As s’ta fusin, as s’të lanë m’iau futë

Shqiptarët e arsyeshëm po thonë se Kongresi i Drejtshkrimit ka gabu që s’e ka pranu paskajoren. Por as këta vetë nuk po e pranojnë. Qe, çoja një gazete një shkrim me paskajore, kqyre a po ta botojnë.

Në ta botofshin, kan me ta ndërru paskajoren me njidreqedinçka e me ta humbë a ngatrru krejt kuptimin fjalës. Ja të paktën kan me t’ia ndërru fëtyrën fjalisë.

Ti thue, për shembull, «duhet me ndërtu shtetin», tue përdorë fëtyrën veprore. Ata ta kthejnë në pësore a vetëveprore, sa me ta kujtu se «shteti duhet të ndërtohet» pa angazhimin tonë.

Po qe sa po e presim na me u ndërtu edhe nuk ndërtohet ai i ngranë dreqit? Për qate po thue: na, unë, ti, Perendia «duhet me ndërtu shtetin». Ti dijte me thanë «duhet të ndërtohet» ose «duhet me u ndërtu».

S’ka njeri të gjallë që mun e ndërron paskajoren pa e tretë domethanien e fjalisë. S’un thuhet as «duhet për ta ndërtuar shtetin». Kjo asht trajta qëllimore. Asht si me thanë: për ta futë (penin në gjilpanë), duhet njiherë me e lëpi. S’un thue: për ta futur, duhet njëherë për ta lëpirë.

Por në shtyp sheh këso marrinash përditë.

Në rastin ma të lehtë, ndodh që edhe iu ik paskajorja. Jo që ta pranojnë me qef, por thjesht, si papuntorë e të pandershëm që jan, s’e lexojnë shkrimin.

Që mos me shkretu krejt, ndodh e shtijnë në një program teksti për me kqyrë për gabime drejtshkrimore. Kur programi i porositun me libra të motit 1972 e nënvizon fjalën «pasë», redaktori ndërhyn dhe paskajoren ta kthen në «me pas».

Dhe kështu shkrimi yt — n’u pranoftë për botim dhe në daltë në gazetë a në sajt — ka me dalë sa me gabimet tua që ti s’i ke vërejtë plus me përmutjet që ia ka ba kinse-redaktori.

Qëkjohja ngjet me shkrimin tand, që ti je mundu me e shkru shqip, tue e përdorë paskajoren. Shum ma keq natyrisht asht puna me shkrimet që i prodhojnë vetë shkrolaxhijtë e gazetave e sajteve tona.

Këta as nuk mundohen me shkru shqip (përkundrazi, mundohen me shitë mend sa ma shum, tue kallxu sa dijnë anglisht e italisht), e as që ta përdorin ndonjiherë trajtën me+. Ata ma përpara shkrujnë me harfe çirilike sesa me paskajore.

Po «pse» me i pyetë, përgjigjen në majë të gjuhës e kan: Po shiqoni, ky standard qe eshte. Ne nuk jemi kompetent per ta nderruar.

Por pse po e ndërroni pra? Sa e sa rregulla të drejtshkrimit, të përcaktueme më 1972, i keni thy e laku prej se ke nisë me punu vetëm pse s’i keni dijtë ja s’ua kan mbushë synin (se s’ju kan lanë fort hapsinë me shitë mend)?

A nuk qetë ju qata që fjalët imejll, smartfon, ep, e sellfi i shkruni anglisht për pikë të qefit? Që Pekinit i thoni Beijing e Bavarisë ia bani Bayern? E prej dashnisë për artiste të hueja nuk ua lakoni ma as emnat qysh e lyp gjuha jonë? (Pos mbaresat e kroatishtes ju ngelin aty-këtu kur vjedhni lajme prej kojshive.)

E pse pra mos me shti dhe paskajoren? Pse?

Ndjenjë poshtërsie — jo shpirtkeqsisë, por përultësie si në fjalën latine inferior(itas). Ndjeheni të poshtër, andaj ngurroni me përdorë paskajoren. Tuteni po ua paragjykojnë dijen, dhe i jepni zor me u kallxu sa ma të dijshëm!

Se për ç’arsye atëherë e shkruni New York e jo Nju-Jork (a Niujork)? Ja Hollywood e jo Hollivud? Rregullat e standardit 72 nuk e pranojnë W-në. Por ju tuteni se po ju përqesh kush.

Se për ç’arsye atëherë shkruni se «haxhxhi kryhet në muajin Dhul-Hixhxhe», kur as shqipja s’i pranon bashkëtingëlloret e zgjatuna e as shqiptarët s’un i thonë. Por ju doni me kallxu që dini arabisht.

Populli kish me jua ba hallall, sikur standardin t’ia përshtatshit edhe popullit. Por ju i përkuleni veç të huejës, gjuhën tonë e shpërfillni, e shqiptarët i fyni katërçipërisht!

Pse s’po e përdorni paskajoren në gazetë e në tëvë, ashtu qysh e përdorni me njerzit e shpisë? Kujtoni ju që me ba me shkru me me, kan me thanë gjindja: qe këta s’po dijkan, s’po e njofkan standardin!

Nuk thonë, jo. Se ju vendosni se çka asht standarde e çka jo. Paskajorja sod nuk llogaritet pjesë e standardit jo pse nuk e ka pranu Kongresi i Drejtshkrimit, por pse nuk po e pranoni ju.

Me shkru New York, e thashë, s’njehet gabim, se ju e keni ndërru rregullën. E keni ndërru për nji arsye, dhe s’jeni trembë. Ju — edhe s’po të thom ty lexues, por medieve që unë e ti i lexojmë — keni takat me na korruptu të madhe e të vogël, por edhe me ndryshu për së mbari!

Aman, pra, atëherë! Paskajorja asht e thjeshtë. Ua lehton punën juve që shkruni, na e lehton punën neve që lexojmë. (Në ju trazoftë kush për këte, vij unë jau heqi qafe.)

S’ka fillozofi këtu. Për me e shkru sakt, vlen kjo rregullëz që librat e 72-shit nuk na e mësojnë: paskajorja mbaron gati gjithmonë me nji zanore përveç o-së. Qe, p.sh., me shkru(e), me shku(e), m’u kthy(e), me ndejtë, me puthë, me bë, me dhënë, me lujtë, me gjujtë, me ra, me fjetë…

Ta pranojmë e ta përdorim, ja ta zhdukim njiherë e përgjithmonë. Por pezull mos ta mbajmë ma! Nëse ju vjen marre me e përdorë paskajoren edhe kur shkruni këshilla për seks rastësor ma të mirë, qysh nuk ju vjen marre me e përdorë para nanave e motrave tueja përditë?

Shqiptarët e arsyeshëm po thonë se «paskajorja duhet të futet në shqipen standarde». Por këta as s’po e futin e as s’të lanë me ua futë. E ku me ia dijtë lezetin na shqipes?

Nga Getoar Mjeku

Njeri i lirë dhe avo­kat prej Prish­tine të Dar­da­nisë. Shkrun për shqip­tarët, gju­hën, histo­rinë, e poli­ti­kën. Lexon çkamos. Ndih­mon me mirë­mbajtë saj­tin për shqip­tari, Plisi.org.