Rilindasi ynë e quante vendin jugamerikan Qilia. Vendasit e quajnë Çile (Chile). Shum ma vonë, shqiptarët nisën me përdorë krejt gabimisht emnin Kili (dhe aty-këtu Kilia). Besoj se nuk asht vonë që edhe ne t’i themi atij dheut të largët Çile–Çilja.
N’asnji gjuhë me ndikim botnor nuk ia thonë emnin me K si na. Spanjisht e quajnë Chile, që tingëllon si Çile. Emni frangjisht, Chili, nis me tingullin Sh. Anglisht, Chile shqiptohet me Ç (Çili ose Çilej). Madje edhe në gjuhën italine — që përdor dygermëshin Ch për tingullin K — shkruhet Cile e thuhet Çile.
Tani që kombtarja çileane do të vazhdojë me marrë pjesë në Botnor, kujtoj se dheu meriton të paktën nji shpjegim se si shqiptarët ia mbrapshtuan emnin. Me gjasë, ai që i pari filloi me thanë Kili në gjuhën tonë nuk ishte në dijeni se shkronja Ch spanjisht shqiptohej si Ç-ja e shqipes. Për dallim, në tekstin mësimor të gjeografisë Dheshkronjë, rilindasi ynë Naim Frashëri e quajti vendin jugamerikan Qilia.
Zgjidhja ma e mirë, megjithate, do t’ishte që na shqiptarët me e përdorë nji përshtatje të saktë t’emnit zanafillor. Kemi disa zgjedhje: (1) Qilia e Naimit; (2) Çili si ma e afërt me shembull francez; dhe (3) Çile–Çilja si ma së ngati me spanjishten. Mue ma mbush synin kjo e mbramja.
E kuptoj se Çilja nuk asht vendi i vetëm që ka nji emën të veçantë në gjuhën shqipe. Por për dallim prej atyne kombeve që shqip i quajmë tjetërqysh për shkak të traditës e arsyeve të natyrshme historike, këtu kemi të bajmë me nji gabim të pastër të dorës së njeriut. Andaj, korrigjimi asht me vend. Edhe anglishtja, që dikur përdorte trajtën franceze Chili, përvetësoi origjinalin Chile, për hir të saktësisë.
Faksimile: Fragment nga Naim Frashëri, Dheshkronjë, ribotue në Vepra 6 (Rilindja: Prishtinë, 1986)
Shkurtegëza për këtë postim: http://pli.si/1RQhOXi