kështu, me ç’rast e ka kry këtë vepër penale. Gjyqtari duhet me i cekë patjetër disa hollësi.
Por asgjë nuk ia ndalon me shkru me fjali të shkurta e të qarta: Filani është fajtor. Më datën kaq, në orën kaq, ka ba kështu. E ka kry këtë vepër penale. Andaj po e dënojmë me burg.
5. Radhiti fjalët me kujdes
Mjeshtrit amerikanë këshillojnë mos me e hedhë lexuesin në mes të detit. Si me e dijtë ai ku ndodhet apo kah i bie bregu?
Por shpesh dëgjojmë tregime si kjo:
Faruku, Faruk Kastrati, i biri i Frrok Kastratit, që ka pas kênë në nji klasë me Bedriun, kunatin e motrës seme të madhe, Hazbijes, që ka pas rá në gropë të qyreqit […], m’i ka borxh dy okë oriz.
Fjalia është e gjatë dhe plot informata të panevojshme. Në qofshin të nevojshme, janë të pakapshme. Pse duhet me dijtë për Frrokun, Bedriun, Hazbijen, e gropën e gëlqeres? Çka kanë lidhje këto Farukun dhe me borxhin?
Shkruesi e treguesi duhet me i radhitë informatat logjikshëm dhe në fjali të shkurta. (Ngjarjen mundet me e rrëfy kronologjikisht.) Kurse brenda fjalisë, duhet me i radhitë fjalët me kujdes.
Si rregull e parë, mos le shumë hapësirë mes kryefjalës, foljes, dhe kundrinës. Bën me shkru: «Presidentja Jahjaga, e para grua në krye të shtetit, punoi për barazi gjinore në Kosovë». Hapësira mes kryefjalës dhe foljes është shprehja «e para grua në krye të shtetit».
Por shih hendekun mes kryefjalës e foljes në Kushtetutën e Kosovës:
Pasuritë natyrore, si ujërat, hapësira ajrore, pasuritë minerare dhe pasuritë e tjera natyrore, si dhe trualli, pyjet, bota bimore e shtazore, pjesët e tjera të natyrës, paluejtshmëria dhe të mirat e tjera me rëndësi të veçantë kulturore, historike, ekonomike dhe ekologjike, të cilat përcaktuar me ligj se janë përcaktuar me interes për Republikën e Kosovës, gëzojnë mbrojtjen e tyre të veçantë, në pajtim me ligjin. (Neni 122.2)
Krejt pjesa e theksuar mund dhe duhet të jetë fjali më vete. Pra:
Pasuritë natyrore gëzojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjit. Ato përfshijnë…
Kur cekim shumë gjëra, ia vlen me e kriju një listë dhe me i shënu elementet me numra ose shenja:
Për vizë duhet këto dokumente:
(1) formulari i plotësuar;
(2) pasaporta;
(3) dy fotografi; dhe
(4) dëshmi; etj.
Paditësi paraqiti këto prova:
– Kontrata e punës të 12 prillit 2015 […] («Kontrata»);
– Aneksi i kontratës së punës […] («Aneksi»);
– Mesazhi i postelit nga i padituri, «Paja dej nzyre urxhent», dërguar paditësit më 27 mars 2017 («Mesazhi 1»); etj.
Gjithashtu, kujdesu që një fjalë e vogël të mos ia humb kuptimin fjalisë:
-
Vetëm unë kam luftu. (Askush tjetër nuk ka luftu.)
-
Unë kam luftu vetëm. (Nuk kam pasë shokë në pozicionin tim.)
-
Unë vetëm kam luftu. (Nuk jam marrë me gjë tjetër.)
Ka edhe truqe tjera që na ndihmojnë me thurë fjali të qarta. Por përherë duhet me kërku mundësinë për me copëtu kafshatën madhe, duke i nda paragrafët, duke i shkurtu fjalitë, dhe tue kriju lista të qarta e të lexueshme.
6. Zgjidhi fjalët me kujdes
Përdor fjalë konkrete kur mundesh:
-
që lë shumë për të dëshiruar > i mangët
-
me përparësi të mëdha nga ana vizuele > i pashëm
-
Iu nënshtrua ekzaminimit mjekësor. > Shkoi te mjeku.
-
E qëlloi për vdekje me armë zjarri. > E vrau me allti.
Ka raste ku një jurist duhet me thënë armë zjarri. Argumeton, për shembull: Shafcigeri nuk është armë zjarri. Por kur mundet, thotë allti, thikë, hanxhar, mashetë, a mitraloz.
Njëherësh, shkruesi i mirë përdor fjalë e thjeshta dhe të kuptueshme për lexuesin:
-
në mënyrë kumulative > të gjitha
-
decidiv > i prerë
-
retroaktiv > prapaveprues
-
lateral > anësor
-
konstitucional > kushtetues, kushtetutar
-
konstitutive/konstituive > themeluese
I ik zhargonin. Zhargon janë fjalët e shprehjet që i përdorin anëtarët e një zanati pse u ka mbetë shprehi, jo pse ato kanë kuptim të veçantë. Juristët zakonisht përdorin latinizma. Qe pra:
-
inter alia > ndër të tjera
-
në formë shkresore > me shkrim
-
aksi rrugor > rruga
Zhargoni dallon nga termat e artit, pra të profesionit: legjislacion, akt normativ, konflikt administrativ, mjet i goditjes, aktvendim, uti possidetis, etj. Këto nuk i zëvendësojmë dot, por mund t’i shpjegojmë thukët e qartë. Dhe mund të kujdesemi mos i ngarku fjalitë me informata.
Shpesh i ngarkojmë fjalitë kur nisemi me thënë dy-tri gjëra përnjëherë. Për shembull, dispozita për pasuritë natyrore, që e kemi citu, edhe i përkufizon pasuritë natyrore edhe tregon si rregullohet mbrojtja e tyre.
Por ndodh ta rëndojmë shkrimin me përsëritje të kota. Shkrujmë: «kushdo që kryen një ose më shumë vepra penale», thu se «kush kryn vepër penale» nuk mjafton. Stërcekim informata të njohura si emri, mbiemri, e të dhëna tjera të dikujt. Dhe nuk e pyesim pse na duhet kjo ose ajo fjalë në një fjali.
Ta zëmë, pse duhet me u përmendë mbi 500 herë Kosova në kushtetutë? Krejt dokumenti i ka rreth 20 mijë fjalë.
7. Shmangi kurthet — sinonimet pavend, shprehjet e sikletshme
Një gazetar në tëvë flet për Festën e Falënderimeve në Amerikë. Ai bën mirë me përdorë sinonime për gjeldetit, që e prejnë amerikanët të enjten e fundit të nëntorit. Herë me thënë gjeldet e herë çuran ose biban. Videoja ndihmon me kuptu se për çka po bëhet fjalë.
Por këso laramanie s’bën me pasë në shkrim juridik, sidomos në ligje e akte tjera normative. Ligji për procedurën kontestimore në Kosovë përdor termat ujdi gjyqësore dhe pajtim gjyqësor për të njëjtin send. Kështu e huton lexuesin që natyrshëm pret që secila fjalë me pasë kuptimin e vet. Por e pengon edhe hulumtimin në kompjuter: nëse kërkon me Ctrl+F vetëm për ujdi gjyqësore, nuk i gjen të gjitha dispozitat e duhura.
Termat brenda tekstit duhet ta kenë kuptimin të qartë. Shmangi sinonimet ngatërruese (ujdi v. pajtim). Por mos e përdor të njëjtën fjalë për sende të ndryshme brenda një pasusi. Wydicku kish me dhënë kësi shembulli: «Jemi të mendimit se mendimi i Gjykatës Supreme për parashkrimin fitues nuk mund të zbatohet në rastin tonë».
Por me qenë të saktë nuk domethënë me shkru me gjuhë të pazakontë. Ne komunikojmë ma efektshëm kur përdorim fjalë e shprehje të përditshme:
-
I pandehuri ndërmori veprime mashtruese kundrejt personave me gjendje të rëndë ekonomike. > I pandehuri i mashtroi të varfrit.
-
Gjatë periudhës së okupimit nga Serbia, institucionet arsimore në gjuhën shqipe zhvillonin procesin mësimor në objekte të banimit privat. > Gjatë pushtimit serb, shkollat shqipe mbanin mësim në shtëpi private.
8. Mos e harro shqipen
Gjithmonë kije parasysh se po shkrun shqip. Gjuha jonë ka veçori që na ndihmojnë me komuniku ma rrjedhshëm.
Mos përdor fjalë të huaja kur një fjalë e jona kuptohet ma lehtë. Huazimet mund ta hutojnë tjetrin, ose ta vënë në siklet pa nevojë. Të paktën, duhet me u siguru që ia dijmë kuptimin fjalës që e përdorim. Për shembull, eventual domethënë i mundshëm frëngjisht (si te dashja eventuale që përmendet në Kodin Penal), por ka kuptimin përfundimtar kur përdoret anglisht.
Mos u mundo patjetër me iu shmangë çdo fjale me prejardhje të huaj. Gati një çerek i shqipes është me rrënjë latine. Huazimet bëhen fjalë shqipe dikur. Ne s’duhet ta varfërojmë gjuhën. Nëse një fjalë është e kuptueshme, mos mendo se nga e kemi marrë.
Për shembull, anglishtja e dallon konsumatorin (consumer) nga klienti dhe klientin nga myshteriu (customer). Ligjërisht këto janë tri kategori të ndryshme. Kurse ne shqiptarët, duke e paragjyku fjalën myshteri si mbeturinë turke, e kemi zëvendësu me klient.
Por anglishtja, ndonëse gjuhë botërore, s’është gjithmonë yrnek i mirë. Ndër shembujt ma të rëndë të shkrimit juridik i kam hasë anglisht. Shumë ligje tona sot i kemi përkthy prej origjinaleve që janë hartu ma me kujdes anglisht ose në gjuhë tjera evropiane. Veç kemi përvetësu edhe plot shprehi të këqija të atyre gjuhëve.
Ministria e Administratës Publike e Kosovës jep një model të statutit të organizatave joqeveritare. Njëra fjali thotë:
Organizata nuk do të bëjë shpërndarjen e çfarëdo të ardhure neto ose fitimi si të tillë për asnjë person.
Fjalisë i vjen era anglisht, dhe e një anglishteje jo fort të lëvdueshme. Koha e ardhme «do të» ka ardhë prej anglishtes shall. (që ekspertët amerikanë thonë mos me e përdorë, sepse nuk i dihet kuptimi i saktë). Pastaj, fraza «çfarëdo të ardhure» është përkthim i dobët. Kurse «si të tillë» (as such) është zhargon i pështirë, si shqip ashtu anglisht.
Shqip, statuti i një OJQ-je bën mirë me thënë kështu:
Organizata nuk ia shpërndan askujt të ardhurat ose fitimin.
Ose diqysh tjetër. Këta shembuj e këto udhëzime nuk janë shterues. Ka shumçka tjetër që mund të bëjmë për me shkru ma mirë. Mësojmë dita-ditës nga përvoja.
Por diku duhet t’ia fillojmë, dhe me ndërgjegje ta ndjekim porosinë e Orwellit. Gjuhën mund dhe duhet ta ndreqim, sepse me të i kthjellojmë mendimet tona.
Shkurtegëza për këtë postim: https://pli.si/2FnXPPl