Një shoqatë studentësh shqiptarë në Shtetet e Bashkuara ka shënuar për të katërtën herë me radhë Ditën e Mësuesit, duke nderuar me mirënjohje një veterane të arsimit nga komuniteti i mërgimtarëve.
Organizata Studentore Shqiptaro-Amerikane e Hjustonit në Teksas (Albanian-American Student Organization of Houston, Texas) i ndanë çmim Prof. Valbona Aliaj, mësimdhënëse e matematikës, gjatë një tubimi të bashkatdhetarëve.
E lindur në Gjirokastër, Prof. Aliaj nisi punën si pedagoge 35 vjet më parë në Shqipëri për të vazhduar në fillimvitet 1990 në shkolla fillore dhe të mesme në Teksas.
Kryetari i shoqatës, Ergi Agolli, e çmoi lart punën e mësueses, ndërsa foli dhe për rëndësinë e Mësonjëtores së Korçës për arsimin shekullar dhe përparimin e kombit shqiptar.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe veprimtarët e hershëm të komunitetit, Adem Sanxhaku dhe Ramiz Tafilaj, të cilët kanë vazhduar t’iu ndihmojnë studentëve shqiptarë në Teksas.
Për studentët, 7 Marsi tashmë është kthyer në një manifestim tradicional. Më parë, mirënjohje i janë ndarë mësuesve Nuhi Vinca nga Struga, Nezir Bulliqi nga Llapi dhe Fiqret Hoxha nga Shkodra.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=4091