Njiherë dikund e pata lexu nji thanie (të dikujt) për tri lloje njerzish që kur flasin për vete thonë na e jo unë. E dij se mbretnit dhe skizofrenët kan qenë dy prej kategorive. Të tretët kan mujtë me qenë kosovarët.
Se a ke pa, kur nji gazetar tëvëje i drejtohet nji qytetari me «Çfarë mendoni ju», qytetari gati gjith ia kthen: «Na mendojmë»?
Edhe jo gjithmonë qëllon vetë i dyti që me ia mundësu grues me i ra trup «Edhe na mendojmë sikurse shoku». Thjesht, nji pjesë e mirë e Dardanisë nuk ka haber pse gazetari po thotë ju e jo ti. Historkisht, shqiptarët nuk jan mësu me folë ashtu, dhe s’kan nevojë me u mësu as tash.
Shum popuj që flasin gjuhë evropiane e kinse-respektojnë nji njeri të vetëm tue iu drejtu me ju në vend se me ti. Nuk dihet sakt se si ka nisë ky ves.
Nji teori shpjegon se ju-ja formore (formale) ka zanë fill n’oborrin e papës në mesjetën e hershme. Njerzit kan pasë frigë me i thanë perandorit ose papës ndër sy: ti e ke keq. Dhe kështu i kan ra rrotull, tue thanë ju dhe mbase tue ua hedhë vështrimin shërbëtorëve e këshilltarëve të mbledhun rreth pushtetarit.
E tillë ka qenë mesjeta — krejt lula e përkulje në të folun. Asokohe, njerzit e lirë si malsorët shqiptarë ishin të rrallë. Norma ishte me qenë rob a e shërbëtor i dikujt. Madje edhe në letra njerzit i faleshin zotnisë: i juaji, i Jueji me përulsi, sinqerisht i juaji, përvujtnisht shërbëtor i Juej besnik… (Sod e kemi krasitë kët tabiat në veç sinqerisht.)
Kur njerzimi zuni me u kfillë prej pabarazisë, për do vende veç ish ba tepër vonë me e kthy ti-në. Për qate, n’Angli nisën me i thanë të madhit e të voglit you. Në kohën e Shekspirit, përemni thou (ti) veç ish tue dhanë shpirt. Makbethi e përdor për t’i poshtnu kundërshtarët. Zonja Makduf i flet të birin sa me you aq me thou, e i biri s’amës me you.
E sod ka shku puna qaq larg sa përemnin thou s’e ndin ma (pos në do katunde t’Anglisë e Skocisë). E sheh të shkrueme ndoshta vetëm në Bibël, meqë në kohën kur mbreti Xhejms e përktheu versionin e tij të famshëm, anglezët ende i luteshin Zotit me thou.
Gjuhë tjera evropiane që i kan rujtë të dy përemnat gjithashtu e përdorin ti-në për hyjninë, sa të bajnë me pyetë në mos Perendia ka m’e ndëshku Evropën se nuk po e nderon me ju.
Mirëpo kjo s’asht çashtje nderimi, por ngurrimi e budallakie mesjetare. Anglishtes ia ka hupë kot nji fjalë, dhe folësit e ndijnë zbraztinë. Meqë you përdoret për njajës, kan pjellë tash trajtat e shumësit si y’all, you guys, yinz, etj. Ndonse krahinore dhe jogjithherë të pranueme në standard, këto fjalë tregojnë se juja formore ban ma shum dam se hajr.
Ma të meçëm jan tregu suedezët, që me ni (ju) i flasin vetëm familjes mbretnore. Albanologu Ullmar Qvick tregon se:
Fjala ‘ju’ fatkeqësisht krijon hendek psikologjik te suedezët!! . . . [P]ër shqiptarin fjala “ti” mund të tregojë mungesë respekti, për suedezin krijon afrim, barazi.…
(https://www.facebook.com/uqvick/posts/10152999575393015)
Në vijim, Ullmari shpjegon se shqiptarëve u drejtohet me ju vetëm sa mos me iu mbetë hatri. Por edhe bashkëbiseduesit e tij zaten jan nji pakicë elitare, jo që i ka zgjedhë por i kan ra hise shqipfolësit suedez si intelektual.
Shumica e popullit, sidomos në Dardani, nuk lodhet për ju. Ata dojnë me folë me ty. Jo që s’dojnë me të respektu, përkundrazi. Naim Frashëri në Bagëti e Bujqësija vendit të vet i thotë «Ti Shqipëri».
Kur vjen puna te nderimi, bash-bash me qenë në zor, të thonë zotni. Këte e përmend edhe albanologu suedez:
Në botën shqiptare është përhapur në dekadat e fundit “zoti, zotëri” për mirësjellje dhe respekt. Edhe suedezi kur flet me respekt për një person tjetër mund të përdorë “herr” (zoti).
Na fatkeqsisht nuk jemi Skandinavi, por jemi mendermethanë Ballkan. Ata që jan dikushi te na jan goxha shpesh pa meritë, se kan mbërri falë dredhive. Andaj ndjehen të rrezikuem dhe kqyrin m’e përjetsu pabarazinë, tue i nxitë dhe të tjerët me e çmu. A din, se mirë asht me të hypë në qafë dikush!
Veç nuk asht domosdo pa ndonji të mirë kjo puna e jusë: «Ti Shqipëri…», këndojmë, se vendi ynë asht nji. Por «ju zoti ministër», sepse rëndom qëllon vetë i dyti — ja asht dyfëtyrsh ja e ka dreqin në vesh, si papa dikur këshilltarët e ligë.
Shkurtegëza për këtë postim: https://plisi.org/?p=3565